Si do të rregullohet profesioni i kontabilistit

27/08/2019 1:11 PM 1 koment

Intervistë me Aldo Spahiun, drejtor ekzekutiv i Bordit të Mbikëqyrjes Publike

 

Bordi i Mbikëqyrjes Publike, një mekanizëm i pavarur, me rol mbrojtjen e interesit të publikut, ka nisur procesin e verifikimit të zbatimit të dispozitave ligjore për çdo subjekt mbajtës të titullit Kontabilist i Miratuar (KM).

“Nëpërmjet këtij procesi, do të bëhet i mundur formalizimi i të gjithë zotëruesve të titullit, qofshin praktikues ose jo praktikues, duke bërë të mundur garantimin e zbatimit të dispozitave ligjore lidhur me detyrimet, që përfshijnë zbatimin e standardeve etike dhe kërkesave të tjera ligjore”, thotë Aldo Spahiu, Drejtor Ekzekutiv i Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP). Në një intervistë për “Monitor”, Spahiu shpjegon procedurat që do të ndiqen në këtë proces.

Spahiu pohon se si nga audituesit ligjorë, ashtu dhe nga kontabilistët e miratuar, kanë pasur kërkesa që të ndërhyhet në rishikimin e tarifave minimale dhe orëve minimale. Ai shton se Bordi i qëndron çdo hapi që garanton cilësinë e punës, por jo duke marrë rol parësor në përcaktimin e tarifave minimale, pasi ato duhet të vijnë natyrshëm përmes bashkëpunimit ndërmjet organizatave profesionale, anëtarësisë së këtyre organizatave, por edhe kërkesave të tregut.

Cili është roli i Bordit të Mbikëqyrjes Publike, si funksionon dhe pse së fundmi është shtuar aktiviteti i tij?

Në fillim, dëshiroj të pasqyroj një historik të shkurtër të krijimit të Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP), i cili daton në vitin 2009, në mbështetje të dispozitave ligjore të ligjit nr. 10091, datë 5.3.2009 “Për Auditimin Ligjor, Organizimin e Profesionit të Audituesit Ligjor dhe të Kontabilistit të Miratuar”, të ndryshuar, me rol kryesor: mbrojtjen e interesit të publikut.

Në të vërtetë, qëllimi i krijimit të BMP, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Bordet e Mbikëqyrjes Publike në vende si SHBA, BE dhe në shtetet e tjera, erdhi si një nevojë për të shmangur dështimet, që rezultuan nga vetërregullimi i profesionit në funksion të mbrojtjes së interesit të publikut, por edhe si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj një numri gjithnjë në rritje të “manipulimeve” të kontabilitetit nga kompanitë publike. Gjatë viteve 2000, si rrjedhojë e një sërë “skandalesh kontabël” të profilit të lartë, që rezultuan në falimentimin e një sërë kompanish me impakt të madh publik, përfshirë edhe ato të vitit 2002 me WorldCom dhe Enron, kjo nevojë u bë imediate.

Siç e përmenda më sipër, përpara krijimit të bordeve të Mbikëqyrjes Publike, profesioni i auditimit ishte i vetërregulluar nëpërmjet organizatave profesionale të profesionistëve kontabël, por duke konsideruar anomalitë e ndodhura, konfliktet e interesit mes strukturave drejtuese që njëkohësisht ishin dhe janë edhe ushtrues të profesionit, si dhe sistemit të rishikimit “peer review”, apo e thënë me një gjuhë të thjeshtë “kontrolli vëllazëror”, ku audituesit angazhoheshin si inspektorë për të kontrolluar punën e audituesve të tjerë, krijuan një rreth vicioz që cenonte jo vetëm procesin e kontrollit të cilësisë, por vetë rolin e mbikëqyrjes.

Edhe në vendin tonë, për të realizuar mbikëqyrjen publike dhe për të siguruar që audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit të jenë subjekt i një sistemi që jep siguri për cilësinë në ligjin organik, është përcaktuar krijimi i Bordit i Mbikëqyrjes Publike, me statusin e një autoriteti rregullator të pavarur sipas dispozitave të parashikuara në nenin 4 të ligjit nr.10091, i ndryshuar, ashtu sikurse shumë institucione homologe në vendet e BE, SHBA apo të tjera vende të zhvilluara, por edhe institucione analoge që kanë për fokus mbikëqyrjen dhe rregullimin e aktiviteteve të ndryshme si p.sh.: Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, të cilat rregullohen përmes ligjeve përkatëse.

