Aktiviteti i noterëve, në zbatim të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, do të inspektohet nga Ministria e Drejtësisë sipas metodologjisë të re të botuar në Fletoren Zyrtare.
Urdhri i Ministres së Drejtësisë “Për miratimin e standardeve dhe metodologjisë së inspektimit të veprimtarisë së noterëve”, përfshin inspektime të rregullta në vend për të gjitha aktet noteriale, si dhe çdo dokumentacion tjetër të aktiviteteve noteriale.
Po ashtu, në zyrat noteriale do të kryhen inspektime të posaçme, me tematika të përgjithshme ose të veçanta, në rastet kur e sheh të nevojshme Ministria e Drejtësisë. Çdo zyrë noteriale do të inspektohet me intervale të rregullta, por jo më pak se çdo katër vjet. Noteri i emëruar ose i transferuar rishtazi i nënshtrohet inspektimit brenda dy vjetëve nga emërimi ose transferimi i tij.
Sipas metodologjisë të re, Ministri i Drejtësisë do të miratojë një program vjetor të inspektimit të noterëve që do të zbatohet në dy faza: nëpërmjet kërkesë paraprake për përgatitjen e dokumenteve që do të inspektohet dhe vizitës në terren.
Zyrat noteriale për vizitën në terren duhet të përgatisin një sërë dokumentesh për inspektorët. Nëse nga noterët kundërshtohen dorëzimi i dokumenteve të kërkuara, në urdhrin e ministrisë të Drejtësisë kjo jo vetëm konsiderohet gabim profesional, por do të shënohet edhe në procesverbalin e inspektimit.
Dokumentet e kërkuara
Faza e parë e inspektimit: kërkesa paraprake
Faza e dytë e inspektimit: vizita në terren
-Kontrolli i veprimtarisë profesionale duke iu referuar veprimeve noteriale të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët në fuqi për përcaktimin e tarifave
-Kontrata porosie për pasuri të paluajtshme
-Kontrata shkëmbimi për pasuri të paluajtshme
-Kontrata për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme nën regjimin pasuror martesor
-Kontrata të shitblerjes së automjete
-Dëshmi të trashëgimisë të lëshuara nga noteri
-Akte noteriale ku janë kryer ndreqje gabimesh nga noteri
-Regjistri i përgjithshëm i akteve dhe i veprimeve noterialeIdem
-Regjistri i testamenteve
Kontrolli i menaxhimit të zyrës
Kontratë qiraje ose tituj pronësie të ambienteve të zyrës noteriale
Kontratë punësimi e çdo punonjësi
Deklarimi i të ardhurave (viti 2)
Vërtetim i pagesës së tatimit mbi të ardhura (viti 1)
Vërtetim i pagesës së TVSH-së(viti 1)
Vërtetim i pagesës së sigurimeve shoqërore (viti 1)
Vërtetim i pagesës së sigurimeve shëndetësore (viti 1)
Vërtetim nga organi profesional i pagesës së kuotës (viti 1)
Vërtetim i pagesës së tarifës së trajnimit (viti 1)
Certifikatë e kryerjes së trajnimit të vazhdueshëm
Vërtetim për sigurimin e përgjegjësisë profesionale
Policë sigurimi për ambientet e zyrës
Tipologjitë e pastrimit të parave në fushën e noterisë
Për t’i ofruar inspektorit dhe noterit që inspektohet një udhëzim mbi cilat situata përdoren posaçërisht për realizimin e transaksioneve përkatëse për pastrimin e parave, më poshtë gjeni shembull ilustrues, si dhe një listë të treguesve klasikë, të cilët nuk janë shterues, por dinamik
Shembull 1
Një noter pranon transferta në llogarinë e tij të veçantë nga një blerës në lidhje me një transaksion blerje. Pas dështimit të blerjes, noteri duhet t’i kthejë fondet e derdhura një personi të tretë, i cili është me banim në një shtet të konsideruar me risk të lartë. Sqarim: Kalimi i pagesës te një i tretë i shërben mbulimit të rrugës së pagesës. Ndërprerja e veprimit juridik synon të mundësojë, devijimin lirisht të kalimit të shumës.
Nëse bëhet fjalë për vlera pasurore të paligjshme, me të cilat do të paguhet çmimi i blerjes, hetimet e organeve të ndjekjes penale do të pamundësoheshin eventualisht për shkak të detyrimit të noterit për të ruajtur konfidencialitetin. “Devijimi” i pagesës te palët e treta nga noteri nuk do të mund të konstatohej dhe në këtë mënyrë gjurmimi do të ndërpritej. Sinjal alarmi: Veprimi juridik ndërpritet pa një shkak të kuptueshëm, përfshihen palë që nuk janë palë pjesëmarrëse, pa ndonjë shkak të dukshëm, pagesa në shtete të pasigurta.
Shembull 2
Në vend të blerësit që duhet të bëjë pagesën në llogarinë e veçantë, këtë e bën një i tretë, mundshëm një shoqëri ose ent, i cili nuk ka ndonjë lidhje të dukshme me blerësin ose sendin e blerë, nga një shtet i tretë i konsideruar me risk.
Sqarim: Gjurmimi ndërpritet nëpërmjet pagesës, pasi nuk ekziston ndonjë lidhje të dukshme ndërmjet vlerës pasurore dhe personit që ka bërë pagesën dhe detyrimi i noterit për të ruajtur konfidencialitetin e vështirëson hetimin e personave të përfshirë faktikisht. Sinjal alarmi: Përfshihen pa ndonjë shkak të dukshëm palë të treta që nuk janë pjesëmarrëse, pagesa nga një shtet me risk të lartë korrupsioni ose legjislacion të mangët për pastrimin e parave. Transaksionet me pasuri të paluajtshme.
