Si ia doli Manchester City, së bashku me Liverpool dhe Spurs, të eklipsojnë Manchester United, Arsenal dhe Chelsea
Nëse përpara 15 vitesh, dikush do t’u kishte thënë tifozëve anglezë të futbollit se klubet e Manchester City, Liverpool dhe Tottenham Hotspur do të dominonin një ditë në Premier League, ata do t’ju kishin qeshur në fytyrë duke iu thënë se kjo gjë nuk kishte për të ndodhur kurrë, shkruan The Economist.
Në vitin 2004 Manchester City u rendit në vendin e 16-të, Spurs në vendin e 14-të dhe Liverpool në vendin e katërt. Treshja triumfuese e Arsenal, Chelsea dhe Manchester United dominoi në periudhën 1996-2011.
Por sot renditja e këtyre klubeve të futbollit në Premier League ka ndryshuar. Triumfuesi i ri është Manchester City, i cili më 12 maj rrëmbeu titullin e katërt në tetë sezone, duke i falur kështu një kënaqësi të pamat familjes mbretërore të Abu Dhabi, e cila e bleu këtë klub në vitin 2008. Me një pikë me pak u rendit Liverpool. Ndërsa më 1 qershor të këtij viti, ekipi i Merseyside do të përballet me Tottenham në finalen e Ligës së Kampionëve, turneu më prestigjioz i Europës. Por cilët janë faktorët që kanë ndikuar në progresin e këtyre klubeve të futbollit? Çfarë e ka lejuar këtë trio të re të dominojë Premier League?
Paraja është një prej përgjigjeve. Në periudhën 2008-‘12, Manchester City shpenzoi 520 milionë paund (675 milionë dollarë amerikanë) për transferimet e lojtarëve. Fenway Sports Group, firma amerikane që në 2010 bleu një Liverpool pothuajse të falimentuar për vetëm 300 milionë paund, tani shpenzon pothuajse të njëjtën vlerë mbi pagat e lojtarëve gjatë një sezoni apo për tarifat e transferimeve të tyre. Por edhe shumë klube të tjera angleze janë të pasura: 9 prej 20 klubeve me të ardhura më të larta në botë janë angleze. Manchester City shpenzon rreth 8% më shumë në vit për lojtarët në krahasim me Manchester United, ndërsa Spurs paguan 20% më pak se Arsenali.
Në të kaluarën, klubet e Premier League e shpërdoronin pasurinë e tyre. Por, kur 21st Club, një firmë konsulence, arriti në përfundimin se shpenzimet e ekipeve europiane ishin shumë të larta në krahasim me rezultatet e tyre, 16 prej 20 ekipeve i reduktuan ato. Një prej arsyeve se përse klubet angleze shpenzojnë më shumë në krahasim me ato kontinentale është edhe fakti sepse ata priren të blejnë yje të afirmuar tashmë dhe jo talente të reja.
Por si Manchester City, Liverpool dhe Tottenham kanë mësuar tashmë nga gabimet e së shkuarës. Që prej vitit 2016, lojtarët që ata kanë blerë kanë qenë të rinj dhe nga klube jo shumë të suksesshme. Kështu për shembull, Manchester City i pagoi klubit jo shumë të suksesshëm gjerman të Wolfsburgut, 55 milionë paund për blerjen e mesfushorit Kevin de Bruyne.
Liverpool i bleu klubit të Romës, sulmuesin Mohamed Salah, kundrejt vlerës prej 37 milionë paund. Sot, secili prej lojtarëve të përmendur më sipër është shndërruar në yllin e ekipit të tij. Këtë sezon Spurs u cilësua si klubi i parë në historinë e Premier League që nuk nënshkroi asnjë kontratë për blerjen e futbollistëve të rinj gjatë një sezoni, pas vitesh të tëra rekrutimi talentesh të reja nga klubet më të vogla dhe më pak të suksesshme. Shumë prej talenteve të reja që ai ka blerë dikur, sot janë shndërruar në yje, ku mund të përmendim Son Heung-min (i cili u rekrutua nga Leverkusen) dhe Dele Alli (nga Milton Keynes).
Ndërkohë klubet si Manchester United, Chelsea dhe Arsenal që dikur kanë qenë në pozicionet më të mira të Premier League, së fundmi kanë bërë gabime të cilat u kanë kushtuar shumë. Manchester United e shndërroi 30-vjeçarin Alexis Sánchez, në lojtarin me fitimet më të larta të Premier League, të cilat arrijnë deri në 25 milionë paund në vit. Por rezultatet e arritura nga sulmuesi anglez ishin shumë të dobëta, vetëm 5 gola në 45 ndeshje. Chelsea hoqi dorë nga sulmuesi shumë i shtrenjtë Álvaro Morata, një vit pasi e kishte blerë këtë të fundit tek Real Madridi. Arsenali ka bërë gjithashtu shumë blerje aspak të zgjuara, duke u gjendur gjatë ndeshjeve me mbrojtës të cilët kanë lënë shumë për të dëshiruar.
Por një prej sfidave më të mëdha të kësaj treshe të re triumfuese të Premier League është që të vërtetojë se nuk është e përfshirë në mashtrime financiare, për të cilat është nisur edhe një hetim kundrejt Manchester City nga UEFA, autoriteti i futbollit europian.