Fokusi kryesor i Bordit të Mbikëqyrjes Publike është mbikëqyrja e kryerjes së veprimtarisë së audituesve ligjorë dhe profesionistëve kontabël, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare, me qëllimin final mbrojtjen e interesit të publikut, në mënyrë objektive dhe të pandikuar.
Lidhur me pyetjen tuaj për shtimin e aktivitetit të BMP dëshiroj të theksoj se, përpara ndryshimeve ligjore të ndodhura në vitin 2016, aktiviteti i BMP ka qenë mjaft i kufizuar, pasi BMP kishte burime dhe kapacitete tepër të limituara, për të mos thënë që mungonin, çka e kushtëzonin që aktivitetet e veta të pavarura të kryheshin përmes njërës nga organizatave profesionale në Republikën e Shqipërisë.

Ndryshimet ligjore të bëra nga Qeveria Shqiptare, për realizimin e të cilave ka pasur një mbështetje nga Banka Botërore, por edhe Bashkimi Europian (progres – raporti i BE i këtij viti, në kapitullin e 6, vlerëson pavarësinë dhe rritjen e kapaciteteve të BMP), duke qenë se synonin një përafrim të mëtejshëm të direktivës përkatëse në BE, bënë të mundur një përqasje më të mirë me praktikat e vendeve të zhvilluar të BE, SHBA si dhe vendeve të tjera anëtare të IFIAR (Forumi Ndërkombëtar i Rregullatorëve të Pavarur). Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve ligjore, BMP-së iu krijuan kushtet e nevojshme për të siguruar kapacitetet duhura, me qëllim ushtrimin normalisht të veprimtarisë së vet në mënyrë profesionale dhe të pavarur.

Aktualisht, BMP ka krijuar kapacitetet e nevojshme, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Bankës Botërore nëpërmjet projektit për përmirësimin e cilësisë së raportimit financiar në vend, projekt i financuar nga SECO zvicerane, me qëllim mbështetjen e qeverisë shqiptare për reformimin e fushës së raportimit financiar dhe auditimin.

Mbështetja dhe kapacitetet e shtuara (edhe pse ende jo plotësisht të mjaftueshme), mundësuan që BMP të fillojë kryerjen e aktiviteteve të veta, në mënyrë të pavarur, objektive dhe profesionale. Kjo ka sjellë atë që ju dhe shumë të tjerë e konsideroni si “shtim” aktiviteti, që në fakt nuk është asgjë tjetër, veçse realizimi i detyrave dhe përgjegjësive ligjore, të cilat kanë ekzistuar që prej krijimit të BMP.

Vlen këtu të përmendim, që ky “shtim” aktiviteti ka sjellë reagimet e veta pozitive, por pa diskutim që ka pasur edhe rezistenca nga grupe të caktuara interesi, që bëhen herë pas here të pranishme, me qëllim ruajtjen e status quo-s ekzistuese. Pavarësisht rezistencave të pritshme në situata të tilla, kur status quo duhet të ndryshojë si rrjedhojë e kërkesave ligjore, BMP është treguar e kujdesshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente në qasjen e saj për adresimin e gjithë problematikave të trashëguara dhe përmirësimin e mjedisit përkatës, me qëllim kryesor mbrojtjen e interesit të publikut.

Theksoj se roli i BMP shihet pozitivisht nga pjesa e konsiderueshme e profesionistëve të fushës, të cilët janë ndier të prekur apo të ndikuar nga mungesa e një mbikëqyrje të duhur të profesionit. Gjithashtu, BMP së fundmi po luan një rol aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku vlen të përmendim këtu tre rastet ku veprimtaria e BMP ka shërbyer si shembull pozitiv apo si role model: nëpërmjet Bankës Botërore ku BMP ndau përvojën me vendet e rajonit dhe ku vlen të theksohet se asnjë nga vendet e rajonit, që synon futjen në BE, nuk ka mundur ende të krijojë një institucion të pavarur e funksional; anëtarësia në Task Force të IFIAR për mbikëqyrjen e cilësisë në juridiksionet e vendeve të IFIAR, që dëshmon besimin e këtij rrjeti prestigjioz ndërkombëtar në kapacitetet dhe aftësinë e stafit të BMP; si dhe pjesëmarrjen e stafit tonë në dhënien e trajnimeve për rritjen e kapaciteteve të Bordit të Mbikëqyrjes Publike, me ftesën e Bankës Botërore dhe BE.

Së fundmi, Bordi ka nisur procesin e verifikimit të zbatimit të dispozitave ligjore për çdo subjekt mbajtës të titullit Kontabilist i Miratuar. Pse u ndërmor kjo nismë?

Zbatimi i dispozitave ligjore nga ushtruesit e profesionit kontabël, qofshin ata Auditues Ligjorë apo Kontabilist të Miratuar, është jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe një detyrim profesional, etik dhe moral pasi shërbimet dhe veprimtaria e tyre ndikon drejtpërdrejt në kulturën dhe mjedisin e biznesit, apo organizmave në tërësi, por mbi të gjitha të përdoruesit e “produktit” të punës së tyre e për rrjedhojë, te publiku në veçanti.