Shembull 3
Një shtetas i huaj e paguan çmimin e blerjes me para në dorë para se të dokumentohet kontrata e blerjes. Ai pretendon që nuk mund të hapë llogari bankare në atë vend. Pas raportimit të dyshimit të noterit belg doli që blerësi ka një llogari bankare në Belgjikë, merr ndihmë sociale atje dhe është i njohur për tregtim të sendeve të vjedhura.
Sqarim: Pagesa me para në dorë është një shembull klasik i pastrimit të parave, dhe kjo i shërben fillimisht të ashtuquajturit “Placement”, që nënkupton konvertimin e vlerës së parasë në vlera pasurore më pak të dukshme e të gjurmueshme. Më tej, pagesa me para në dorë nuk lë shenja të drejtpërdrejta dhe në këtë mënyrë është rruga më e mirë për mbulimin. Blerja e trojeve është tepër tërheqëse për pastrimin e parave, pasi pasuritë e paluajtshme janë tepër të qëndrueshme në vlerë dhe konsiderohen të padukshme, edhe nëse këtu regjistrohen pronarët.
Sinjal alarmi: Veprimet me shuma në para në dorë konsiderohet në përgjithësi si të dyshimta për shkaqet e përmendura më lart dhe duhet të bëhet hetimi përkatës për shkaqet detyruese. Përveç kësaj është edhe sjellja e pazakontë e blerësit, i cili paguan para dokumentimit të kontratës së blerjes. Nëse noteri ka edhe të dhëna në lidhje me situatën pasurore të blerësit, të cilat nuk përshtaten me veprimin juridik, këtu ekziston edhe një kriter tjetër risku.
Shembull 4
Një kopshtar që sapo ka kaluar të njëzetat bleu disa prona të paluajtshme. Ai deklaroi që ai blerjet i financonte nga shitja e pasurive të mëparshme dhe paraqiste edhe vërtetime bankare. Pak më vonë, ky person ia shiti pronën e paluajtshme një të njohuri të tij me moshë të njëjtë dhe me një përvojë profesionale të ngjashme me një çmim më të lartë. Në të vërtetë, mjetet financiare për blerjen e pasurive të paluajtshme u siguruan nga vepra penale e mashtrimit financiar të kryer nga palët e përfshira.
Sqarim: Veprimet juridike në lidhje me pasuritë e paluajtshme i shërbejnë fshehjes së origjinës kriminale të sendeve pasurore që përdoren për blerjen. Blerja dhe shitja e shpejtë e pasurive të paluajtshme synon vështirësimin e gjurmimit nëpërmjet numrit të transaksioneve dhe zgjatjen e gjurmës në një proces që quhet Layering.
Zgjatja e gjurmës së dokumenteve rrit riskun që kjo gjurmë të humbasë nga organet e ndjekjes penale gjatë hetimit. Sinjal alarmi: Profesioni nuk përputhet me veprimet juridike të kryera dhe mosha e klientit dhe të partnerit të tij në biznes, numri dhe frekuenca e veprimeve juridike me pasuritë e paluajtshme janë jotipike për këtë veprim juridik me pasuri paluajtshme
Shembulli 5
Shitësi i shet një truall me një çmim blerje të lartë blerësit. Noteri vihet në dijeni që shitësi një pjesë të çmimit të blerjes do ta transferojë pas përfundimit në një llogari të tretë të blerësit. Sqarim. Pagesa: nuk i shërben vetëm blerjes së truallit, por edhe mbulimit të shkaqeve të vërteta të fluksit të pagesës.
Për situata të tilla mund të ketë shkaqe të ndryshme, të cilat mund të jenë të lidhura ngushtë me fshehjen e rrugës së pagesës ose të burimeve të pagesës (për shembull, përfshirja në korrupsion aktiv dhe korrupsion pasiv etj.) në një proces që njihet si “Kick-back”.Sinjal alarmi: Veprimi juridik nuk është me fitim –për shembull, duke marrë parasysh tarifat e noterëve dhe tatimin mbi fitimin për pronën e paluajtshme –dhe për këtë duhet të hetohet. E drejta e shoqërive
Shembull 6
Ortaku i vetëm i një sh.p.k.-je i shet disa aksione një shoqërie holandeze BV1, menaxheri i së cilës është BV2. BV2, nga ana tjetër, përfaqësohet nga BV3, ndërsa BV3 nga një person fizik X. Nga regjistri tregtar nuk është e qartë se kush qëndron financiarisht pas BV-së. X-i nuk paraqitet para noterit vendës, por jep miratimin nëpërmjet një dokumenti privat. Sqarim: Anonimiteti i X-it, i cili ruhet edhe gjatë veprimit juridik në distancë, nuk i shërben drejtpërdrejt fshehjes së rrugës së pagesës, por të pronarit të pasurisë.
Organet e ndjekjes penale mund të ndjekin gjurmën dokumentare, por personi i panjohur, që përfiton të drejtën ekonomike, do të ishte i mbrojtur ndaj ndjekjes penale, për sa kohë ai nuk mund të identifikohet. Sinjal alarmi: Pamundësia për të identifikuar personin që merr aksionet është një faktor risku, pasi në rastin e anonimitetit të përfituesit nga transaksionet financiare, bëhet fjalë për mjetin më efektiv të fshehjes së të ardhurave dhe të pengimit të ndjekjes penale./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.