Rënia ekonomike e shkaktuar si pasojë e pandemisë së koronavirusit ka qenë e pashembullt. Për herë të parë në histori, BE-ja pezulloi rregullat e saj fiskale mbi deficitet publike dhe Banka Qendrore Europiane prezantoi një paketë stimuluese prej 750 miliardë eurosh.
Që nga shpërthimi i Covid-19 në Europë, dhe veçanërisht në shtetet që kanë shënuar numrin më të lartë të të prekurve, sin ë Itali apo në Spanjë, shumë kompani janë mbyllur plotësisht.
Humbja e turizmit
Në Barcelonë, një nga qytetet më të vizituara të Europës, ndikimi i kësaj krize është i dukshëm. Shqetësimi po rritet akoma më shumë në drejtim të pasojave që ajo do të ketë mbi ekonominë dhe masat që do të merren në nivel kombëtar dhe europian për të mbrojtur bizneset dhe humbjen e vendeve të punës.
Turizmi përfaqëson gati 13% të PBB-së dhe është një nga sektorët që kontribuon më shumë në ekonominë e vendit. Njëkohësisht,ky është një prej sektorëve që është goditur edhe më shumë nga kjo krizë. Eric Basset, një pronar i një prej restoranteve më të njohura, shprehet kështu:
“Ne nuk e dimë nëse do të kthehen klientët, nuk e dimë nëse turizmi ndërkombëtar do të vazhdojë të ketë po atë ndikim që ka pasur në Barcelonë, pasi kjo krizë të kalojë. Ajo që ne duam me të vërtetë është një mbështetje konkrete dhe të vërtetë për punonjësit tanë dhe për ne dhe që të jemi në gjendje të rifillojmë sërish punën tonë aty ku e lamë përpara se të shpërthente kjo pandemi. Shteti duhet të na ndihmojë me një fond të cakuar parash që të na lejojë të rifillojmë aktivitetin sërish nga e para, ditë pas dite”.
Falë krijimit të një fondi europian dhe rregullave më fleksibile buxhetore në Europë, qeveria spanjolle ka caktuar 200 miliardë euro, rreth 20% të PBB-së së saj, në mbështetje të ekonominë së vendit. Në 65 vjet, Roberto Torregrosa, nga Shoqata Katalanase e Turizmit (ACPT) dhe Drejtori i rrjetit të hoteleve Guitart, nuk i mbylli kurrë hotelet e tij. Ai shpreson për marrjen e masave më të koordinuara.
“Nëse ne nuk do të kemi mbështetje nga bankat, qeveria, furnitorët dhe klientët, ne nuk do të jemi në gjendje që ta kalojmë këtë krizë dhe t’ia fillojmë sërish. Ne kemi nevojë që liderat e vendeve të Unionit të jenë të vendosur dhe të diktojnë të njëjtat politika, një politikë të përbashkët”, thotë z. Torregrosa.
96% e NVM-ve spanjolle janë goditur shumë nga kjo krizë dhe se rreth 1.5 milionë vende pune mund të humben. Edhe nëse Banka Qendrore Europiane njofton se do të krijojë likuiditet falë një plani emergjent prej 750 miliardë eurosh, paqartësitë që mbeten janë ende shumë të mëdha.
Rreth Prgaramit të Blerjes së Emergjencës Pandemike të BQE-së prej 750 miliardë eurosh:
- Ai synon të mbështesë likuiditetin dhe gjendjen financiare të të gjithë sektorëve të ekonomisë së Eurozonës.
- Është një program i përkohshëm i blerjes së pasurive të letrave me vlerë të sektorit privat dhe publik.
- Ai ka një buxhet të përgjithshëm prej 750 miliardë eurosh.
- Blerjet do të bëhen të paktën deri në fund të vitit 2020.
- Të gjithë sektorët e ekonomisë mund të përfitojnë prej tij
- Kjo vlen njësoj si për familjet, firmat, bankat dhe qeveritë.
“Është e vërtetë që shumë masa janë diskutuar deri më tani, por asnjë prej tyre nuk është ndërmarrë ende dhe ne kemi frikë se deri kur të arrihet një konsensus unanim, do të jetë tepër vonë për të shmangur një krizë që padyshim, nga një këndvështrim ekonomik do të jetë shumë e forte”, shprehet Celia Ferrero, Zv/Presidente e Federatës Kombëtare të Punëtorëve të Pavarur (ATA).
