Artikuj të Ngjashëm:
Nuk gjetëm artikuj të ngjashëm.
Gjatë vitit të kaluar, importi i kafesë na ka kushtuar më lirë, çka ka nxitur rritjen e sasisë së sjellë në Shqipëri. Çmimet nuk ndryshojnë në tregun e brendshëm, as këtë vit
Kafeja është një nga ato produkte që u ka rezistuar më së miri “stuhive financiare e ekonomike në Shqipëri, ashtu si dhe në tregjet botërore”.
“Një kafe më pak” është shprehje e dëgjuar mes nesh kur flasim për një sakrificë që duam të bëjmë në këmbim të një shpenzimi, ndoshta të paplanifikuar. Në fakt, të dhënat tregojnë se nuk heqim dorë nga kafeja, pavarësisht angazhimeve të mëdha financiare që mund të ketë çdonjëri prej konsumatorëve shqiptarë.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, sasia e kafesë së importuar është rritur gati 4% gjatë vitit të kaluar krahasuar me një vit më parë. Importi arriti në 7.4 mijë tonë, nga të cilat, 39% erdhi nga India.
Në dhjetë vjet, kafeja e importuar është rritur 17% në sasi, duke shënuar rritje të vazhdueshme, përjashtuar uljet në vitet 2005 dhe 2010.
Rritja e importit vitin e kaluar duket të jetë ndihmuar jo vetëm nga prirja shqiptare për të konsumuar e për të mos hequr dorë nga rituali i mëngjesit për shumë vetë, apo biseda e ngrohtë mes miqsh. Vitin e kaluar, të dhënat e tregtisë na tregojnë se kemi importuar edhe më lirë se për herë të parë në pesë vitet e fundit, çmimi i kafesë së importuar ishte më i ulët. Krahasuar me një vit më parë, importi në vlerë shënoi rënie prej 4%, ndërsa çmimi për një ton kafe, vlerësohet të ketë rënë rreth 8% krahasuar me një vit më parë.
Tregu ynë vlerësohet të reflektojë me vonesë zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, si për sa i përket çmimeve, edhe prirjes tendencës së importit.
Sipas vlerësimeve të Organizatës Ndërkombëtare të Kafesë (ICO), çmimi i kafesë vlerësohet të ketë shënuar ulje rreth dy vite më parë, duke u reflektuar te ne vetëm vitin e kaluar. I njëjti fenomen ndodhi edhe për konsumin disa vite më parë. ICO raportonte ulje të konsumit në vitin 2009 në tregjet kryesore, ndërsa në vendin tonë, ulja u shënua në vitin 2010.
Sipas të dhënave të importit, çmimi i kafesë së mbërritur në doganë ishte gati 4% më i ulët se një vit më parë. Vitin e kaluar, vlera e kafesë së importuar ishte 3.17 miliardë lekë, nga 3.3 miliardë lekë të importuara një vit më parë. Ulja e çmimit të importit nuk është reflektuar në uljen e çmimit të kafesë që konsumojmë. Kjo, sipas ekspertëve të tregtisë, ishte e pritshme, për sa kohë, edhe rritja e çmimit të shënuar vitet e kaluara nuk është reflektuar në çmimin e kafesë nëpër lokale dhe as asaj të tregtuar në dyqane.
Një tjetër arsye përse nuk pritet ulje e çmimit të kafesë, janë investimet e bëra në rrjetet e organizuara nga tregtarët e kafesë të kafeneve të specializuara në këtë fushë. Janë disa marka të cilat ofrojnë shërbime të specializuara për një konsum të larmishëm të kafesë.
Në uljen e çmimit të kafesë nuk ka ndikuar as shtimi i aktorëve në një treg të tillë. Sipas të dhënave nga Qendra Ndërkombëtare Regjistrimit, rezultojnë rreth 30 kompani importuese të kafesë, e mbi 100 operatorë brenda tregut mes tregtimit e paketimit të kafesë.
Garë për kafenë turke
Por, në tregtinë e kafesë jo gjithçka shkon vaj. Kafeja turke përballet me vështirësi në shitje e me ulje të kërkesës për konsum. Pavarësisht se pjesa më e madhe e konsumatorëve familjarë i kanë qëndruar besnikë kafesë turke, ka nga ata që “e kanë tradhtuar” në këmbim të kafesë ekspres. Duke ditur që numri më i madh i shqiptarëve përdorin kafenë turke dhe çmimi është relativisht i ulët (krahasuar me llojet e tjera të kafesë) shumë kompani tregtare i kanë dhënë prioritet. Por, ulja e kërkesës, ka shtuar presionin mes tregtimit dhe çmimit. E kundërta ndodh me kafenë ekspres, madje edhe atë të paketuar për shërbim në shtëpi.
