Ky është rikthimi i shekullit. Në zgjedhjet kombëtare të së dielës, votuesit brazilianë i dhanë një fitore të ngushtë Luiz Inácio Lula da Silva, ish-presidenti i majtë brazilian, tepër i dashur, por edhe kontraversial. Ish-lideri i sindikatës mori 50.9% të votave kundrejt 49.1% që shkuan për Jair Bolsonaro, kryetarin e krahut të djathtë të politikës braziliane.
Rezultati duhet të shënojë fundin e një viti zgjedhor thellësisht polarizues. Në vend të kësaj, rezultati e ka zhytur vendin me 200 milionë banorë në një situatë pritjeje të tensionuar, për të parë se si do të përgjigjet Bolsonaro.
Presidenti, një ish-kapiten i ushtrisë, e ka shpenzuar vitin e kaluar duke lënë të kuptohet se nuk do të pranonte një humbje në këto zgjedhje. Fushata e tij ka deklaruar në mënyrë të përsëritur, pa vënë në dispozicion ndonjë provë konkrete, se sistemi elektronik i votimit në Brazil është vulnerabël ndaj ndërhyrjeve që synojnë cënimin e rezultatit zgjedhor.
Kjo retorikë i ngjasonte shumë asaj të ish-presidentit të SHBA, Donald Trump, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Shumë analistë përpara votimit të së dielës kishin paralajmëruar për mundësinë reale të një versioni brazilian që do t’i ngjasonte kryengritjes së Kapitolit më 6 janar dhe, në të vërtetë, pas shpalljes së rezultatit, disa mbështetës të Bolsonaros filluan ta denoncojnë fitoren e Lulës si jo të merituar dhe të bëjnë thirrje për ndërhyrje ushtarake.
Por, më shumë se 12 orë pasi fitorja e Lulës u konfirmua nga autoritetet zgjedhore të Brazilit, as Bolsonaro, as stafi i tij i fushatës, as djemtë e tij politikë nuk e komentuan rezultatin dhe nuk iu drejtuan mbështetësve për t’u revoltuar.
Megjithatë, disa aleatë kryesorë të Presidentit, duke përfshirë kryetarin e dhomës së ulët të Kongresit të Brazilit, e kanë njohur rezultatin dhe kanë bërë thirrje që demokracia të respektohet. Kjo bën që Bolsonaro dhe ndihmësit e tij më të afërt të duken gjithnjë e më të izoluar.
Liderët botërorë, duke përfshirë presidentin e SHBA, Joe Biden, dhe presidentët e të gjithë fqinjëve të Brazilit në Amerikën e Jugut, nxituan të urojnë Lulën brenda disa orësh nga shpallja e rezultatit, duke ushtruar presion ndaj Bolsonaro që të mos e sfidonte rezultatin.
Në fjalimin e tij të fitores të dielën mbrëma, Lula ofroi shenja të një pajtimi të madh, duke synuar që të shërojë ndarjet politike, të thelluara akoma më tepër nga gara polarizuese që zgjati për shumë muaj dhe që përfundoi me fitoren e tij në balotazhin e së dielës, katër javë pas raundit të parë të votimit më 2 tetor.
“Duke filluar nga 1 janari 2023, unë do të qeveris për 215 milionë brazilianë, jo vetëm për ata që votuan për mua”, tha ai. “Nuk ka dy shtete të Brazilit. Ne jemi një vend, një popull dhe një komb i madh.”
Kush është Lula?
Lula ka qenë një emër i njohur në Brazil për rreth tre dekada. Pasi shërbeu si kreu i një sindikate të punëtorëve të çelikut në Sao Paulo në vitet 1970, Lula ndihmoi në themelimin e partisë së majtë, të quajtur “Partia e Punëtorëve”, dhe fitoi zgjedhjet e tij të para presidenciale në vitin 2002.
Dy mandatet e tij në detyrë ishin një kohë lulëzimi për Brazilin: rritje e vlerës së mallrave braziliane dhe shtimi i eksporteve me Kinën nxitën rritjen e shpejtë ekonomike.
