Vende si Japonia dhe Franca e kanë përshtatur Ditën e Shën Valentinit, duke e bërë krijimin e miqësive të reja përparësi po aq të rëndësishme për këtë ditë.
Në mënyrë të ngjashme, në Gjermani, partnerët i japin njëri-tjetrit biskota gjermane me mesazhe të ëmbla si shenjë dashurie.
Një zëdhënës i Busuu tha: “Ashtu si shumë tradita të tjera perëndimore, Dita e Shën Valentinit është përhapur në të gjithë globin.”
“Disa vende e kanë adoptuar këtë ditë romantike dhe ajo po bëhet gjithnjë e më popullore për shkak të mundësive komerciale për bizneset.”
“Por është interesante të vihet re se disa vende si Japonia e kanë ndryshuar konceptin e kësaj dite. Në Japoni, Dita e Shën Valentinit u dedikohet zonjave që deklarojnë dashurinë e tyre duke dhënë çokollata. Kjo solli më pas krijimin e Ditës së Bardhë më 14 Mars, si një mundësi për burrat që të kthenin favorin.”
Ja si festohet Shën Valentini në botë.
Spanja
Shumë njerëz mund të habiten kur dëgjojnë se Dita e Shën Valentinit në fakt nuk është diҫka edhe aq e rëndësishme në Spanjë. Ashtu si Halloween-i, Dita e Shën Valentinit po bëhet e njohur kryesisht për arsye tregtare. Dyqanet do të zbukurohen me zemra dhe me lule, ndërsa restorantet dhe baret do të krijojnë menu të veçanta për këtë ditë. Por, përveç këtyre elementeve minimale, për shumë spanjollë Ditën e Shën Valentinit mund të jetë diҫka e kotë!
Çiftet që zgjedhin ta festojnë këtë ditë shpesh i dhurojnë njëri-tjetrit bizhuteri ose çokollata. Zakonisht, nuk dhurohen kartolina.
Megjithatë, një kuriozitet interesant është se besohet që eshtrat e Shën Valentinit ndodhen në Madrid.
Franca
Franca është shtëpia e qytetit të dashurisë, Parisit. Megjithëse nuk është e preferuar nga të gjithë, Dita e Shën Valentinit është rritur gjithmonë e më shumë në Francë me kalimin e viteve. Ka shumë gjëra që beqarët mund të bëjnë për festën e Shën Valentinit në Francë. Miqtë beqarë mblidhen së bashku, ndërsa baret e restorantet organizojnë mbrëmje speciale për beqarët.
Çiftet që zgjedhin të festojnë Ditën e Shën Valentinit shpesh shkojnë në një restorant elegant – dhe kur vjen puna te dhuratat, dhuratat e të brendshmeve janë të shpeshta në Francë.
Gjermania
Mendohet se Dita e Shën Valentinit u bë e njohur për herë të parë për gjermanët në vitet 1940, kur ushtarët amerikanë u vendosën atje pas Luftës së Dytë Botërore. Balloja e parë e Shën Valentinit në Gjermani u mbajt në vitet 1950.
Edhe pse u desh pak kohë për t’u mësuar, në ditët e sotme gjermanët ende kanë një tendencë ta festojnë 14 shkurtin, pavarësisht se kjo ditë nuk është diҫka shumë e madhe për ta.
Çiftet shpesh i dhurojnë njëri-tjetrit Lebkuchen (një biskotë gjermane) në forma zemre me mesazhe romantike mbi to, si dhe gjëra të tjera tradicionale si darkat dhe lulet.
Japonia
Japonia ka formën e vet interesante të Ditës së Shën Valentinit. Në këtë vend, 14 Shkurti është një mundësi që gratë të deklarojnë dashurinë e tyre me çokollata. Burrat e kanë radhën më 14 Mars, e cila njihet si Dita e Bardhë. Ata që marrin çokollatë supozohet të kthejnë favorin me dhurata që tradicionalisht kanë qenë të bardha, si marshmallow ose çokollatë e bardhë – por në ditët e sotme, këto dhurata mund të jenë çdo gjë!
Kjo ditë përfshin gjithashtu edhe miqësitë, gjë që çoi në shpikjen e tomochoko – që në thelb do të thotë çokollatë që i jepet një miku.
Kinë
Ashtu si shumë tradita të tjera perëndimore, Dita e Shën Valentinit është bërë gjithnjë e më popullore me kalimin e viteve në Kinë, veçanërisht mes të rinjve.
Tradicionalisht, dita e çifteve në Kinë është në fakt Festivali Qixi (Festivali i Shtatë i Dyfishtë). Kjo datë bazohet në kalendarin hënor të Kinës dhe çiftet e përdorin këtë ditë për të festuar në të njëjtën mënyrë si festojmë ne ditën e Shën Valentinit – duke dhënë dhurata dhe duke shijuar darka romantike.