Flamur Skraparlliu, përfaqësuesi i Lavazza në Shqipëri, pohon se, “në tregtimin e Lavazza nuk kemi ndier ndonjë presion të fortë të konkurrencës. Madje shitjet kanë ardhur në rritje ndër vite”. Llojet më të shtrenjta të kafeve duket se kanë qenë më të qëndrueshme për sa i përket nivelit të shitjeve. Sipas ekspertëve të tregtisë, kjo pohon faktin se shtrenjtimi i çmimeve ka prekur konsumatorët me të ardhura të ulëta e mesatare dhe jo ata me të ardhura mbi mesatare. Ndërkohë, mishelat më të mira të kafesë janë ende të reja në treg dhe kanë hapësira për t’u zgjeruar. Përfaqësuesit e kompanive kryesore importuese tregojnë se shitjet e mishelave të përshtatshme për kafenë ekspres ecën mirë gjatë vitit të kaluar, por edhe në fillim të këtij viti.
Eksportet, rreth 5% e importit
Sipërmarrësit me përvojë dhjetëvjeçare në këtë treg e kanë shtrirë aktivitetin edhe në rajon, ndonëse kanë ruajtur një peshë të qëndrueshme gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave të tregtisë, rreth 5% e sasisë së importuar, eksportohet në rajon. Krahasuar me vitin 2013, eksportet u rritën gati 4% në vlerë. Në tregun e rajonit vlerësohet të kemi eksportuar më shtrenjtë, pasi sasia e kafesë së rieksportuar është më e ulët se një vit më parë. Gjatë vitit të kaluar, rreth 5% e sasisë së kafesë së importuar është tregtuar në Maqedoni e Kosovë.
Hapësirat e kufizuara të shitjeve në tregun e brendshëm kanë rritur interesin e zgjerimit të shitjeve në këto tregje.
Konsumi nuk ndikohet nga çmimi
Tregtarët pritet t’i jenë gëzuar pak uljes së çmimit. Këtë vit, importi i kafesë pritet të kushtojë më shtrenjtë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin parashikon një ulje të lehtë të prodhimit të kafesë, ndërsa edhe monedha amerikane, monedhë që u përket tregjeve ku importojmë më shumë kafe, po forcohet ndaj euros dhe monedhës sonë. Të dy këto fakte pritet të shoqërohen me rritje të çmimit të kafesë. Sipas tregtarëve importues, çmimi i kafesë ka shënuar rritje mesatare vjetore prej 10% gjatë viteve të fundit (përjashtuar dy rastet e përmendura më sipër).
Tregtarët mendojnë se shqiptarët mbeten konsumatorë besnikë të këtij produkti, ndaj edhe ndonjë rritje e mundshme e çmimit të produktit përfundimtar, për shkak të rritjes së çmimit të lëndës së parë, nuk pritet të reflektohet në uljen e konsumit. Sipas vlerësimeve në tregun e brendshëm, konsumi i kafesë në Shqipëri, vlerësohet të jetë ende në nivele të ulëta krahasuar me vende të tjera, veçanërisht europiane. Sipas të dhënave të tregut shqiptar, konsumi për frymë është 2.2 kg/vit. Në Maqedoni, niveli i konsumit është 3.4 kg/frymë/vit. Në tregun europian, çdo banor konsumon mesatarisht 5 kg/vit, sipas të dhënave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO). E gjithë kjo nënkupton ende hapësira për zgjerim të tregut.
