Si dyshja Kurti – Osmani i mposhti të gjithë. Ndryshimi i madh në Kosovë

19/02/2021 10:04 PM 0 komente

Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e 14 shkurtit, doli fituese. Partia që drejtohet nga Albin Kurti fitoi 48% të votave, apo mbi 374 mijë të tilla. Me rezultatin aktual, Vetëvendosje mund të ketë 56 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 20, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 mandate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 9 deputetë. Megjithatë, rezultati final do të dihet pas numërimit të votave me kusht, dhe votave përmes nëpërmjet postës.

 

Nga Prishtina, Fatos Shala

Ajo që pritej, edhe ndodhi. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani dolën fitues të zgjedhjeve në Kosovë. Albin Kurti, kandidat për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, kur shpalli fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit, e quajti këtë proces “referendum”.Ai u zotua se qeveria e tij nuk do t’i hakmerret askujt, por do të kërkojë përgjegjësi.
“Ky referendum për drejtësi e punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit, u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”.

Kurti tha se fitorja në zgjedhje “është vetëm mundësia për të filluar ndryshimin që e duam. Na presin shumë punë dhe shumë angazhim, sepse vendi është në kriza të shumëfishta”. Ai la të kuptohet se prioriteti i tij nuk do të jetë krijimi i një ekipi negociator për dialogun me Serbinë, duke shtuar se dialogu me Serbinë është prioriteti i “gjashtë apo i shtatë” i qytetarëve.

Edhe Vjosa Osmani, e cila ka garuar për postin e presidentes në kuadër të listës së Vetëvendosjes, ka thënë se fitorja në zgjedhje nënkupton punën në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe në punën për luftimin e korrupsionit. “Misioni ynë mbetet fuqizimi i shtetësisë sonë dhe rrugëtimi drejt anëtarësimit në strukturat atlantike, si dhe miqësia jonë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Por, këtu nis gjithçka. Pyetja kryesore që shtrohet tani në Kosovë, është se me kë do ta formojnë qeverinë Kurti e Osmani? Kosova është Republikë Parlamentare. Kuvendi i saj ka 120 ulëse, ku 20 prej tyre janë të rezervuara për komunitetet joshumicë. Për formimin e qeverisë, nevojiten votat e 61 deputetëve të Kuvendit.

 

 

PDK e LDK në opozitë, AAK s’ka “vija të kuqe”

Partia Demokratike e Kosovës, që ka dalë e dyta dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e treta, kanë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që sipas rezultateve preliminare renditet e treta, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, sa u përket koalicioneve të mundshme qeverisëse.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh kandidati i kësaj partie për kryeministër, e ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren dhe ka bërë të ditur se partia e tij, nuk do të jetë pjesë e qeverisë.

“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë”.
Edhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër Avdullah Hoti, pas përfundimit të votimeve, paralajmëroi se partia e tij do të qëndrojë në opozitë.

“Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pakompromistë të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti. Megjithatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur hapur gatishmërinë që të jetë pjesë e Qeverisë Kurti. Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili synon të bëhet president i Kosovës, ka thënë se nuk ka “vija të kuqe, as për Vetëvendosjen, as për ndonjë subjekt politik”. Por, një koalicion eventual me AAK-në, bart në vete edhe kushtin që Haradinaj të zgjidhet president i vendit. Sipas rezultateve preliminare, partia e Haradinajt ka fituar 7.5% të votave.

 

 

Si mund të formohet Qeveria dhe të bëhen numrat

Kosova është Republikë Parlamentare. Kuvendi i saj ka 120 ulëse, ku 20 prej tyre janë të rezervuara për komunitetet joshumicë. Për formimin e qeverisë, nevojiten votat e 61 deputetëve të Kuvendit. Fillimisht, Presidenti i Republikës mandaton fituesin e zgjedhjeve që të formojë qeverinë.