Ashtu sikurse përmenda edhe më sipër, mbikëqyrja e profesionit kontabël është një përgjegjësi e BMP, i cili edhe përpara amendimeve ligjore të vitit 2016, është përpjekur të ndërmarrë hapa që janë në funksion të kësaj nisme, por mungesa e kapaciteteve teknike, burimeve financiare dhe njerëzore, si dhe ushtrimi i kompetencave përmes strukturave të organizatës profesionale, e kufizonin përmbushjen e funksioneve të veta. Pra, në vetvete kjo nismë, është thjesht zbatimi i dispozitave ligjore që detyrojnë BMP për të mbikëqyrur këtë profesion, nxitur gjithashtu edhe nga vetë kërkesat e vazhdueshme të organizatave profesionale të kontabilitetit. Do të doja të theksoja, që kjo nismë është mbështetur edhe nga Banka Botërore dhe jep një vlerë të shtuar për shërbimet e profesionistëve kontabël.

Aktualisht, ne ndodhemi përballë faktit ku asnjë institucion i vetëm që ka qenë pjesë direkte ose indirekte e procesit të certifikimit të KM nuk zotëron një informacion të plotë lidhur me numrin e saktë të Kontabilistëve të Miratuar. Ky fakt rriti edhe më tej nevojën për t’u përballur e për të zgjidhur problematikat e tregut të KM dhe ofrimit të këtyre shërbimeve.

-Sipas Bordit, numri i personave që kanë fituar titullin e KM është rreth 2,400 individë, nga të cilët në informacionet e vëna në dispozicion deri tani nga OP, rezultojnë rreth 900 individë të regjistruar si aktivë…

Përpara se të shpjegoj funksionimin e procesit, dua të theksoj që të dhënat më sipër janë paraprake, veçanërisht për numrin e KM ushtrues, ku është duke u shqyrtuar klasifikimi i KM-ve në ushtrues ose jo sipas dispozitave të kuadrit rregullator në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat.
Është e rëndësishme të bëhet një dallim mes personave që kanë fituar titullin e KM, d.m.th. të drejtën për ushtrimin e këtij titulli, dhe atyre që e ushtrojnë aktivitetin si KM.

Numri prej 2.400 ka të bëjë me numrin e individëve që kanë fituar certifikatën e KM, por kjo nuk do të thotë që më pas janë regjistruar në shoqatat dhe në QKB, për ushtrimin e aktivitetit. Shumë zgjedhin të jenë të punësuar apo të kryejnë aktivitete të ndryshme. Ndërkohë që nga listat e dorëzuara nga shoqatat, rezultojnë një numër më i vogël, që pritet të saktësohet gjatë procesit të verifikimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit për pajtueshmërinë e tyre me kërkesat e ligjit dhe rregulloret e Bordit.

Vetëm pas përfundimit të procesit mund të jepet një numër i saktë i ushtruesve apo, thënë ndryshe, kontabilistëve aktivë, pasi në të njëjtën kohë, BMP përmes strukturës mbështetëse është duke bërë edhe verifikimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore të vetë organizatave profesionale, të cilat në rast se plotësojnë kushtet e parashikuara në kuadrin rregullator, do të njihen nga BMP. Në këtë kuadër, ne kemi kryer verifikimin lidhur me sa më sipër, me një prej Organizatave Profesionale (OP), e cila është njohur nga Bordi. Njohje e cila gjithashtu përkon me një plan veprimi për plotësimin e rekomandimeve të BMP brenda një harku kohor 12-mujor.

Si do të funksionojë ky proces:

BMP ka hartuar rregulloren nr.9, datë 27.02.2019, “Për rregullimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit të organizatave profesionale dhe profesionit të kontabilistit të miratuar”, të ndryshuar, në të cilën, midis të tjerave parashikohen procedurat e verifikimit të Kontabilistëve të Miratuar Aktivë dhe Kontabilistëve të Miratuar Joaktivë, si dhe kriteret për pajisjen me kartë profesionale nga organizatat përkatëse ku këta profesionistë janë të anëtarësuar.

OP, në përputhje me parashikimet e dispozitave të ligjit nr. 10 091, datë 5.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, të ndryshuar, janë përgjegjëse për mbajtjen dhe përditësimin e regjistrit publik të kontabilistëve të miratuar dhe shoqërive të kontabilitetit, si dhe identifikimin e kontabilistëve të miratuar dhe të shoqërisë së kontabilitetit në regjistrin publik, me një numër individual.

