Masat lehtësuese që qeveria shqiptare ka marrë, prekin edhe procesin e riatdhesimit.
Duke filluar nga e hëna e 4 majit, të gjithë shqiptarët që do të riatdhesohen në Shqipëri duhet të aksesojnë direkt faqen e Air Albania për të kryer rezervimin e biletës dhe për t’u rikthyer në atdhe.
“Gjatë këtij procesi ju duhet të deklaroni adresën tuaj të banimit, pasi të gjithë ata qytetarë, të cilët banojnë në zona të deklaruara të gjelbërta nga Ministria e Shëndetësisë, do të duhet të karantinohen 14 ditë në hotelet e përshtatura si struktura karantinuese COVID-19”.
Ndërkohë të gjithë qytetarët të cilët banojnë në zonat e shpallura si zona të kuqe do të vetëkrantinohen në banesat e tyre me përgjegjësi të plotë dhe të monitoruar nga policia e shtetit.
“Për t’u qartësuar më tej, secili nga qytetarët që do aplikojë për një biletë, duhet të deklarojë me përgjegjësi të plotë ligjore vendbanimin e tij, pra nuk është më i nevojshëm prenotimi i hotelit në fillim, pasi banorët e zonave të gjelbërta që do të riatdhesohen do të klasifikohen për karantinë menjëherë pas rezervimit të biletës.
Gjatë udhëtimit tuaj në bordin e Air Albania ju do të keni një formular. Ky formular quhet formulari i vetëdeklarimit ku me përgjegjësi të plotë ligjore do të shkruani edhe një herë adresën tuaj të banimit dhe më pas do duhet ta firmosni.
Më duhet t’ju kujtoj se ky formular ju ngarkon juve me përgjegjësi ligjore dhe në rast deklarimi të rremë do të aplikohen masa penale sipas ligjeve në fuqi. Policia e Shtetit do të monitorojë të gjithë procesin nga momenti i mbërritjes tuaj në aeroportin e Rinasit”.
Udhëtarët e riatdhesuar do të ndahen në dy grupe në aeroport. Banorët e zonave të gjelbërta do të dërgohen me autobusët e vënë në dispozicion në strukturat karantinuese. Ata ashtu si dhe në rastet e mëparshme do të duhet të mbulojnë vetëm shpenzimet ushqimore, prej 7 euro në ditë ndërsa shuma prej 14 eurosh që korrespondon me akomodimin dhe shërbimet do të mbulohet nga shtetit shqiptar.
Banorët e zonave të kuqe do të udhëtojnë drejt banesave të tyre për t’u vetëkarantinur së bashku me të gjithë familjen për 14 ditët e ardhshme. Në rast se dikush nga banorët e zonave të kuqe dëshiron të karantinohet në hotel për të mos penguar vazhdimësinë me kushtet e lehtësuara tashmë për familjen e tij, mjafton ta deklarojë këtë në formularin që do të plotësojë në avion ose gjatë procesit të rezervimit të biletës.
Nga data 18 prill, janë akomoduar në vend më shumë se 2500 qytetarë shqiptare nga mbarë bota.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Pse kush vjen me rruge Tokesore nga Greqia nuk perfiton?