Vionel Meta, Administrator i Baronesha
Baronesha është një nga supermarketet e para në vend që shënjestron vetëm produktet bio, vegane, premium food, me mallrat, që vijnë pa ndërmjetës nga Anglia, Franca, Gjermania, Italia etj. Vionel Meta, Administrator i Baronesha, pohon se interesi për produktet bio ka ardhur në rritje vit pas viti, sidomos për ushqimet e fëmijëve. Meta pohon që sfida kryesore për prodhuesit shqiptarë bio është arritja e standardeve europiane.
Shteti thotë ai, duhet t’i ndihmojë ata si direkt për përmirësimin e aftësive prodhuese ashtu dhe përmes ndërtimit të ambienti dedikuar tërësisht prodhimeve vendase organike.
Si e vlerësoni interesin e shqiptarëve për ushqimet bio vitet e fundit dhe për cilat produkte ka më shumë kërkesë?
Është e vërtetë që vitet e fundit shqiptarët kanë filluar të ndërgjegjësohen për cilësinë e ushqimit që konsumojnë dhe për përzgjedhjen e produkteve të shëndetshme në regjimin e tyre. Për të qenë në linjë me nevojat e konsumatorit, ne kemi sjellë një gamë të gjerë të produkteve Bio dhe Organike, sigurisht të markave më të njohura në Europë dhe në botë, të cilat njihen për cilësi të lartë dhe normalisht janë të certifikuara nga institucionet përkatëse europiane.
Produktet më të kërkuara nga klientët tanë janë kryesisht ato që konsumohen në vaktin e mëngjesit si drithëra, muesli, granola, fara të ndryshme që njihen si super ushqime, fara lini, fara chia, spirulina, chlorella, acai etj, apo pluhura bimorë pak më të veçantë që nuk gjenden në Shqipëri.
Sa të gatshëm janë konsumatorët të paguajnë më shtrenjtë për produkte organike?
Kjo është pak relative, sepse çdo njeri mundohet të përshtatet me standardin e tij të jetesës dhe buxhetin që disponon. Megjithatë, ajo që kemi vënë re në 2 vite e gjysmë te Baronesha, është që kur vjen puna te ushqimi i mirë dhe cilësor, pasi kanë krijuar besimin në produkte, klientët janë të prirur të kërkojnë më të mirë! Sidomos tek ushqimet e fëmijëve! Më në fund, edhe në Shqipëri është krijuar zakoni t’i jepet me shume përparësi shpenzimit për ushqime cilësore, organike dhe të shëndetshme!
Sipas sugjerimit tuaj, cilat janë disa nga masat që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare për të nxitur industrinë vendase të prodhimeve organike?
Duke qenë se ne udhëtojmë shpesh për të parë nga afër prodhuesit e markave dhe produkteve organike që sjellim në Shqipëri, në mënyrë që të sigurohemi për cilësinë e asaj që tregtojmë, kemi parë që standardet europiane të prodhimit të ushqimeve janë shumë të larta. Për Shqipërinë është ende një sfidë shume e madhe për të arritur në ato nivele, por ajo që ne do të mund të sugjeronim do të ishte një mbështetje dhe investim më i madh nga institucionet shtetërore për fermerët për të rritur dhe përmirësuar aftësitë e tyre prodhuese. Gjithashtu pozitivisht do të ndikonte, ndërtimi i një ambienti dedikuar tërësisht prodhimeve vendase organike, sigurisht sipas standardeve europiane.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.