Përpunuesit e qumështit janë sipërmarrësit më të dëmtuar nga ndryshimet e shpeshta fiskale.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Donjaldo Hoxha, pohoi për “Monitor” se bujqësia dhe sektori i përpunimit janë shembull konkret sesi mund të dëmtohet dhe riskohet jashtëzakonisht shumë nga ndryshimet e shpeshta të paketës fiskale.
“Në 2017, rimbursimi i TVSH-së për fermerët ishte 20%; më pas nga 2018 e në vazhdim u bë 6%; më pas nga 2022 u bë 0%. TVSH e imputeve bujqësore ishte 20%, u bë 0%, pastaj shkoi 10%. Paketa e re fiskale e vitit 2022, do të shtojë një akcizë 6 lekë për litër për gazin, nga data 1 korrik, pikërisht në periudhën kur çmimet e gazit janë më të larta ndër vitet e fundit.
Ndryshimet e shpeshta të paketës fiskale nuk janë asnjëherë ndihmë, por çorientim i vazhdueshëm në lidhje me aktivitetin e biznesit. Edhe më e vështirë dhe çorientuese është për fermerin dhe biznesin bujqësor, sepse sapo përshtaten me një politikë të caktuar fiskale, menjëherë ndryshohet duke mos u dhënë mundësinë të zhvillohen apo planifikojnë hapa afatgjatë, sepse parametrat fiskale lëvizin nga viti në vit”, nënvizon z. Hoxha.
Çmimi i qumështit, si lëndë e parë, po blihet më shtrenjtë se asnjëherë nga fabrikat e përpunimit, sepse kostot e fermerëve dhe blegtorëve janë rritur pa fund. Çmimi i misrit është 3-fishuar, soja 2-fishuar, jonxha 3-fishuar. Inputet bujqësore kanë shkuar 250% rritje (nitrati, ureja, fosfati). Një fermë që në vitin 2021 shpenzoi 1,100,000 lekë për inpute bujqësore për të mbjellë tokat e veta.
Po e njëjta fermë, për të mbjellë të njëjtën sipërfaqe në vitin 2022, shpenzoi 3,700,000 lekë. Qumështi i lopës është 31% më i lartë, ai i deles 33% dhe ai i dhisë 50%. Për të ndaluar ikjen e blegtorëve, fabrikat e qumështit janë të detyruara ta blejnë më shtrenjtë qumështin.
Shtimin e kostove, operatorët janë të detyruar ta amortizojnë në rritjen e çmimeve të produkteve të bulmetit. Secila kompani në treg këtë vit ka rritur të paktën 2 deri 3 herë çmimet për konsumatorin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.