India kryeson në importe
Gjeografia e tregjeve nga të cilat po importojmë ka ndryshuar pak në vitet e fundit. Prirja është drejt tregjeve më të lira. Ndaj, importuesit janë furnizuar më së shumti nga India dhe Brazili. Vitin e kaluar, importet nga këto dy tregje siguruan mbi 60% të tregut shqiptar të kafesë. Sipas përfaqësuesve të kompanive tregtare, arsyeja kryesore e orientimit drejt tregjeve të largëta është edhe monedha më e lirë e këmbimit. Blerjet në tregun europian po shihen pa interes, pasi ishin shumë të shtrenjta (vetëm për shkak të vlerësimit të monedhës euro). Në Europë, Italia është tregu kryesor nga ku importojmë kafe. Por, krahasuar me pesë vite më parë, importi i kafesë nga ky treg gati është përgjysmuar, duke shkaktuar rënien e peshës së tij në importe në 17 pikë përqindje. E gjithë kjo prirje mund të përmbyset gjatë këtij viti, pikërisht për shkak të ndryshimit të kushteve të tregut. Dollari po forcohet gjithnjë e më shumë, e kjo pritet të nxisë tregtarët drejt një importi më të afërt, siç mund të jetë Italia.
Kafeja, mbi 2% të të ardhurave
Bazuar në të dhënat e importit, në Shqipëri konsumohen 37 milionë filxhan kafe ekspres në vit dhe rreth 30 milionë kafe turke. Shqiptarët shpenzojnë 15 miliardë lekë në vit për të pirë kafe. Nëse kësaj shumë i shtohet dhe konsumi i cigareve prej 20 miliardë lekësh në vit, shuma që shpenzohet për kafe e cigare është jo pak, por 35 miliardë lekë në vit. Janë këto miliarda të veseve dhe ritualeve të përditshme, që përbëjnë rreth 5% të totalit të të ardhurave të shqiptarëve në një vit. Është pa dyshim porosia më e zakonshme dhe më e shpeshtë në një lokal dhe askujt nuk i rëndon të ulet e të porosisë kafenë, një herë, dy apo disa herë në ditë. E lirë për disa, e domosdoshme për shumë të tjerë, si pa u ndier për një kafe shpenzimet janë të konsiderueshme, dhe vërtiten në rreth 2% të të ardhurave. Sipas vëzhgimeve të treg, të bëra nga vetë tregtarët e kafesë, konsumi më i madh i kafesë është në ambientet ku ajo shërbehet me çmim të lirë. Nga konsumi mesatar vjetor prej 2.2 kilogramësh në vit, tregtarët vërejnë se raporti është i ndarë mes 0.8 kilogramë kafe turke dhe 1.4 kilogramë mishela që shërbehen në formën e ekspresit.
Ndarja e tregut
Gjatë vitit 2013, janë importuar kafe sipas llojit kafe e pjekur e papjekur, e dekafeinizuar ose jo e dekafeinizuar.
Pjesa më e madhe e kafesë, rreth 84%, importohet nga 18 ndërmarrje dhe pjesa e mbetur prej 16% importohet nga 169 ndërmarrjet e tjera, sipas një vëzhgimi të Autoritetit të Konkurrencës lidhur me mallrat e akcizës.
Tre konkurrentët kryesorë në këtë treg janë Ndërmarrja 1, Ndërmarrja 2 dhe Ndërmarrja 3 dhe zënë respektivisht 16.21% të tregut, 10.77% dhe 10.30%. Autoriteti nuk bën të ditur emrat e kompanive, por sipas të dhënave nga tatimet për qarkullimin vjetor, rezulton se ato janë përkatësisht GP2-shpk, Illyrians Development shpk dhe Alb-ERK shpk.
Tregu i importit të kafesë është një treg jo i përqendruar. Indeksi i përqendrimit HHI7 është 689 që do të thotë se kemi të bëjmë me një treg jo të përqendruar, sipas Autoritetit.
Për kafenë e papjekur, importi për vitin 2013 është realizuar nga 19 ndërmarrje.
Për kafenë e pjekur të padekafeinizuar, ndërmarrjet që importojnë janë gjithsej 163, nga të cilat 17 prej tyre zënë pjesë tregu
nga 19.47% deri në 1.12% dhe 146 zënë më pak se 1% të këtij tregu.
Për kafenë e pjekur të dekafeinizuar, importi për vitin 2013 është realizuar nga 42 ndërmarrje nga të cilat 14 prej tyre zënë pjesë tregu nga 30.6% deri në 1.4% dhe 28 prej tyre zënë më pak se 1% të këtij tregu.
Kafeja në shifra
-Në 2014-n, konsumi zyrtar për frymë 2.2 kg
-Importi rritet 4%
-Eksporti, sa 5% e importeve
-39% e kafesë vjen nga India
Burimi: INSTAT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.