“Dhe në çdo rast, do të ketë një zhgënjim të madh nëse nuk do të ketë një përgjigje unanime dhe solide ndaj kësaj krize, duke krijuar likuiditetin që kësaj situate i nevojitet, dhe duke luajtur të gjithë të njëjtën lojë. Sepse ka shumë NVM dhe punëtorë të pavarur, që pa dyshim do të lihen pas”.
Intervista me Komisionerin e Ekonomisë, Paolo Gentiloni, se si BE-ja do të mbështesë njerëzit dhe bizneset që po përballen me këtë krizë të pashmebullt.
Efi Koutsokosta, Euronews:
Të gjitha këto përpjekje të shteteve anëtare për të mbështetur ekonomitë e tyre në këtë krizë të madhe çojnë gjithashtu në një rritje të borxhit. Si do ia dilni në këtë drejtim?
Paolo Gentiloni, Komisioneri i Ekonomisë së BE-së:
Përgjigja ime është e thjeshtë “duhet të kemi besim tek BQE-ja”, sepse në fakt, unë mendoj se BQE-ja dhe globalisht të gjitha Bankat Qendrore reaguan në një mënyrë shumë të mirë dhe Programi i Jashtëzakonshëm i Blerjes nga BQE-ja, ishte shumë i rëndësishëm në stabilizimin e tregjeve dhe për të shmangur copëzimin, veçanërisht në zonën e Euros. Kështu që, për momentin mendoj se kjo është një ndër masat ideale për të mbajtur nën kontroll situatën që të gjithë ne po kalojmë.
Efi Koutsokosta, Euronews:
A është ky momenti i duhur për të emetuar koronabondet?
Paolo Gentiloni, Komisioneri i Ekonomisë së BE-së:
Emetimi i bonove financiare është një prej problematikave përballë së cilës na ka vendosur kjo situatë. Tani, ne duhet të ndajmë angazhimet për të përmbushur këto synime sepse kjo nuk është diçka që mund të arrihet vetëm nga disa shtete, qoftë më të forta apo më të dobëta ekonomikisht. Kjo është diçka të cilën ne duhet ta përballojmë të gjithë së bashku.
Efi Koutsokosta, Euronews:
Por, a është momenti i duhur për këto koronabonde? Dhe a është refuzimi nga ana e Gjermanisë apo Hollandës si një formë solidariteti me shtetet më të dobëta?
Paolo Gentiloni, Komisioneri i Ekonomisë së BE-së:
Një “jo” ndaj solidaritetit të këtij momenti mund të rrezikojë të gjitha projektet tona, por ne do të diskutojmë edhe mundësi të tjera, si mundësinë e përdorimit të Mekanizmit të Stabilitetit Europian (ESM), ose mundësinë e emetimit të bonove, por ekziston edhe buxheti i Bashkimit Europian, si edhe mundësia për të forcuar rolin e Bankës Europiane të Investimeve. Unë mendoj se ministrat e financave do të diskutojnë mbi një paketë mjetesh për të arritur konsensus mbi masat e nevojshme për të ardhmen e afërt.
Efi Koutsokosta, Euronews:
Të shumta janë edhe diskutimet që po bëhen ditët e fundit, në lidhje me “pamjen e re” që do të ketë marrë bota pas krizës së koronavirusit. A mendoni se Marrëveshjet duhet të rishikohen ?
Paolo Gentiloni, Komisioneri i Ekonomisë së BE-së:
Ky nuk është një diskutim që mund të bëhet sot për sot. Me siguri ne do të kemi një ndërhyrje më të fortë publike në një nivel kombëtar, roli i shtetit do të jetë më i fortë në krahasim me të kaluarën dhe ne duhet të luftojmë për një sistem më të fortë të kujdesit shëndetësor, një angazhim më të fortë për shtetin e mirëqenies, por gjithashtu duhet të dimë që një rol më i fortë i shtetit mund të nënkuptojë që ne të tërhiqemi dhe të shkojmë më shumë drejt modeleve autoritare që vijnë nga jashtë dhe brenda Bashkimit tonë dhe kjo e fundit mund të jetë një rrezik i vërtetë për botën tonë pas pandemisë./Euronews