Informacioni për regjistrimin mbahet në format elektronik dhe vihet në dispozicion të publikut nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare të organizatave profesionale të kontabilistëve të miratuar të njohura nga BMP. Formati i regjistrit publik të kontabilistëve të miratuar, miratohet nga bordi dhe ai duhet të parashikojë të paktën dy seksione të organizuara, përkatësisht, si seksioni i kontabilistëve të miratuar dhe seksioni i shoqërive të kontabilitetit. Regjistri i konsoliduar i kontabilistëve të miratuar publikohet në faqen zyrtare të BMP. Një çështje që vlen të theksohet është se të dhënat e regjistrit i vihen në dispozicion Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe institucioneve të tjera, në përputhje me legjislacionin e fushës.

Sa është numri i personave që kanë dorëzuar dokumentet?

Procesi i verifikimit po zhvillohet në dy faza, ku njëra prej tyre përkon me verifikimin e organizatës profesionale lidhur me zbatimin e dispozitave ligjore dhe njohjen nga Bordi; dhe faza e dytë lidhet me verifikimin e kontabilistëve të miratuar anëtar të organizatës profesionale përkatëse.
Aktualisht, BMP ka bërë procesin e verifikimit dhe inspektimit të njërës prej organizatave, e cila është njohur nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike dhe paralelisht po punohet për procesin e verifikimit të të gjithë kontabilistëve anëtarë të saj.

Pra, deri tani, në këtë fazë, janë në proces shqyrtimi rreth 375 persona dhe në muajin shtator 2019 është planifikuar nisja e procesit të verifikimit dhe inspektimit të një prej organizatave të tjera, në mënyrë që të procedojmë edhe me procesin e verifikimit të anëtarësisë së tyre. Ne shpresojmë që ky proces të mbyllet brenda afateve të planifikuara në rregulloren nr.9, të sipërpërmendur. Megjithatë, nëse do të jetë e nevojshme, siç parashikon edhe rregullorja, mund të bëhet shtyrja e afateve në funksion të kryerjes së një procesi cilësor e transparent.

Nëse nuk kanë dokumentet në rregull, çfarë ndodh?

Procesi i periudhës së verifikimit bëhet brenda një periudhe 6-mujore nga momenti i afatit përfundimtar për dorëzimin e dokumentacionit. Dokumentacioni dorëzohet pranë BMP drejtpërdrejt nga subjekti ose pranë OP ku subjekti është i anëtarësuar. Në rastet kur dorëzohen pranë OP-ve, këto të fundit, i dorëzojnë dokumentet pranë BMP, të cilat plotësojnë dosjen e secilit anëtar të tyre, në përputhje me kërkesat ligjore për ushtrimin e veprimtarisë.

Gjithashtu, duke pasur në konsideratë faktin që pjesa më e konsiderueshme e kontabilistëve të miratuar, për shkak të faktit që ndër vite kualifikimet e vijueshme të detyrueshme nuk janë realizuar si duhet, rregullorja ka parashikuar një periudhë tranzitore për plotësimin e orëve, edhe pas regjistrimit të KM në regjistrin publik të organizatës profesionale. Pra, në këtë kontekst, procesi ka krijuar të gjitha hapësirat e mundshme për plotësimin e dokumentacionit në përputhje me kërkesat ligjore, duke mos krijuar asnjë vështirësi apo pengesë për të gjithë KM.

Në cilat raste, Bordi ka të drejtë të heqë licencën?

Qëllimi ynë si BMP është rritja e besimit të publikut duke mbështetur çdo proces, i cili rrit cilësinë e shërbimeve të profesionistëve kontabël, të cilat garantojnë një raportim financiar transparent dhe cilësor. Sigurisht është në interesin e çdokujt që ka investuar kohë dhe dije në këtë profesion që t’i kryejë shërbimet me integritet, cilësi, në mënyrë objektive dhe të pavarur. Çdo profesionisti i humbet e drejta e ofrimit të shërbimeve të përcaktuara me ligj dhe ushtrimit të profesionit në momentin kur nuk është më pjesë e regjistrit publik.

Ne jemi duke punuar ngushtë me organizatat profesionale të kontabilistëve të miratuar, që në fund të këtij procesi të mundësojmë finalizimin e një regjistri publik të konsoliduar, ku secila organizatë do të ketë në anëtarësinë e vetë kontabilistëve të miratuar aktivë vetëm ata individë që përmbushin dispozitat ligjore, për të ushtruar profesionin. Siç përmenda, regjistrat përfundimtarë të konsoliduar të KM-ve do të jenë themeli për të garantuar që asnjë shërbim i parashikuar dhe rregulluar me ligj të mos ofrohet nga individë të tjerë të palicencuar apo që konkurrojnë në mënyrë të padrejtë me ushtruesit e rregullt.

