Flet Luca Busi, president i Coca-Cola Bottling Shqipëri, CCBS
Në vitin 2020, mbyllja e ekonomisë uli konsumin e pijes freskuese Coca-Cola në sektorin HoReCa rreth 48%, ndërsa në supermarkete, shitjet u rritën 4%. Presidenti i kompanisë Coca-Cola Bottling Shqipëri, z. Luca Busi, thotë për “Monitor” se për 2021, rikuperimi i konsumit ishte shumë i shpejtë dhe ky vit parashikohet të mbyllet me rritje të shitjeve 16% krahasuar me 2020. Për t’u përshtatur me realitetin e ri, kompania ka rritur investimet për shërbimin delivery. CEO i Coca-Cola Bottling Shqipëri, shton se edhe nëse do të ketë një valë të re të pandemisë nuk pritet të ketë rënie të shitjeve, për shkak të fleksibilitetit të kompanisë për t’u përshtatur me rregullat e reja të shitjes në pandemi.
Si ka qenë ecuria e aktivitetit të kompanisë suaj?
Pothuajse tridhjetë vjet më parë ishte një zgjedhje vërtet guximtare sipërmarrëse investimi në Shqipëri, një vend i provuar nga diktatura, me një ekonomi zero dhe një identitet politik, kulturor dhe social për t’u rindërtuar, ishte një bast i plotë i të panjohurave, një faqe bosh për të shkruar tërësisht.
Ishte viti 1994 dhe Coca-Cola Bottling Shqipëria (CCBS) po merrte hapat e parë në rrugët e Tiranës, duke u përpjekur të ndërtonte një model biznesi novator, duke u përpjekur të nxirrte logjikën e vjetër dhe sistemet e vjetruara, për t’i sjellë vlerë një vendi unik sa i përket gjeografisë së tij dhe vendndodhjes, për inteligjencën, gjallërinë dhe elasticitetin e burimeve të tij.
Me një kërcim kohor që na projekton drejt së tashmes, sot CCBS – e cila prodhon shishet dhe zhvillon të gjitha produktet e The Coca Cola Company në Shqipëri – është rezultat i asaj zgjedhjeje dhe asaj nisme të diktuar nga dëshira për të ndërtuar një rrugë me qytetarët shqiptarë, transformimin e një prej kompanive më të rëndësishme globale në një biznes familjar nisur nga km 0, gati për të dhënë përgjigjet e duhura për pritjet e konsumatorëve.
Një realitet që me 354 punonjësit e tij sot drejton ekonominë, forcon sinergjitë me institucionet, shumëfishon bashkëpunimet me zinxhirin e furnizimit, duke përfaqësuar përsosmërinë në skenën ndërkombëtare. Një kompani që ka zgjeruar portofolin e saj të prodhimit dhe produkteve, duke investuar në marka të tjera dhe duke ndërtuar një ekosistem rreth të cilit gravitojnë shumë NVM vendase. Sot mund të themi se jemi vërtet krenarë që kemi kontribuar në përparimin e vendit.
Si është kërkesa për pije freskuese në raport me 2020, qe ishte vit pandemik, dhe krahasuar me 2019, periudha para pandemisë?
2020, viti i emergjencës së pandemisë, na ka vendosur para një muri shumë të lartë, i cili në mënyrë efektive ka bllokuar dhe kushtëzuar ekonominë botërore. Natyrisht, tendenca e blerjeve, rritja e kostove të lëndëve të para, zbatimi i masave rigoroze dhe kufizuese kanë diktuar tkurrje të kërkesës dhe rrjedhimisht, edhe në qarkullimin e CCBS, duke regjistruar një shifër -10.8% vitin e kaluar. Një vit më parë, në vitin 2019, ne patëm një rritje të vëllimeve me një tendencë rritjeje neto 8% në krahasim me vitin 2018.
Pra, ne e kapitalizuam strategjikisht këtë përfitim, duke u përpjekur të përballojmë krizën financiare dhe sociale në mënyrën më të mirë të mundshme, me një vëmendje të veçantë ndaj punonjësve dhe familjeve të tyre. Jo vetëm që kemi rezistuar fuqishëm, jo vetëm që kemi vazhduar të investojmë në frontin mjedisor, por gjithashtu kemi kontribuar me një donacion prej 49 mijë eurosh nga CCBS dhe 32 mijë euro nga Uji i Ftohtë Tepelenë, në mbështetje të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, departamenti i sëmundjeve infektive.
Kjo periudhë kritike dhe komplekse është ende në vazhdim dhe jam i sigurt, do të ndikojë edhe gjatë 2021. Ne jemi të sigurt se, falë forcës dhe stabilitetit të kompanisë sonë, do të jemi në gjendje të kapërcejmë të gjitha vështirësitë e diktuara nga urgjenca.
Cila është tendenca e konsumit, ku janë shitjet më të larta në supermarkete dhe dyqane apo në bare, restorante dhe hotele?
