Përdorimi i maskës nuk do të jetë më një detyrim dhe rregullat e distancimit social do të hiqen në Britaninë e Madhe, konfirmoi kryeministri i vendit Boris Johnson.
Rregulli i lejimit të gjashtë personave brenda një shtëpie private do të shfuqizohet, po ashtu edhe udhëzimi i punës nga shtëpia. Pas 16 muajsh kufizime më në fund Britania po i kthehet jetës normale.
Kryeministri tha se faza e fundit do të shkonte përpara siç ishte planifikuar në 19 korrik. Por kjo do të konfirmohet vetëm më 12 korrik, pas një rishikimi të të dhënave të fundit.
Masat e tjera në lidhje me shkollat, udhëtimet dhe vetëizolimin do të përditësohen në ditët në vijim, deklaroi ai.
Johnson tha se pavarsisht heqjes si detyrim të përdorimit të maskës, ai do të vazhdonte të vishte një të tillë në vendet e mbushura me njerëz “si mirësjellje”.
Sipas tij aftësia për t’i dhënë fund një pjesë të madhe të kufizimeve në Angli ishte falë suksesit të përhapjes së vaksinave, që kanë ndikuar në lidhjen mes rasteve dhe vdekjeve.
Por ai paralajmëroi që rastet janë parashikuar të rriten në 50 mijë në ditë më vonë gjatë këtij muaji dhe se “ne duhet të pajtohemi, fatkeqësisht, me më shumë vdekje nga Covid”./BBC