Do të duhen të kalojnë disa javë derisa rezultatet e zgjedhjeve europiane të hyjnë në fuqi; Parlamenti i ri nuk do të mblidhet deri në korrik, shkruan The Economist.
Ndërsa në disa shtete të tjera duket sikur ngjarjet rrjedhin me një shpejtësi më të madhe. Vetëm pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, një kancelar u detyrua të largohej nga zyra e tij, diku tjetër u zhvilluan zgjedhjet e menjëhershme, një lider de facto u dërgua prapa hekurave dhe liderët e disa partive u lanë që të luftonin për të mbijetuar.
Partia në pushtet, Bashkimi Kristian Demokratik (CDU) dhe aleati i saj bavarez u renditën të parat në Gjermani, edhe pse me një rezultat rekord të ulët prej 29%. Partia e Gjelbër u rendit në vend të dytë, me mbi 20% të votave. Humbësit më të mëdhenj ishin Social Demokratët (SPD), të cilët arritën rezultatin e dobët prej 16%, duke u renditur për herë të parë, pas Partisë së Gjelbër.
SPD humbi gjithashtu edhe zgjedhjet rajonale në qytetin e vogël të Bremenit, për herë të parë në më shumë se 70 vjet. Ndërsa sa i takon partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, rezultatet e zgjedhjeve europiane ishin të përziera: në krahasim me zgjedhjet europiane të 2014, ajo arriti një rezultat rreth 11% më të lartë, por njëkohësisht edhe një rezultat shumë më të keq në krahasim me zgjedhjet e përgjithshme gjermane në 2017. Në dy shtete të Gjermanisë Lindore, kjo parti (AfD) madje e kaloi edhe partinë CDU duke u renditur e para. Koalicioni i Gjermanisë, edhe pse po kalon një situatë shumë të vështirë, nuk është copëtuar ende. Por ajo çka dallohet qartazi, është se në mesin e partive në pushtet, ka një ndjesi frike.
Andrea Nahles, liderja e përkushtuar e SPD-së, ka vendosur të largojë nga partia e saj çdo anëtar që ajo e konsideron si armik të brendshëm. Ndërsa Annegret Kramp-Karrenbauer, liderja e CDU-së, menjëherë pas videos së publikuar online në YouTube (ku vlogerja Rezo akuzon koalicionin qeverisës se ai është përgjegjës për shkatërrimin e planetit për gjeneratat e ardhshme, për shkak se nuk po i kushton vëmendjen e duhur çështjeve klimatike dhe stabilitetit ekonomik) ka thënë se duhen marrë masa për çdo opinion të shprehur online sidomos gjatë fushatave elektorale. Kjo nuk mjafton për të fituar besimin e plotë brenda partisë së saj, sepse të shumtë janë anëtarët brenda partisë së DCU-së, që vënë në dyshim faktin nëse AKK (akronimi për Annegret Kramp-Karrenbauer) do të jetë e aftë të pasojë Angela Merkel, sidomos edhe pas gafave të shumta që ajo ka bërë së fundmi.
Në Itali, rezultatet e zgjedhjeve europiane u shoqëruan me ndryshime të shumta. Liga e Veriut e Matteo Salvinit i dyfishoi rezultatet e saj në krahasim me zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, duke shkuar në 34% të votave. Lëvizja Pesë Yjet pati një humbje të lartë duke rënë nga 32 në 17%. Ndërsa Partia Demokratike e Qendrës së Majtë të opozitës u rendit në vend të dytë, me 23% të votave. Triumfi i Ligës mund ta çojë Zëvendëskryeministrin Salvini, të thërrasë zgjedhje të menjëhershme dhe ta drejtojë Lëvizjen Pesë Yjet në favor të një koalicioni me partitë e tjera të krahut të djathtë.
Por pas rezultatit triumfues, z. Salvini tha se besnikëria e tij ndaj marrëveshjes ekzistuese nuk ka pse të vihet në diskutim. Dyshimet më të mëdha bien mbi Partinë Lëvizja Pesë Yjet, e cila ka hezituar të bashkohet me disa prej vendimeve të Ligës së Veriut, si për shembull në drejtim të kontrolleve mbi emigracionin, skemave të infrastrukturës dhe dhënies së një autonomie më të madhe për veriun e pasur të Italisë. Alarmant për Brukselin, ishte momenti kur z. Salvini u shpreh se do të përpiqej që të nxiste shkurtimin e taksave. Italia tashmë rrezikon të kapërcejë kufijtë e deficitit buxhetor të Eurozonës dhe prandaj Komisioni Europian thuhet se po përgatitet të fillojë procedimet disiplinore ndaj saj. Por si një sfidues i vërtetë, z. Salvini është shprehur se një prej arsyeve kryesore se përse populli ia dha partisë së tij votën është që të rishikohen dhe të ndryshohen të gjithë parametrat e vjetruar.
Ndërsa në Austri, gëzimi për kreun e Partisë Popullore Konservatore, nga rezultatet pozitive të zgjedhjeve zgjati shumë pak. Më 18 maj, Sebastian Kurz, lideri i Partisë Popullore Konservatore (öVP), e prishi koalicionin e tij me Partinë e Lirisë së Ekstremit të Djathtë për shkak se lideri i kësaj të fundit, Heinz-Christian Strache, shfaqet në një video ku i ofron kontrata qeveritare një gruaje që kishte lidhje me oligarkët rusë në këmbim të mbështetjes elektorale.
