Menaxhimi i mbetjeve spitalore do të rregullohet në vijim nga një kuadër i ri ligjor që aktualisht është në fazë konsultimi. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar një vendim lidhur me kërkesat që duhet të plotësohen për menaxhimin e këtyre mbetjeve që aktualisht rregulloren me një rregullore të vitit 2010. Projektvendimi saktëson fillimisht detyrimet që kanë prodhuesit e mbetjeve spitalore çka i bën ata përgjegjës për grumbullimin e veçantë të tyre, ambalazhimin, etiketimin dhe magazinimin si dhe transportin së bashku me trajtimin dhe asgjësimin e tyre. I njëjti vendim përcakton se duhet të merren masa të sigurisë së personelit, përpilimin e një plani menaxhimi, mbajtjen e një regjistri për mbetjet e prodhuara dhe trajtuara dhe në fund edhe shpenzimet menaxheriale dhe dëmet që mund të shkaktohen nga ky aktivitet.
Me projektvendimin e ri çdo prodhues i madh i mbetjeve spitalore duhet të regjistrohet në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Po kështu çdo prodhues i mbetjeve spitalore duhet të njoftojë me shkrim Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, brenda 30 ditësh, në rast ndryshimesh në strukturën e pronësisë, emërtimin, vendndodhjen, mënyrën e veprimtarisë ose për ndonjë ndryshim në veprimtarinë e tij, që mund të ketë ndikim në llojin dhe sasinë e mbetjeve spitalore të krijuara.
Drafti i vendimit që është në fazë konsultimi parashikon në një pjesë të tretë të tij të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për menaxhimin e mbetjeve spitalore. Në total kjo përfshin tetë pika që nis me detajet e kontaktit të personave përgjegjës për menaxhimin e mbetjeve përshkrimin e përgjithshëm të mbetjeve që prodhohen siguria dhe trajnimi i personelit procedurat e emergjencës apo masat që merren për zbatimin tërësor të planit. Plani i menaxhimit duhet të rishikohet jo më vonë se çdo tre vjet.
Një tjetër element është ai i ndarjes në burim të mbetjeve të rrezikshme dhe atyre jo të rrezikshme, ambalazhimi etiketimi dhe magazinimi i përkohshëm. Po kështu përcaktohet qartë se cilat janë metodat e trajnimet të mbetjeve që detajohen në një shtojcë të veçantë.
Referuar kësaj pike tre janë mënyrat e trajtimit të mbetjeve spitalore sipas projektvendimit:
a) Dezinfektimi: është teknologjia më e përdorur për mbetjet infektive dhe konsiston në reduktimin ose eliminimin e mikroorganizmave që shkaktojnë sëmundje (patogjenët) për të minimizuar mundësinë për transmetimin e sëmundjes. Llojet e kimikateve të përdorura për dezinfektimin e mbetjeve spitalore janë kryesisht kompozimet e klorit, aldehidet, pluhurat ose solucionet me bazë gëlqere, gaz ozoni, kripërat e amonit dhe kompozimet fenolike.
b) Sterilizimi: është përcaktuar si shkatërrimi i të gjithë jetës mikrobike dhe realizohet nëpërmjet autoklavimit/hidroklavimit ose mikrovalëve. Sterilizimi duhet të bëhet me avull në temperaturë jo më të vogël se 130°C dhe në presion jo më të vogël se 1.1 bar.
c) Incinerim: është procesi i oksidimit të thatë dhe i temperaturës së lartë që kthen mbetjet organike dhe të djegshme në lëndë inorganike dhe të padjegshme dhe që rezulton në një reduktim të ndjeshëm të vëllimit dhe peshës së mbetjeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.