Megjithatë, pavarësisht rasteve kur parashikohen masa ndaj profesionistëve kontabël, qofshin ata auditues ligjorë apo kontabilist të miratuar, sikurse janë parashikuar në legjislacionin në fuqi, por edhe rregulloren nr. 4, datë 29.03.2018 “Për investigimin dhe marrjen e masave disiplinore” në zbatim të tij, qëllimi i mbikëqyrjes nuk ka fokusin në penalizimin apo heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit por formalizimin e veprimtarisë së profesionistëve kontabël, edukimin dhe ndërgjegjësimin e tyre për të respektuar standardet profesionale dhe kërkesat ligjore, në funksion të interesit të publikut.

Ne besojmë që masat janë hapi i fundit, pasi ne si BMP por edhe Organizatat Profesionale, kanë ofruar të gjitha kushtet dhe mjedisin e nevojshëm profesional që i mundëson çdo profesionisti të ofrojë shërbimet në mënyrë profesionale, me ndershmëri dhe në mënyrë të pavarur nga subjektet që marrin këto shërbime.

Çfarë do të ndodhë me kontabilistët që janë aktivë dhe që nuk janë në shoqatë?

Klasifikimi i një kontabilisti në aktiv, pra ushtrues i profesionit ose jo, nuk largon detyrimin që çdo kontabilist duhet të jetë në regjistrat e organizatave profesionale, qofshin në kategorinë aktiv apo jo.

Ligji parashikon në mënyrë eksplicite detyrimin e anëtarësisë pranë një organizate profesionale të njohur nga Bordi Mbikëqyrjes Publike. Një individi, që zotëron titullin Kontabilist i Miratuar dhe kryen aktivitetet e veta, pa qenë anëtar i një organizate profesionale të njohur nga BMP do t’i komunikohen të gjitha detyrimet ligjore dhe do t’i lihet një kohë tranzitore, sikurse është parashikuar në kuadrin rregullator përkatës, për të plotësuar detyrimin ligjor. Është në interesin e çdo profesionisti të ofrojë shërbimet në përputhje me kërkesat ligjore, megjithatë, edhe nëse do të ketë ndonjë rast të tillë në fund të procesit, si pasojë e mospërfshirjes në regjistrat publikë të organizatave përkatëse i ndërpritet e drejta e ushtrimit të këtyre shërbimeve.

Regjistrat e konsoliduar të kontabilistëve të miratuar do të dorëzohen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe çdo institucioni tjetër që më pas të procedohet me zbatimin e detyrimeve ligjore lidhur me kryerjen e këtyre shërbimeve. Sistemi i ri i QKB, pas ndryshimeve të fundit të realizuara me të njëjtin projekt të Bankës Botërore për përmirësimin e cilësisë së raportimit financiar, ka pasur ndikim shumë pozitiv lidhur me këtë proces, duke qenë se ky sistem kërkon identifikimin e kontabilistit të miratuar të angazhuar nga çdo biznes, në përpilimin e pasqyrave financiare. Janë të shumtë kontabilistët dhe audituesit që shprehen pozitivisht për ndryshimet e bëra, që u mundësojnë atyre të mos konkurrohen në mënyrë të pandershme dhe që subjektet nga ana tjetër, të mos shmangin detyrimet ligjore që lidhen me raportimin.

Si do ta bëni identifikimin e kontabilisteve që nuk janë në shoqata dhe cilat janë afatet që ata duhet të dorëzojnë dokumentet?

Ky proces po realizohet në bashkëpunim me organizatat profesionale të kontabilistëve të miratuar, dhe në përputhje me afatet e parashikuara në rregulloren nr.9. Bordi i Mbikëqyrjes Publike posedon të gjithë listën e zotëruesve të titullit KM që nga data e parë e nisjes së procesit të certifikimit të tyre. Edhe pse posedimi i kësaj liste ka qenë një sfidë e vërtetë, pasi informacioni gjendej i pjesshëm në institucione të ndryshme edhe si rrjedhojë e përgjegjësive ligjore të ndara në administrimin e saj, përgjegjësi e cila ka pasur ndryshime gjatë këtyre dy dekadave.

Nga ana tjetër, secila organizatë profesionale ka depozituar listën e anëtarësisë pranë Bordit të Mbikëqyrjes Publike, duke bërë edhe publikimet përkatëse paraprake në faqet e tyre të internetit. Pra nga sa mund të shohim, procesi i identifikimit të kontabilistëve që nuk janë në shoqata mbështetet në kryqëzimin e këtij informacioni dhe verifikimin e dokumentacionit përkatës të çdo individi që zotëron titullin që do të sjellë dhe hartimin e regjistrave përfundimtarë të konsoliduar të kontabilistëve.

Çfarë synoni të arrini me këtë proces?

