Të dhënat makroekonomike shkaktuan habi në mbarë vendin. Sipas të dhënave, për sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, Rumania ia ka kaluar Hungarisë.
Rumania arriti PBB-në hungareze për frymë. PBB-ja për frymë e Hungarisë në vitin 2022, ishte 77% e mesatares së BE-së në Barazinë e Fuqisë Blerëse (PPP), sipas një njoftimi paraprak nga Eurostat.
Dhe ndërsa PBB-ja për frymë e Rumanisë ishte 74.1% e mesatares së BE-së në vitin 2021, në vitin 2022, ajo u rrit në 77%. Kjo e vendos Rumaninë, Portugalinë dhe Hungarinë në vendin e 8-të në listën e përgjithshme.
Tani duket se ekonomia rumune po bëhet gjithnjë e më e fortë, duke ia kaluar asaj hungareze për sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë.
Si e arriti hapin ekonomia rumune?
Gjatë epokës së Çausheskut, ekonomia rumune ishte në një gjendje të tmerrshme. Gjatë disa viteve, u formua një regjim i ngjashëm me Republikën Demokratike Gjermane të asaj kohe.
Ndryshe nga sistemet politike hungareze dhe jugosllave, të cilat në sipërfaqe dukeshin perëndimore, niveli i zhvillimit ekonomik në Rumani, kishte mbetur mbrapa, përveç qyteteve të mëdha të frekuentuara nga turistët.
Ndryshimet në nivelin e politikave kulturore dhe kombëtare, u përhapën shpejt edhe në sistemin ekonomik. Struktura ekonomike e përqendruar më parë tek eksporti, është bërë e orientuar nga importi.
Vetëmjaftueshmëria është bërë gjithnjë e më qendrore në planifikimin ekonomik. Revolucioni rumun i vitit 1989, mund të shihet edhe si një protestë urie, që ishte rezultat i varfërimit masiv të nxitur nga sistemi i instrumenteve të qeverisë.
Pas kësaj, Rumania filloi jetën e pavarur si një vend industrial mesatarisht i zhvilluar dhe praktikisht pa borxh publik në valutë të huaj.
Nga ana tjetër, gjatë dekadave të Kádárism-it, Hungaria grumbulloi një nga nivelet më të larta në botë të borxhit publik për frymë, ndërsa Rumania i kishte shlyer borxhet e saj në valutë të huaj.
Niveli i raportit të borxhit si faktor kyç
Rumania qe e suksesshme në rritjen e PBB-së, kryesisht falë nivelit të moderuar të raportit të borxhit, sidomos falë fluksit hyrës të kapitalit qarkullues i cili është rritur që nga fundi i viteve 1990.
Ndërkohë, Hungaria ka përjetuar një sërë krizash të reja borxhi, që nga vitet 1970, dhe burimet e saj më të mira publike janë konsumuar nga shlyerjet e borxhit.
Në përputhje me sa më sipër, shpjegimi kryesor për dinamikën e rritjes ekonomike të Rumanisë, lidhet me raportin e ulët të borxhit, niveli i të cilit, edhe gjatë krizës së COVID-19, nuk e ka kaluar nivelin 50%, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ministri i Financave: Institucionet financiare ndërkombëtare këshillojnë që Rumania të kalojë në tatimin progresiv brenda 3-5 viteve
Ministri i Financave nga Partia Social Demokrate Rumune (PSD), Adrian Câciu, pohoi se të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare, e këshillojnë Rumaninë që të kalojë në taksimin progresiv brenda 3-5 viteve dhe njoftoi se do të organizohet një debat për këtë, por jo tani, raportoi Economedia.ro.
Ndërkohë, media publikoi raportin e Bankës Botërore mbi reformat e rekomanduara fiskale të kryera sipas Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë për Rumaninë.
Banka Botërore këshillon që Rumania të braktisë sistemin e taksave me një normë dhe të zëvendësojë lehtësimet tatimore të shtrira në sektorë (teknologji, ndërtim dhe bujqësi) me përfitime sociale të shtrira në një mënyrë më të shënjestruar për ata që kanë nevojë për to (familje me të ardhura të ulëta, familje me fëmijë), sipas ursdeguvernare.ro.
Në mënyrë të ngjashme, lehtësimet tatimore të ofruara për kompanitë që riinvestojnë fitimin e tyre, duhet të rivlerësohen dhe të zëvendësohen me një sistem kreditimi investimi.