Të ardhurat shtesë ndihmuan në financimin e një zgjerimi të rëndësishëm të programeve sociale, duke përfshirë Bolsa Família – e cila ofronte transferta të drejtpërdrejta parash për familjet me të ardhura të ulëta, në këmbim që të sigurohej ndjekja e shkollës nga fëmijët – duke rrënjosur kështu popullaritetin e Lulës mes brazilianëve më të varfër. Ai u largua nga detyra në vitin 2010, me 83% të publikut që kishte vlerësime pozitive për të.
Megjithatë, reputacioni i Lulës mori një goditje të rëndë. Në vitin 2017, prokurorët federalë implikuan ish-Presidentin në hetimin e tyre për një skemë të gjerë korrupsioni, për të cilën ata thanë se kishte ndodhur gjatë administratës së tij.
Lula u dënua me gati 10 vjet burg për pranimin e një apartamenti luksoz si ryshfet – një akuzë që ai e ka hedhur poshtë gjithmonë si një sulm të motivuar politikisht. Gjyqtari që e dënoi ish-Presidentin do të vazhdonte të shërbente më vonë si ministër i drejtësisë në kabinetin e Bolsonaros.
Në vitin 2021, Gjykata e Lartë e Brazilit hodhi poshtë dënimin e Lulës, duke thënë se e drejta e tij për një gjykim të drejtë ishte komprometuar – një vendim me të cilin u dakordësua edhe këshilli i të drejtave të njeriut të OKB.
Kështu, Lula u pastrua nga akuzat dhe mund të kandidonte kundër Bolsonaros për t’u rizgjedhur në vitin 2022. Por, brazilianët vazhdojnë të jenë thellësisht të ndarë lidhur me fajësinë ose pafajësinë e Lulës: sipas një sondazhi të muajit shtator, 44% e votuesve vazhdojnë të besojnë se Lula ishte dënuar me të drejtë, ndërsa 40% besojnë se dënimi i tij ishte i padrejtë.
Rikthimi i Lulës në një botë në krizë
Shumë liderë botërorë do ta mirëpresin kthimin e Lulës. Gjatë mandatit të tij të parë, Lula luajti një rol të rëndësishëm në politikën globale, duke shërbyer shpesh si ndërmjetës midis qeverive perëndimore dhe rivalëve të tyre.
Ky pozicionim i tij mund të jetë i dobishëm në një epokë ku përpjekjet diplomatike për të vendosur bashkëpunim ndërkombëtar për krizën klimatike po bëhen gjithnjë e më urgjente. Presidenti i zgjedhur është zotuar të vërë nën kontroll shpyllëzimin në pjesën e Amazonës që ndodhet në Brazil, gjë e cila do të përmirësonte ndjeshëm marrëdhëniet e dëmtuara të Brazilit me BE-në.
Por, Lula mund të mos jetë një aleat i drejtpërdrejtë për liderët perëndimorë kur bëhet fjalë për sfidën kryesore të ditës në politikën e jashtme: luftën në Ukrainë. Në një intervistë me TIME në muajin mars, lideri i majtë kritikoi edhe Presidentin e SHBA, Joe Biden, edhe atë ukrainas, Volodymyr Zelensky, për faktin se kishin dështuar të negocionin me Vladimir Putinin e Rusisë përpara se të shpërthente lufta.
“Shtetet e Bashkuara kanë një ndikim të madh politik. Dhe Biden mund ta kishte shmangur luftën, jo ta nxiste atë,” tha ai. “Ai mund të kishte marrë pjesë më shumë në këtë situatë. Biden mund të kishte marrë një avion dhe të kishte shkuar në Moskë për të diskutuar me Putinin. Ky është lloji i qëndrimit që pritet nga një lider.”
Lula tha gjithashtu për TIME se mbështetja e hapur e komunitetit ndërkombëtar për Zelensky që nga fillimi i luftës ka qenë një gabim, duke bërë thirrje për një fokus më të madh te negociatat prapa skenave.
“Ju po e inkurajoni këtë person dhe më pas ai mendon se është qershia mbi tortën tuaj. Ne duhet të bëjmë një bisedë serioze me të. Dakord, ti ke qenë një humorist i mirë. Por le të mos bëjmë luftë vetëm që të shfaqesh ti në televizor.”/ TIME