Ju arritët që përmes telefonit të rregullonit një intervistë për një punë të re. Por në momentin që ju takoni shefin tuaj në perspektivë ballë për ballë, gjërat me shpejtësi shkojnë për poshtë. Ose takimi juaj zgjat shumë pak, ose juve ju thuhet shkurt dhe prerë që vendi i punës është zënë nga dikush tjetër.
Ky skenar është shumë familjar për një sërë njerëzish mbi-peshë që kanë përjetuar diskriminim për rrjedhojë të peshës. Ndërsa shumë viktima kanë dyshuar se pamja e tyre po u dëmtonte karrierën, dy studime që analizojnë dekada kërkime tregojnë se sa i përhapur është ky problem.
“Nuk është vetëm diçka që ka të bëjë me masat,” thotë Mark Roehling, profesor në ‘Michigan State University’ për burimet njerëzore dhe autor i analizës së 30 studimeve që shqyrtojnë diskriminimin e lidhur me peshën. “Për obezitetin ne kemi çdo arsye të besojmë se diskriminimi ka një efekt domethënës te njerëzit.”
Diskriminimi në bazë të peshës, në mënyrë të vazhdueshme, ndikon çdo aspekt të punësimit, nga marrja në punë te pushimi nga puna, promovimi në punë, paga, disiplina, sipas punës së Roehling.
Kjo tendencë duket se është më e përhapur gjatë procesit të marrjes së punë, kur një punëdhënës e njeh shumë pak punëmarrësin potencial dhe si rrjedhojë ka më shumë mundësi që të ndikohet nga pesha e tij, thotë Cort Rudolph, kërkues i ‘Wayne State University’. Rudolph prezantoi një tjetër analizë të 25 studimeve lidhur me këtë çështje.
Kërkimet gjithashtu kanë treguar se kjo prirje ka më shumë të ndihet nga gratë mbi peshë. Një studim nga profesori i Cornell University, John Cawley gjeti se kur një grua mesatare shton dukshëm në peshë, paga e saj bie me 9%.
Një tjetër studim nga Charles Baum, i Middle Tennessee State University, ka treguar se obeziteti mund të ulë fitimet mesatare vjetore të një gruaje me rreth 6.2% dhe të një burri me rreth 2.3%.