Një nga shumë gjërat që janë përmbysur nga pandemia e koronavirusit në mbarë botën, është edhe axhenda ambicioze e Kroacisë për mandatin e saj 6-mujor në krye të Bashkimit Europian, i cili përfundoi të martën.
“Pavarësisht planeve tona fillestare, në lidhje me promovimin e një sërë çështjesh të rëndësishme për sigurinë dhe prosperitetin e Europës… presidenca jonë ka përfunduar në një presidencë për menaxhimin e krizave”, tha Pjer Simunovic, kryediplomati kroat në Uashington.
Simunoviç tha se vendi i tij mori në krye detyrën në janar, me planet për të adresuar punësimin, teknologjinë, konkurrencën, mjedisin, energjinë e gjelbër, zgjerimin e BE-së, partneritetet e jashtme, si dhe për të punuar për një Brexit të qetë dhe të planifikuar mirë dhe miratimin e buxhetit të BE-së.
Në vend të kësaj, presidenca e Kroacisë është mbizotëruar nga “takime virtuale që zëvendësojnë takimet ballë për ballë në të gjitha nivelet, dhe pothuajse çdo gjë është përqendruar në trajtimin e menjëhershëm të rrezikut të shumanshëm të krizës”.
“Të gjithë duhet të planifikonim dhe të ekzekutonim në çast”, shtoi ai.
Roli i presidencës së BE-së është të ndërtojë konsensus dhe të lehtësojë vendimmarrjen e përbashkët midis gati 30 anëtarëve të bllokut, tha Simunovic. Për këtë qëllim, ai u kërkoi shteteve anëtare që të punonin së bashku për të sjellë në shtëpi më shumë se 500,000 qytetarë të BE-së, të cilët ishin lënë të bllokuar nga pandemia në vende të ndryshme të botës.
Simunoviç tha se vendi i tij – anëtar i BE-së që nga viti 2013 – gjithashtu përkrahu idenë që bashkimi të hapë bisedimet e anëtarësimit me dy vende të tjera në Europën Juglindore – Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një samit BE-Ballkan Perëndimor në maj, konfirmoi “angazhimin e BE-së për rajonin”, tha ai.
Si një shembull tjetër i solidaritetit brenda BE-së, ambasadori përmendi negociatat e vazhdueshme për paketat e ndihmës financiare për vendet anëtare të dëmtuara më rëndë nga pandemia.
“Përveç paketës së parë të ndihmës prej 500 miliardë eurosh, të miratuar në prill, e plotësuar me një paketë bankare që lehtëson kreditimin, në fund të majit, Komisioni Europian propozoi paketën e dytë të ndihmës, e cila përbëhet nga 750 miliardë euro, 500 miliardë në grante, 250 miliardë kredi të favorshme”, tha ai.
Simunoviç e cilësoi propozimin si “të drejtë, të ekuilibruar dhe të përshtatshëm”, duke shtuar se përparimi drejt një marrëveshjeje u bë në samitin përfundimtar të BE-së gjatë presidencës së Kroacisë, duke përfshirë një zotim për të përfunduar një marrëveshje për një samit në korrik.
Analistët e pavarur gjithashtu janë befasuar nga suksesi i BE-së në përgjigjen ndaj pandemisë.
“Ekziston një ndjenjë krenarie dhe habie mbi faktin që Europa e mori veten kaq shpejt”, tha Stephen Szabo, një anëtar i vjetër i Institutit Amerikan për Studime Bashkëkohore Gjermane dhe një profesor në Universitetin Georgetown. Por ai tha se suksesi erdhi vetëm pas “një fillimi katastrofik” ku vendet anëtare nuk arritën të ndihmojnë vendet e goditura më rëndë, si Italia.
“Gjithsesi kjo është vetëm faza e parë e asaj që pritet të jetë një krizë afatgjatë”, tha ai, duke shtuar se efektet ekonomike “do të ndihen me vite dhe do të paraqesin një sfidë për solidaritetin europian”.
Simunoviç diskutoi për konceptin e “autonomisë strategjike” teksa pandemia po i detyron kombet të vlerësojnë forcën e zinxhirëve të tyre të furnizimit. Nocioni është krejtësisht i kuptueshëm, tha Simunoviç, por beson se bashkëpunimi midis anëtarëve të BE-së do të jetë kritik në të ardhmen.
Ai parashikoi se lidhjet “do të vendosen dhe forcohen përgjatë vijave të besueshmërisë” midis atyre që ai i përshkroi si “aleatë të vërtetë”.
Simunoviç tha se Europa është e gatshme të punojë me Shtetet e Bashkuara për të forcuar lidhjet transatlantike dhe për të adresuar sfidat globale, përfshirë ato të paraqitura nga aktorët shtetërorë që luajnë sipas rregullave të ndryshme – në veçanti, Rusia dhe Kina.
“Globalizimi nuk do të zhduket, tregtia dhe investimet do të vazhdojnë nëpër botë, siç po ndodh, por do të ketë më shumë kujdes dhe më shumë masa mbrojtëse” – tha ai. Ambasadori parashikoi që Gjermania, e cila merr presidencën për një mandat gjashtëmujor, duke filluar të mërkurën, do të ndodhet në të njëjtin pozicion si Kroacia me përpjekjen e vazhdueshme “për të menaxhuar krizat dhe çështje të vështira që kanë mbetur për t’u zgjidhur”.
“Ne u urojmë miqve tanë gjermanë fat të mbarë duke u ofruar mbështetje të plotë dhe pritshmëri të mëdha”, tha ai. “Ndodhemi të gjithë në të njëjtën varkë mes deteve të trazuar”.