Përmirësimi i perspektivës së Shqipërisë nga Standard & Poor’s (S&P) mund t’i paraprijë një përmirësimi të vlerësimit (rating) të borxhit sovran të vendit.
Blodin Çuçi, ekspert i tregjeve financiare, thotë për “Monitor” se përmirësimi i perspektivës nga “e qëndrueshme” në pozitive” është hapi paraprak për një përmirësim të renditjes gjatë një harku kohor mes gjashtë muajve dhe dy viteve të ardhshme.
Kjo do të përkthehet në ulje të normave të interesit të borxhit në monedhë të huaj.
“Zhvillimi i parë është brenda këtij harku të pritshëm kohor, nëse verifikohen pritshmëritë pozitive, është përmirësimi i renditjes. Kjo gjë ka një ndikim të menjëhershëm te norma e interesit të borxhit të vendit në monedhë të huaj.
Thënë ndryshe, nëse sot qeveria shqiptare është në gjendje të marrë borxh me 4.5%, një përmirësim me një nyje nga B+ në BB- do të thotë në mënyrë indikative një përmirësim të normës së interesit sipas standardeve përllogaritëse me 0.3%-0.5% më pak.
Pra, do të thotë me 4%-4.2% për të njëjtin instrument. Gjithsesi, kjo është thjeshtë një pritshmëri mbi perspektivën 6 mujore deri në dy vjeçare. Duhet të përmbushen këto pritshmëri, për tu verifikuar pastaj edhe përmirësimin i renditjes.
Duhet theksuar gjithsesi që këto metrika janë në rrugën e duhur, janë në rrugën e përmirësimit,” thotë z.Çuçi.
Një rritje e rating për borxhin Sovran të Shqipërisë do të kishte efekte të rëndësishme në të gjithë ekonominë shqiptare. Një vlerësim më i lartë përkthehet në një rrezik më të ulët të ekonomisë, faktor që do të kishte një efekt pozitiv mbi investimet e huaja direkte.
“Jemi në një rreth vicioz pozitiv që sa më shumë përmirësohet renditja, aq më shumë ulen kostot e rifinancimit. Përmirësimi i renditjes është edhe një perceptim total i rrezikut ndaj një vendi.
Pra, një investitori i huaj, në qoftë se do bënte një vlerësim se çfarë norme interesi do të duhej për të marrë nga një investim në një vend, do të kërkonte një normë interesi më të ulët për ta bërë këtë investim me përmirësimin e renditjes.
Hipotetikisht, ka edhe një përmirësim të Investimeve të Huaja Direkte si pasojë e uljes së perceptimit mbi rrezikun nga kjo renditje. Përmirësimi i renditjes në vetvete ka një impakt mbi shumë faktorë makroekonomikë.
Përmirësimi i renditjes do të thotë borxh më i ulët dhe pritshmëri për një borxh publik më të ulët. Borxh qeveritar më të ulët dhe pritshmëri për një borxh qeveritar më të ulët. Nëse ne analizojmë borxhin qeveritar, 40% është i përcaktuar në monedhë të huaj.
Pikërisht këtu është fokusi kryesor i përmirësimit të një renditje; ky 40% i borxhit do arrinte të rinovohej dhe matarohej në një normë më të ulët interesi. Si pasojë, edhe buxheti përmirësohet, edhe nëse bëhen investime të duhura, rritja ekonomike përmirësohet, pasi kostot e financimit janë më të ulëta,” thotë z.Çuçi.
Më 22 Shtator 2023, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s rishikoi perspektivën e saj për Shqipërinë nga “e qëndrueshme”, në “pozitive”.
Në të njëjtën kohë, agjencia ka rikonfirmuar vlerësimin e vendit në “B+”.
Lexoni edhe: S&P rishikon në ngritje perspektivën për Shqipërinë, nga “e qëndrueshme” në “pozitive”, rikonfirmon vlerësimin B+
“Perspektiva pozitive” sipas agjencisë pasqyron pikëpamjen e saj se parametrat fiskale të vendit do të vijojnë të përmirësohen, falë përpjekjeve të qeverisë për të konsoliduar financat publike.
Agjencia parashikon se pas një uljeje të rritjes për këtë vit në 3%, kryesisht për shkak të kërkesës së huaj më të ulët nga Europa, rritja pritet të rimarrë shpejtësi pas vitit aktual 2023, duke u mbështetur edhe në lehtësimin e kushteve financiare dhe rritjen e aktivitetit ekonomik global.
Agjencia thekson se vitet e fundit, Shqipëria është përballur me një sërë goditjesh, përfshirë një tërmet në vitin 2019. Pavarësisht kësaj, qeveria ka bërë përpjekje të forta për të konsoliduar financat publike.
Si rezultat, agjencia pret që defiçiti buxhetor të konvergojë në rreth 2% të PBB deri në vitin 2026 dhe borxhi publik të reduktohet në 58.3% në 2026 nga 64.5% që rezultoi në 2022.
Megjithatë, agjencia vëren se konsolidimi fiskal do të varet edhe nga rimëkëmbja e qëndrueshme e rritjes ekonomike dhe vijimësia e reformave strukturore.
S&P vëren se inflacioni ka rënë, duke arritur në 4% në gusht, në rënie të ndjeshme nga 7.2% që rezultonte në janar, si dhe ajo parashikon që inflacioni do të jetë mesatarisht 4.7% për vitin 2023, pastaj do të bjerë gradualisht në nivelin e targetuar prej 3%, në sajë edhe të forcimit të Lekut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.