Nëpërmjet këtij procesi, do të bëhet i mundur formalizimi i të gjithë zotëruesve të titullit, qofshin praktikues ose jo praktikues, duke bërë të mundur garantimin e zbatimit të dispozitave ligjore, lidhur me detyrimet e tyre ligjore që përfshijnë zbatimin e standardeve etike dhe kërkesave të tjera ligjore. Gjithashtu, do të bëhet i mundur përfundimisht krijimi i regjistrave publikë të kontabilistëve të miratuar të aksesueshëm lehtësisht nga të gjitha palët e interesuar, një kërkesë e hershme e ligjit, duke garantuar kështu, ndër të tjera, që asnjë shërbim i parashikuar dhe rregulluar me ligj të mos ofrohet nga individë të tjerë të palicencuar, apo që konkurrojnë në mënyrë të padrejtë me ushtruesit e rregullt të profesionit.

BMP, gjatë këtij procesi, do të synojë të bashkëpunojë edhe me institucione të tjera shtetërore, që ky proces të jetë i garantuar dhe i formalizuar përfundimisht sipas kërkesave dhe dispozitave ligjore, duke pasur një impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë informacionit financiar publik e si rrjedhojë, edhe në formalizimin e ekonomisë.

Kemi nisur procesin e verifikimit, duke kaluar fazën e parë dhe të dytë të parashikuar në planin e punës lidhur me veprimtarinë e kontabilistëve të miratuar dhe nuk e mohoj që ndihemi të inkurajuar kur vetë kontabilistët, jo vetëm gjatë intervistave, por edhe në pyetësorët konfidencialë të plotësuar prej tyre kanë vlerësuar maksimalisht procesin që po kryhet, duke kërkuar vijimin edhe më tej, për të garantuar punën e ndershme dhe të kryer me integritet dhe cilësi të të gjithë profesionistëve që i përgjigjen ndershmërisht kërkesave ligjore.

Po për audituesit, si zbatohen këto procedura?

Audituesit ligjorë, përveç shërbimeve të auditimit ligjor, ashtu si kontabilistët e miratuar, kanë të drejtën të ofrojnë shërbime kontabël me kushtin që të mos kenë konflikt interesi lidhur me shërbimet e ofruara. Procedurat e mbikëqyrjes së Audituesve Ligjorë janë më komplekse dhe përfshijnë mbikëqyrjen në disa nivele, konsideruar që roli dhe shërbimet e tyre kanë ndikim më të madh në interesin e publikut. Audituesit Ligjorë janë subjekt i kontrollit të cilësisë nga Bordi Mbikëqyrjes Publike, i cili është një proces i hollësishëm në zbatimin e standardeve profesionale.

Gjithashtu, përveç kontrollit të cilësisë i cili, vlen të theksohet që për herë të parë vjet është kryer në përputhje me praktikat më të mira dhe në bashkëpunim të ngushtë me konsulentin ndërkombëtar të angazhuar nga Banka Botërore, BMP ka mekanizma të tjerë mbikëqyrje dhe verifikimi të cilat bëhen përmes Komisionit të Investigimit dhe Disiplinës, ku mënyra e verifikimit kalon nga shqyrtimi i përgjithshëm i zbatimit të dispozitave ligjore deri në shqyrtimin dhe kontrollin e zbatimit të detajuar të standardeve profesionale.

Ka një kërkesë të Shoqatave të Kontabilistëve dhe audituesve për rritjen e tarifave. Si pritet të procedohet në këtë rast dhe si e vlerësoni ju kërkesën e tyre, a kanë kapacitet bizneset të paguajnë tarifa më të larta?

Qëllimi dhe misioni i BMP është përmirësimi dhe forcimi i mbikëqyrjes publike të profesionit të audituesit ligjor, si dhe rregullimin e profesionit të kontabilistit të miratuar, krijimin e kushteve që rregullojnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore, individuale dhe të konsoliduara, organizimin e profesionit të audituesit ligjor, të shoqërive të auditimit, të kontabilistit të miratuar, si dhe rregullimin e organizatave profesionale, në fushën e kontabilitetit.

Rregullimi i tarifave dhe shmangia e procesit të konkurrencës ndërmjet profesionistëve mbështetur mbi tarifa dhe jo mbi cilësi është një sfidë jo vetëm rajonale, por ndërkombëtare. Megjithatë, ne besojmë që në këtë proces, mbështetur edhe mbi kërkesat ligjore, roli parësor u takon organizatave profesionale dhe organit të tyre më të lartë vendimmarrës, pra Asamblesë së Përgjithshme.

Për ne si Bord ka rëndësi cilësia e punës, pra cilësia e shërbimeve profesionale, të cilat kërkojnë një kohë të nevojshme për të garantuar zbatimin e standardeve, si dhe niveli i kualifikimit të personave që angazhohen në ofrimin e këtyre shërbimeve dhe jo tarifat në vetvete. Megjithatë, nuk mund ta mohoj që një nga sfidat e profesionit sot jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, është edhe konkurrenca përmes tarifave pra çmimit dhe jo cilësisë, përvojës, e kapaciteteve, të cilat duhet të jenë fanari që orienton çdo profesionist jo vetëm në kryerjen e shërbimeve, por edhe mundësinë për t’u angazhuar në këto shërbime.