Coca-Cola ka qenë gjithmonë një pije me kërkesë të madhe në të gjitha kanalet e shitjes, por padyshim që përdorimet, zakonet dhe konsumi ndryshuan gjatë pandemisë. Në fakt, në vitin 2020, në supermarkete dhe dyqane tradicionale kemi regjistruar një rritje të shitjeve prej 4,1% në krahasim me vitin 2019; ndërsa sektori HoReCa, më i prekur nga bllokimi dhe masat e kontrollit të Covid-19, shkaktoi një rënie të shitjeve prej 48,3%. CCBS ishte në gjendje të përshtatet shpejt me kërkesat e tregut, duke qenë gjithmonë gati dhe duke riformuar vëllimet, kanalet dhe formatet e shpërndarjes, bazuar në variacionet e diktuara nga kërkesa e konsumatorëve tanë.
Cilat janë parashikimet për ecurinë e shitjeve, nëse do të ketë një valë të re të pandemisë në shtator; Si pritet të ndikojë?
Shpresojmë sigurisht, para së gjithash, me bllokimin e kësaj urgjence shëndetësore, e cila e ka shtyrë të gjithë botën drejt skenarëve të paimagjinueshëm për ruajtjen e aspektit ekonomik, mirëqenien dhe shëndetin e familjeve tona, punonjësve tanë, konsumatorëve tanë. Për sa i përket performancës së biznesit, ne jemi të vetëdijshëm për faktin se Coca-Cola është një markë e dashur nga konsumatorët, pasi investon vazhdimisht për të siguruar risi në treg, nëpërmjet teknologjive të reja, duke pasur gjithmonë një ndikim pozitiv në tregje. Sipas parashikimeve të zyrave tona financiare, CCBS duhet të mbyllet këtë vit me +16.4% në krahasim me vitin 2020.
Cilat janë problematikat që po has aktualisht sektori?
CCBS ka kërkuar gjithmonë dialog dhe konvergjencë përballë çështjeve ose vështirësive kritike, me bindjen se, duke bashkuar forcat, është e mundur të kapërcehet çdo pengesë. Në fakt, shumë probleme janë zgjidhur me kalimin e kohës falë kontributit tonë dhe mbështetjes së paçmuar të The Coca-Cola Company, një model suksesi që është unik në nivel global. Sot, duke reflektuar mbi një pasqyrë të pengesave që pengojnë rrugën e rritjes dhe zhvillimit, me siguri ekziston “Ligji mbi Fiskalizimin”, i cili hyri në fuqi më 1 korrik 2021.
Ka ende shumë pasiguri që lidhen me zbatimin efektiv të tij, për shkak të procedurave të paqarta të funksionimit, të cilat zbulojnë mangësi në dispozitat ligjore të reformës dhe në udhëzimet teknike dhe operacionale. Qeveria nuk ka kryer trajnime të përshtatshme, nuk ka dhënë përgjigje të sakta për çështjet kritike të ngritura dhe nuk ka informuar në mënyrën e duhur operatorët.
Për më tepër, procesi shoqërohet me kosto të larta fillestare të instalimit dhe mirëmbajtjes, por edhe me personel shtesë, dhe kjo krijon shumë shqetësime për klientët tanë fundorë. Një problem tjetër lidhet me konkurrencën e padrejtë: CCBS është prodhuesi dhe shpërndarësi i vetëm i autorizuar nga “The Coca-Cola Company” për tregun shqiptar, por pavarësisht kësaj, për më shumë se dy vjet ka pasur produkte të markës Coca-Cola nga Shtete të tjera.
Ne kontaktuam institucione të ndryshme shtetërore dhe vendore për të bllokuar hyrjen e paautorizuar të produkteve të huaja. Prandaj, ne besojmë se zbatimi i ligjeve në fuqi është i rëndësishëm për të parandaluar fenomenet që ngatërrojnë konsumatorët dhe bllokojnë ata që veprojnë në mënyrë transparente dhe në përputhje të plotë me ligjin. Së fundi, ka edhe çështje kritike në sektorët e mjedisit në të cilët CCBS është angazhuar dhe ka investuar shumë: thjesht mendoni për menaxhimin e veçantë të mbeturinave dhe mungesën e infrastrukturës për qarkullimin e automjeteve elektrike.
Ne do të kontribuojmë, siç po bëjmë, jo vetëm në instalimin e stacioneve elektrike, por edhe në nxitjen e institucioneve, për të filluar një rrugë të re të stimujve dhe mbështetjes së qeverisë në favor të zhvillimit të një ekonomie. Duke mos qenë ende pjesë e vendeve të Komunitetit Europian, nuk është e mundur që ne të kemi qasje në fondet europiane të destinuara për projekte të gjelbra: ne duhet të përhapim kulturën e qëndrueshmërisë dhe të bëhemi shembull për të gjithë, përmes një bashkëpunimi publik / privat, qytetarë dhe institucione së bashku.
Çfarë zgjidhjesh rekomandoni?
Vetëm vullneti i mirë për të bërë gjërat siç duhet, në kohën e duhur dhe në mbështetje të produkteve dhe kompanive vendore që operojnë në Shqipëri. Ne duhet të eksportojmë vlerën e vendit nga pikëpamja ekonomike dhe e punësimit: një territor i pasur që vazhdon të ndjekë me përsosmëri një trend të rritjes konstante dhe i cili, jam i sigurt, bën një diferencë shumë të madhe në zhvillim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.