Rritja e ndjeshme e sipërfaqes së zyrave nuk është në të njëjtën linjë me modelin ekonomik me të cilin operon sot ekonomia shqiptare, e cila është e bazuar mbi ndërmarrjet e vogla me 1-4 punonjës.
Aktorët e tregut pohojnë se shtimi i sipërfaqeve për zyra po bëhet në mënyrë kaotike dhe i pastudiuar, çka mund të ndikojë në krijimin e një flluske në të ardhmen.
Nga të dhënat e INSTAT rezulton se 94% e ndërmarrjeve aktive në vend kanë 1-9 të punësuar. Ndërmarrjet me shumë të punësuar zënë një përqindje të ulët ndaj totalit, ku ato me 10-49 të punësuar ishin 6290, ndërsa ndërmarrjet me mbi 50 të punësuar ishin 1828, përkundrejt rreth 120 mijë që janë në total.
Madhësia e bizneseve sigurisht që ka ndikim në tregun e qirave për zyra. Stela Dhami thotë se për këtë arsye, shumica e transaksioneve të ndërmjetësimit bëhet për sipërfaqe zyrash ndërmjet 100 dhe 250 m2.
Ndërmarrjet e vogla në përgjithësi kanë një qarkullim të ulët vjetor dhe për rrjedhojë nuk mund të përballojnë mjedise biznesi me kosto te lartë. Qiratë e zyrave është një ndër zërat me peshë në kostot operative të biznesit, shpjegon Dhami.
Të dhënat e Monitor lidhur me 200 punëdhënësi më të mëdhenj, të disponueshme për vitin 2017, tregojnë se vetëm 178 kompani kanë më shumë se 150 punonjës. Nga këto pjesa më e madhe ishin në sektorin e lojërave të fatit, tashmë të mbyllur, fason, që vepron në fabrika jashtë qyteteve, telekomunikacione, që sërish janë të zhvendosura në periferi, banka dhe call center. Dhami thotë se bizneset e call center (BPO-Business process outsourcing) janë një potencial në vend, por dhe ato kërkojnë ambiente të lira.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.