Nëse mandatari i parë nuk arrin të formojë qeverinë brenda 15 ditëve pas dekretimit, atëherë, presidenti dekreton një tjetër mandatar, i cili ka një afat ligjor prej dhjetë ditësh për formimin e qeverisë së re.
Kandidati për kryeministër, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të publikuar më 2020, mund të jetë edhe nga partitë e tjera, pra jo partia fituese. Ai duhet të dëshmojë se ka votat e nevojshme që të zgjidhet në Kuvend.

Nëse edhe mandatari i dytë dështon të sigurojë shumicën parlamentare, atëherë vendi shkon sërish në zgjedhje.
Kandidati i mandatuar nuk është i obliguar që të ketë koalicion edhe me partitë e komuniteteve joshumicë, por në qeveri, duhet të ndajë të paktën dy poste ministrore për komunitetet joshumicë, nëse qeveria ka 12 ministri. Nëse numri i ministrive kapërcehet, atëherë, një post i tretë ministror i ndahet komuniteteve.

Nëse LVV-ja nuk arrin të fitojë e vetme 61 deputetë, atëherë duhet të kërkojë partnerë për të formuar qeverinë e re. Në këtë rast, mund të ofrojë bashkëpunim për partitë e komuniteteve joshumicë, apo edhe për ndonjë nga partitë shqiptare.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka cilësuar këto zgjedhje si referendum dhe nuk ka folur asnjëherë për koalicione paszgjedhore. Në konferencën ku shpalli fitoren pak para mesnatës së 14 shkurtit, Kurti tha se “nuk ka nevojë dhe as interes të bëj koalicion me ata që kanë nevojë të reformohen në opozitë”.
Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, kanë garuar në një listë të përbashkët, ku Kurti është emëruar për kryeministër, ndërsa Vjosa Osmanin për postin e presidentes.

 

 

Sfidat e para të Qeverisë dhe mandatimi i Kurtit për kryeministër

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, që mund të marrë deri në një muaj kohë, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani si u.d. e presidentit, mund ta dekretojë Albin Kurtin që të krijojë qeverinë e re. Por, ka dilema nëse kjo është e ligjshme, pasi Kurtit i është ndaluar garimi në zgjedhjet parlamentare, për shkak të dënimit të formës së prerë, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Aktgjykimi i Kushtetueses, por edhe neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili gjatë tre viteve të fundit ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë. Ky afat për Kurtin, përfundon në shtator të këtij viti.

Ekspertët janë të ndarë në këtë çështje, pasi disa argumentojnë se vendimi i Kushtetueses vlen vetëm për deputetët, por opozita mund ta kontestojë këtë dekretim dhe të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese.Qeveria e re pritet të krijohet sërish në kohë pandemie. Pasojat në ekonominë e vendit, të shkaktuara nga mbylljet dhe masat kundër COVID-19, janë evidente dhe menaxhimi i kësaj situate, mbetet prioritet dhe sfidë e vështirë.

Pos kësaj, Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të papunësisë. Raportet ndërkombëtare e rendisin Kosovën në mesin e vendeve me korrupsion të lartë dhe arsimim të dobët. Kurti ka theksuar se kthimi i jetës ekonomike në normalitet është prioriteti kryesor i angazhimit në ditët, muajt dhe vitin e parë të qeverisjes së tij.

Ai ka premtuar se në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje do të qeverisë vendin, do të synohet “një ekonomi që del nga pandemia dhe e shëruar edhe nga sëmundjet tjera”.

Në ekonomi, sipas tij, do të ketë më shumë nevojë dhe hapësirë për gratë, rininë, mërgatën, komunitetet, fshatin, e sidomos për ata që kanë nevojë për më shumë mbështetje prej shoqërisë dhe shtetit. Ai ka premtuar një ekonomi ku ka më shumë prodhim dhe eksport, më shumë punëtorë, më shumë kontrata të punës dhe më shumë respektim të të drejtave të punëtorit.

Aktualisht, Kosova është e angazhuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e raporteve me Serbinë. Por, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se “dialogu nuk është prioritet” dhe ka paralajmëruar rikthim të masave të reciprocitetit të plotë. Ai ka përsëritur se do të angazhohet për dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, të cilët duhet ta shohin Kosovën si atdhe të tyre.