Ndoshta duke përfituar edhe nga masat që mori kundrejt një prej liderëve të partisë me të cilin ai ishte në koalicion si pasojë e skandalit të disa ditëve më parë, partia e z. Kurz, fitoi një rekord prej 35% të votave në zgjedhjet europiane, rreth 8% më shumë në krahasim me zgjedhjet europiane të vitit 2014. Por, ashtu siç u tha edhe pak më sipër, gëzimi i rezultateve pozitive të zgjedhjeve, zgjati shumë pak për z. Kurz, i cili u shkarkua nga një votim mosbesimi. Një qeveri kujdestare do të marrë detyrën deri në zgjedhjet e shtatorit, në të cilën z. Kurz shpreson se do të rifitojë pozitat e tij.
Emmanuel Macron, Presidenti francez, me siguri është zhgënjyer nga rezultati negativ i zgjedhjeve të sivjetshme europiane, ku partia e tij humbi ndaj asaj të Lidhjes Kombëtare (dikur njihej si Fronti Kombëtar) të Marine Le Pen, e cila mori 23% të votave. Megjithatë rezultatet e zgjedhjeve nuk ishin aq të këqija sesa priteshin.
Pavarësisht, 28 javëve të protestave të jelekëverdhëve dhe përpjekjeve të vazhdueshme të znj. Le Pen për t’i kthyer zgjedhjet në një referendum, ajo nuk u shkëput me shumë pikë diferencë nga partia e z. Macron, por diferencën e bëri vetëm një pikë përqindjeje (23.31% ndaj 22.41%).
Partia Lidhja Kombëtare e znj. Le Pen shënoi gjithashtu rezultate më të ulëta në krahasim me ato të vitit 2014. Surpriza më e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte rezultati i Partisë së Gjelbër në Francë, e cila mori 13% të votave. Një prej gjërave kryesore që z. Macron do të kërkojë të bëjë tani është që të forcojë pozitat e tij. Ai premton se politikëbërja do të jetë më “njerëzore” dhe se do t’i kushtohet më shumë rëndësi reformave të pensioneve, përfitimeve të të papunëve dhe sektorit publik. Nacionalistët luftuan kundër socialistëve kryesisht në shtete të tilla si Suedia dhe Danimarka.
Në Holandë, Partia Laburiste siguroi një fitore të papritur dhe me rezultate të larta nën drejtimin e Frans Timmermans, i cili zhvilloi një fushatë shumë energjike dhe që është njëkohësisht edhe një prej kandidatëve për të marrë drejtimin e Komisionit Europian.
Në Poloni, partia qeverisëse populiste Ligj dhe Drejtësi (PiS) fitoi 45% të votave, duke u mirëpozicionuar për të fituar zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen në shtator. Koalicioni Europian, një grup prej pesë partish opozitare, i drejtuar nga Platforma Qytetare (PO), do ta këtë shumë të vështirë për të qëndruar e bashkuar, pas rezultatit të dobët prej 38.30% të votave.
Me partitë e tjera në telashe, rivaliteti PiS-PO do të vazhdojë të dominojë politikën polake. Por partia PiS, nën udhëheqjen e Jaroslaw Kaczynskit, i cili po tregohet bujar me njerëzit e tij, duke bërë bamirësi të shumta dhe duke u prezantuar nëpërmjet sloganeve popullore, duket se do të vazhdojë t’i ruajë pozitat e saj të forta qeverisëse, sidomos ndaj partisë PO e cila nuk është aspak e qartë në axhendën e saj.
Në Rumani, këto zgjedhje rezultuan të ishin të tmerrshme për kreun e Social Demokratëve në pushtet (PSD) Liviu Dragnea, i cili fitoi vetëm 23% të votave. Rreth 80% e rumunëve mbështetën një referendum që kundërshtonte reformat gjyqësore të kësaj qeverie, e cila konsiderohet si një prej më të korruptuarave.
Vetëm një ditë pas këtyre protestave, z. Dragnea, u shpreh se do të reduktonte penalitetet ndaj veprimeve të ndryshme korruptive, gjë që shkaktoi protesta edhe më të mëdha në vend dhe që rezultoi jo vetëm me shkarkimin e tij nga detyra, por edhe me burgimin për tre vjet si pasojë e shpërdorimit të detyrës. Me siguri që karriera e z. Dragnea ka marrë fund dhe opozita do të kërkojë të largojë të gjithë anëtarët e partisë së tij nga drejtimi i shtetit.
Suksesi i partive të qendrës ishte modest në Europën Qendrore. Në Sllovaki, një koalicion i mbështetur nga Zuzana Caputova, një liberale që fitoi zgjedhjet presidenciale të marsit, u rendit në vend të parë. Edhe pse partia Fidesz e Viktor Orbanit në Hungari fitoi mbi 50% të votave, dy parti të vogla të opozitës arritën rezultate më të larta sesa pritej. Përveç deputetëve, spanjollët zgjodhën edhe 12 qeveri rajonale dhe 8,131 kryetarë komunash. Një muaj pasi fituan zgjedhjet e përgjithshme, socialistët e Pedro Sánchez fituan 33% të votave në zgjedhjet europiane, duke bërë që ata të jenë partia më e madhe në vend.
Partia popullore e Pablo Casado mori 20% të votave. Partia e qendrës së djathtë Ciudadanos, mori 12% të votave. Dy katalanasit separatistë Carles Puigdemont dhe Oriol Junqueras fituan dy vende në Parlament, por për shkak të problemeve me ligjin, me shumë mundësi atyre mund t’u refuzohet kjo fitore. Por z. Sánchez ende i duhet shumë punë që të rindërtojë një shumicë parlamentare në javët në vazhdim. Ndërsa në Greqi, Alexis Tsipras, Kryeministri grek, bëri thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve të menjëhershme në korrik, pasi partia e tij e majtë Syriza (24% e votave) pësoi një humbje dërrmuese ndaj Partisë Demokracia e Re (33% e votave) (ND) e qendrës së djathtë.