Projekti i “1 miliard euro“ (One Billion) i PPP-ve që u prezantua me bujë në fillim të vitit që shkoi parashikonte ndërtimin e së paku 7 projekteve të mëdha të infrastrukturës, por tani, pas dy vitesh, ka degjeneruar në vetëm tre – katër projekte të vogla, shumica rrugë me dy korsi, të cilat zënë gati 80 % të paketës fillestare të qeverisë dhe për më tepër nuk përfaqësojnë prioritetet infrastrukturore, që do të rrisnin produktivitetin në ekonomi, që ishin të përfshira fillimisht.
Kosto e tre rrugëve (Arbri, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat) ka arritur aktualisht në 98 miliardë lekë (rreth 780 milionë euro), me një rritje prej 118%, ose 420 milionë euro më shumë, në krahasim me parashikimin fillestar kur u prezantua projekti “1 miliard euro” (shiko tabelën: “Kosto totale e tre projekteve të rrugëve në zbatim”)
Paketa “One billion”
Në mes të vitit 2018, Ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës përpiluan projektet e paketës “One Billion” me vlerë 148 miliardë lekë. Projekti i parë në listë ishte ndërtimi i shkollave në Tiranë me vlerë 6,1 miliardë lekë. Projekti i dytë ishte financimi i një spitali rajonal në Fier, me financim 9,4 miliardë lekë. Më tej, 140 miliardë lekë do të angazhoheshin në ndërtimin e segmenteve të infrastrukturës rrugore, konkretisht:
-Ndërtimi i aksit Tiranë-Thumanë-Vorë, pjesë e boshtit të qendrës, u bë pjesë e paketës fillestare me koncesion kundrejt vlerës së financimit 34 miliardë lekë. Pjesa e dytë e këtij segmenti, ndërtimi i rrugës, Kashar – Rrogozhinë do të ndërtohej kundrejt vlerës 41 miliardë lekë (projekti aktualisht është pezull).
-Ndërtimi i rrugës Milot-Balldren është ofruar për koncesion PPP kundrejt një financimi nga buxheti i shtetit 14.2 miliardë lekë.
-Nëpërmjet kësaj forme ishte programuar të financohet edhe projekti i tretë segmenti Orikum – Himarë, me vlerë 17 miliardë lekë.
-Projekti i katërt në program ishte përfshirë edhe Rruga e Arbrit, me financim 24 miliardë lekë.
Sipas skemës që zbardhi ministri i Financave në atë kohë, Arben Ahmetaj, sipërmarrësit që do të bëhen pjesë e realizimit të këtyre investimeve, duhet të financonin 20% të vlerës së projektit nga kapitalet e veta. Ministria shpjegoi se buxheti i shtetit do të niste të shlyente investitorët, vetëm pasi të jetë bërë 50% e investimit, por këto detaje do të sqaroheshin në kontratat individuale që do të lidhen për secilin nga projektet. Nga ana tjetër, qeveria synon të shlyejë kompanitë gjatë një periudhe 10-15-vjeçare.
Nuk kanë kaluar as dy vite nga prezantimi i kësaj pakete dhe qeveria ka ndryshuar tërësisht paketën “1 miliard euro”, duke hequr projektet e rëndësishme dhe duke fryrë projektet e mbetura.
Tashmë pjesë paketës “1 miliard euro” është Rruga e Arbrit, kostot e së cilës arritën nga 24 miliardë lekë të programuara, nga Ministria e Infrastrukturës, fillimisht, në 58 miliardë lekë sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Financave të azhurnuara në tabelën e koncesioneve që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2010. Shuma është 45% më e lartë sesa oferta zyrtare e kompanisë që ishte 33.6 mld lekë pas TVSH (40 mld lekë me TVSH) dhe nuk ka asnjë transparencë për këtë vlerë të re.https://www.monitor.al/qeveria-rrit-me-45-financimin-per-ppp-ne-e-rruges-se-arbrit-e-con-ne-460-mln-euro/
Nga projektet fillestare të 1 miliardëshit është edhe aksi Milot-Balldren, i cili nga 14 miliardë lekë në paketën fillestare, ka arritur aktualisht në 29 miliardë lekë. Kontrata u rinegociua pa garë, duke përfshirë dhe interesat, një praktikë e panjohur më parë. https://www.monitor.al/rruga-milot-ballden-kosto-sa-dyfishi-nese-qeveria-do-e-ndertonte-vete-si-u-rinegociuan-interesat-pa-gare/
Nga projektet fillestare është zbatuar gjysma e segmentit të rrugës Orikum – Dukat, pjesë e aksit Orikum – Himarë me vlerë 9 miliardë lekë, nga 6.2 miliardë lekë fillimisht.
Paketa aktuale 1 miliard aktualisht nuk ka programuar boshtin e qendrës, rrugën Thumanë – Kashar 24 miliardë lekë dhe Kashar -Rrogozhinë me vlerë 41 miliardë lekë. Më herët, këtë vit, qeveria e anuloi koncesionin e Kashar-Rrogozhinë që u fitua nga kompania Gener 2 me arsyetimin se fondet do të devijoheshin për Paktin me Universitetin.
Tabela nr.1
Vlerat e kontratave të parashikuara kur u prezantua projekti “One Billion”, në vitin 2018, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë
Tabela nr.2
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.