Për të mbijetuar, qeveria e re duhet të sigurohet se do të ketë mbështetjen e 2/3 në Kuvend, pasi më së largu në prill të këtij viti, duhet të fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Kushtetuta e përcakton se Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet me të paktën 61 vota (në raundin e tretë), por kërkon që në procesin e votimit, të marrin pjesë të paktën 81 deputetë. Presidenti i ri duhet të zgjidhet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes.

VV-ja është përcaktuar që në këtë post të nominojë ushtruesen e detyrës e presidentit, Vjosa Osmanin, por bazuar në rezultatet e 14 shkurtit, zgjedhja e Osmanit nuk mund të arrihet pa mbështetjen e partive opozitare.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj po ashtu po synon postin e Presidentit të Republikës dhe ka shprehur gatishmëri që partia e tij të bëhet pjesë e koalicionit të ardhshëm. Por, ende nuk dihet nëse LVV-ja do të “sakrifikojë” Vjosa Osmanin, për t’i plotësuar kushtin eventual, liderit të AAK-së. Në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin, atëherë vendi shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.

 

Marrëdhëniet me SHBA-në, reciprocitetit ndaj Serbisë

Çështja e reciprocitetit me Serbinë, e cila kishte shkaktuar mjaft probleme brenda skenës politike në Kosovë, por edhe në raport me faktorët ndërkombëtarë, është theksuar sërish nga Vjosa Osmani, e cila në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje ishte numri dy, por edhe nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Në një debat të transmetuar nga mediat në Kosovë, më 12 shkurt, Osmani ka deklaruar se reciprociteti është baza më e shëndoshë e ndërtimit të raporteve, në veçanti tregtare dhe ekonomike, ndërmjet shteteve. “Natyrisht që ajo që mund të pritet është se ne do të sillemi në mënyrë reciproke për ta mbrojtur dinjitetin e shtetit tonë. Për këtë ne do të ulemi me partnerët tanë, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Bashkimin Europian, që kanë qenë ndërmjetësues të këtyre marrëveshjeve, për t’i bindur që kjo është rruga e drejtë, për të arritur barazi, jo vetëm në raport me Serbinë, por siç e thash, për ta mbrojtur dinjitetin shtetëror mbi të gjitha”, ka thënë Osmani.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se vendosja e reciprocitetit me Serbinë, do të jetë ndër gjërat e para që do të bëjë qeveria e tij. “Është çështje ditësh, javësh dhe kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, ka thënë Kurti.

Në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti ka theksuar Kosova i do marrëdhëniet jo vetëm të mira, por edhe shumë më të mira se sa janë, në aspektin dypalësh, ushtarak, ekonomik dhe kështu me radhë.

“Nuk mund t’i zëvendësojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me asnjë partner ose aleat tjetër… me SHBA-në ne kemi raporte të një shteti të ri me një shtet, për të cilin të thuash na ka ndihmuar, përkrahur e mbështetur, gjithmonë është pak”, ka thënë Kurti.

Lidhur me zotimet e nënshkruara nga Kosova në Uashington, më 4 shtator të vitit 2020, pjesë e së cilës është edhe njohja që Kosova ka marrë nga Izraeli, si dhe se a do të hapë Kosova ambasadën e saj në Jerusalem, siç edhe është kërkesa e shtetit izraelit, Vjosa Osmani ka deklaruar se për këtë çështje do të konsultohen me administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të vendosin bashkë me të.

Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit janë thirrur më 6 janar nga ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, në muajin qershor të vitit të kaluar. Konstatimi i Gjykatës është shpallur më 21 dhjetor, me shpjegimin se një deputet që ka votuar për Qeverinë e Hotit, ka qenë i dënuar për vepër penale.
Një qeveri koalicioni e udhëhequr nga Kurti, vitin e kaluar, ka zgjatur vetëm 51 ditë, pasi është rrëzuar me votë mosbesimi.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of