Si do të veprohet kur bankat duhen shpëtuar, miratohet rregullorja për ngritjen e bankës urë

07/12/2020 10:00 AM 0 komente

Banka e Shqipërisë miratoi në muajin nëntor rregulloren “Për krijimin, licencimin, mbikëqyrjen, funksionimin dhe përfundimin e veprimtarisë së bankës urë”, në mbështetje të ligjit “Për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”.

Seksioni i katërt i ligjit në fjalë e përcakton se Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme krijon bankën urë, duke i transferuar të drejtën e pronësisë mbi aksionet ose instrumentet e tjera të pronësisë, aktivet, të drejtat dhe detyrimet e bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, me qëllim ruajtjen e funksioneve të saj kritike.

Banka urë krijohet në momentin kur shteti vendos të shpëtojë një bankë, duke u bërë aksioner në të, përmes mekanizmit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka.

Sipas rregullores, Banka e Shqipërisë i paraqet propozimin Ministrisë së Financave, kur e vlerëson të nevojshëm përdorimin e fondeve publike, me qëllim krijimin dhe financimin e kapitalit të bankës urë. Në vendimin e krijimit të bankës urë mund të vendosen kërkesa më të lehtësuara për licencimin dhe mbikëqyrjen e saj, në krahasim me kërkesat e përcaktuara për bankat e tjera, duke përcaktuar periudhën gjatë së cilës do të zbatohen këto kërkesa më të lehtësuara, por jo më shumë se 6 muaj.

Kërkesat më të lehtësuara mund të lidhen me kapitalin fillestar minimal të kërkuar, dokumentacionin për miratimin e administratorëve, si dhe lidhur me zbatimin e treguesve mbikëqyrës të parashikuar në ligjin “Për bankat” dhe në kuadrin rregullator për bankat në fuqi. Administratorët e bankës urë do të emërohen nga Banka e Shqipërisë dhe duhet të kenë përvojë pune, të paktën 7-vjeçare si drejtues, ekzekutivë në bankë, në institucion tjetër financiar ose në një shoqëri ekspertësh kontabël të autorizuar.

Administrimi dhe drejtimi i bankës urë do të synojë ruajtjen e madhësisë së bankës dhe jo shtrirjen dhe zgjerimin e rrjetit të saj. Banka urë është konceptuar si një institucion tranzitor, që synon ta ruajë të shëndetshme bankën në vështirësi dhe të mundësojë shitjen tek investitorë të rinj. Administratorët duhet të raportojnë çdo dy muaj te Banka e Shqipërisë, në lidhje me ecurinë e gjendjes financiare të bankës urë, si dhe të masave dhe projekteve për shitjen e bankës urë.

Rregullorja parashikon që Banka e Shqipërisë vendos përfundimin e bankës urë kur ajo bashkohet me një bankë tjetër; kur nuk plotëson më kërkesat për të cilat është krijuar dhe kushtet e vendosura në vendimin e krijimit; kur të gjitha ose pjesa kryesore e aktiveve, të drejtave dhe detyrimeve të bankës urë i janë shitur një pale të tretë; kur përfundon afati i përcaktuar në vendimin për krijimin e saj. Me revokimin e licencës së bankës urë, aktivet dhe detyrimet e patransferuara ose të pashitura vendosen në likuidim nga Banka e Shqipërisë./E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of