Për të qenë më konkret, qoftë nga audituesit ligjorë, qoftë nga kontabilistët e miratuar, kemi pasur kërkesa që të ndërhyhet në rishikimin e tarifave minimale dhe orëve minimale. Pozicioni ynë ka qenë i qartë dhe sikurse u shpreha më lart, ne i qëndrojmë fort çdo hapi që garanton cilësinë e punës, por jo duke marr rol parësor, në përcaktimin e tarifave minimale, pasi ato duhet të vijnë natyrshëm përmes bashkëpunimit ndërmjet organizatave profesionale, anëtarësisë së këtyre organizatave, por edhe kërkesave të tregut.

Ajo që unë mund të shpreh është se në dekadën e fundit ka pasur rënie drastike të tarifave të auditimit, çka ka ngritur një shqetësim jo vetëm te ne si Bord, por edhe tek aktorët ndërkombëtarë me të cilët bashkëpunojmë lidhur me shkaqet: ka ardhur nga rritja e eficencës së profesionistëve, apo si rrjedhojë e konkurrencës me tarifa më të ulëta në dëm të cilësisë.
Këto janë sfida të vazhdueshme që ne si Bord kemi qenë shumë mbështetës për ta orientuar fokusin e vendimmarrjes dhe bashkërendimit të punëve, mbështetur mbi zbatimin e standardeve profesionale dhe garantimin e cilësisë së shërbimeve prej profesionistëve kontabël.

Si e vlerësoni sot procesin e auditimit dhe rënien e interesit nga “Big Four” për auditime?

Sot, veçanërisht pas ndryshimeve ligjore në vitin 2016, ka një rritje të ndërgjegjësimit të audituesve lidhur me nevojën për t’u garantuar shërbime auditimi cilësore dhe kjo edhe si rrjedhojë e një procesi mbikëqyrje që mbështetet mbi një analizë risku dhe një metodologji të mirëfilltë në kryerjen e kontrollit të cilësisë ndaj auditimeve ligjorë.

Për hir të së vërtetës dhe në statistikat që ne disponojmë, interesi jo vetëm ndaj kompanive më të mëdha të auditimit (“Big 4”), por edhe të dhjetë më të mëdhave ka ardhur në rritje, duke pasur në konsideratë jo vetëm nivelin lokal, por edhe përmes bashkëpunimeve në nivel ndërkombëtar. Qasja e këtyre kompanive të mëdha në takimet e zhvilluara bashkërisht ka qenë mjaft pozitive dhe e orientuar nga standardizimi i proceseve, shtrirja e mbikëqyrjes dhe zbatimi konsistent i standardeve nga të gjithë audituesit ligjorë dhe, mbi të gjitha, duke bërë të mundur një konkurrencë të mbështetur në cilësi. Në proceset e kontrollit që kemi kryer, përtej sfidave fillestare si rrjedhojë e një metodologjie bashkëkohore, në përgjithësi ne kemi parë një qasje mjaft frytdhënëse ku ndërgjegjësimi lidhur me punën dhe rolin e bordit konsiderohet i domosdoshëm për të garantuar një mjedis cilësor shërbimesh.

Sa është numri Kompanive me interes publik dhe si do të rregullohet tregu i tyre?

Duke u nisur nga fakti që auditimi ligjor është një profesion i rregulluar me ligj të veçantë, jo vetëm në vendin tonë, do të thotë që ky shërbim përbën një interes publik në vetvete. Megjithatë, për qëllime të këtij ligji dhe këtij shërbimi, për shkak të impakteve që krijojnë, disa kategori biznesesh konsiderohen me interes më të madh për publikun, duke i klasifikuar si Njësi me Interes Publik.

Klasifikimi si njësi me interes publik, do të thotë që auditimet e kësaj njësie duhet respektojnë, ndër të tjera, disa standarde specifike profesionale që garantojnë cilësinë dhe besueshmërinë e informacionit financiar dhe jofinanciar të detyrueshëm për t’u raportuar nga këto njësi. Gjithashtu, këto misione auditime i nënshtrohen kontrollit të cilësisë së drejtpërdrejtë nga BMP, duke bërë të mundur garantimin dhe dhënien e sigurisë për publikun.

Përpara ndryshimeve ligjore të vitit 2016, njësi me interes publik, në kuptim të ligjit të auditimit, janë konsideruar vetëm ato njësi që operonin në sektorin bankar apo të sigurimeve dhe subjekteve të ngjashme të licencuara nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, duke limituar rolin dhe ndikimin e dhjetëra njësive të tjera, të cilat për shkak të natyrës së biznesit, madhësisë ose numrit të punëmarrësve të tyre, prekin drejtpërdrejt interesin e publikut.

Imagjinoni ndikimin social dhe financiar që do të sillte një entitet që operon në një sektor jashtë klasifikimit klasik, të përmendur më sipër, i cili ka 4000 punonjës, në rast dështimi apo imagjinoni një entitet, i cili ka për aktivitet një të mirë publike, e cila si rrjedhojë e një mori rreziqesh, do të sillte drejtpërdrejt cenimin e interesit të publikut. Në përputhje me ndryshimet e reja ligjore, bazuar mbi direktivën përkatëse të BE, është shtuar dhe klasifikimi i njësive të tjera me interes publik, për shkak të madhësisë, natyrës dhe numrit të punëmarrësve.

Lidhur me numrin e saktë të këtyre njësive, ne jemi duke punuar bazuar edhe në informacionin që do të na vihet në dispozicion nga Audituesit, të cilët kanë detyrimin e raportimit në janar të çdo viti, dhe atëherë do të mund të kemi një numër të saktë. Numri i njësive me interes publik nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë në vetvete, por siç përmenda dhe më sipër, përcaktimi si njësi me interes publik do të thotë procedura me të hollësishme auditimi dhe kontrolli cilësie, e si rrjedhojë, siguri e besueshmëri më të lartë në të dhënat financiare, duke përfituar kështu drejtpërdrejt të gjithë palët e interesuara.

Sot, niveli i ekonomisë informale vlerësohet i lartë, rreth 30-40%, sipas institucioneve ndërkombëtare. Çfarë duhet bërë për reduktimin e tij dhe çfarë roli pritet të luajë bordi në këtë drejtim?

Formalizimi i ekonomisë është një sfidë globale me të cilën përballen shtete të zhvilluara dhe shtete në zhvillim. Ekonomia shqiptare sikurse edhe të gjithë aktorët të cilët kanë pasur dhe kanë një rol të drejtpërdrejt apo të tërthortë, janë përballur me këtë sfidë, duke u përpjekur në reduktimin e informalitetit edhe pse vlen për t’u theksuar që ne jemi një vend me një historik të shkurtër në ekonominë e tregut dhe zhvillimet teknologjike, sikurse edhe dinamika e zhvillimit ekonomik e bëjnë edhe më të vështirë përgjigjen ndaj rreziqeve, të cilat mund të ndikojnë në sjellje informale.

Ajo që është për t’u përshëndetur është ndërgjegjësimi dhe reformat e ndërmarra në kuadër të reduktimit të informalitetit, të cilat duan kohën e vet të maturimit për të dhënë efektet e dëshiruara dhe sigurisht në këtë kontekst, një rol jo të parëndësishëm kanë edhe profesionistët kontabël, të cilët janë një faktor i pa zëvendësueshëm në veprimtarinë e çdo biznesi.

BMP është duke punuar lidhur me ndërgjegjësimin, edukimin dhe mbi të gjitha, rregullimin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve profesionale të kontabilistëve të miratuar, duke qenë të bindur që përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të tyre dhe rritja e objektivitetit në punën e tyre,ë do të ndikoj pozitivisht në formalizimin e ekonomisë ku si hap i parë është vetë formalizimi i tregut të shërbimeve profesionale të Kontabilistëve të Miratuar dhe Audituesve Ligjorë.

Gjithashtu, rol të konsiderueshëm luajnë dhe organizatat profesionale në sensibilizimin e anëtarëve të tyre, lidhur me rolin që duhet të ketë çdo profesionist kontabël në raport me shërbimet që ofron, por edhe marrëdhënien me biznesin, si një gardian i shërbimeve profesionale dhe integritetit profesional, por edhe përmes procesit të kontrollit të cilësisë së shërbimeve të tyre. Organizatat profesionale duhet të jenë aktive në garantimin e një procesi edukimi të vijueshëm cilësor për anëtarët e tyre, si dhe të nxisin anëtarët e tyre për të pasur një rol proaktiv në formalizimin e bizneseve dhe njësive ekonomike, në të cilat ata ofrojnë shërbime, duke dhënë një kontribut në formalizimin e ekonomisë në tërësi, si një faktor kyç edhe për zhvillimin e mëtejshëm të profesionit kontabël.

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
Pullumb Lici Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Pullumb Lici
Guest
Pullumb Lici

Asgje per personat e palicensuar te cilet ushtrojne profesionin e kontabilistit duke konkuruar ne menyre te pandershme dhe si shoqatat ashtu edhe Tatimet nuk i pengojne.Kane hapur biznese me emertime si “Konsulte financiare’ etj.qe QKB i ka regjistruar,tatimet i kane pranuar dhe puna vazhdon “rregullisht” me persona te padiplomuar,por qe pas kane specialiste nga Tatimet,Bashkite etj.