Pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022 ka bërë që shumë qytetarë ukrainas të largohen nga vendi për arsye sigurie.
Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), që nga 15 nëntori 2022, pothuajse 8 milionë ukrainas u larguan nga vendi, nga të cilët rreth 5 milionë u vendosën në BE, vala më e madhe e emigrimit që nga Lufta e Dytë Botërore.
Gati 5.5 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin (2023), shkruajnë Olga Pogarska, Olga Tucha, Inna Spivak dhe Olga Bondarenko për CEPR.
Shpenzimet e emigrantëve ukrainas jashtë vendit nxisin konsumin privat në vendet pritëse dhe për pasojë, edhe rritjen ekonomike. Sipas të dhënave të grumbulluara nga Banka Kombëtare e Ukrainës, shpenzimet e ukrainasve jashtë vendit arritën në 2 miliardë dollarë në muaj në vitin 2022, tri herë më shumë se një vit më parë.
Në fillim të luftës në Ukrainë, emigrantët kryesisht i mbuluan shpenzimet me kursimet që kishin ruajtur në bankat ukrainase, duke përdorur kartat për të bërë pagesa dhe për të tërhequr para. Ndërsa ukrainasit filluan të punësohen jashtë vendit, pagat e fituara në vendet pritëse, janë bërë burimi kryesor i financimit të shpenzimeve të tyre.
Emigrantët ukrainas shkaktuan një rritje afatshkurtër të tregtisë me pakicë dhe konsumit privat në Poloni dhe në Estoni, megjithëse ato u kthyen në nivelet e paraluftës në qershor.
Në veçanti, banka Credit Agricole përcaktoi flukset hyrëse të emigrantëve nga Ukraina si nxitësin kryesor të rritjes së përshpejtuar të shitjeve me pakicë në Poloni në muajin mars, gjë që kompensoi ndikimin negativ të inflacionit dhe besimit më të ulët të konsumatorit në shpenzimet e familjeve.
Në vende të tjera, ndikimi i emigrimit nga Ukraina, është tejet i vogël për shkak të numrit të vogël të emigrantëve, në krahasim me popullsinë e vendit pritës (si në Gjermani), ose kostos më të lartë të jetesës (në Gjermani, Çeki, Austri, Francë, Zvicër, Holandë dhe Mbretëri e Bashkuar).
Mbështetur në vlerësimet nga hulumtimi i FMN-së dhe sondazheve të OKB-së, duke i marrë në konsideratë të gjithë faktorët e tjerë të barabartë, kontributi i emigrantëve ukrainas, do të rrisë prodhimin në vitin 2026, krahasuar me skenarin bazë pa emigrim, me 2,2% – 2,3% në vende si Estonia, Polonia dhe Çekia, dhe me 0,6% – 0,65% në Gjermani.
Për llogaritjet, ne përdorëm të dhënat e OKB-së për numrin e emigrantëve ukrainas dhe sondazhet e OKB-së, sipas të cilëve, përqindja e grave me fëmijë në numrin e përgjithshëm të emigrantëve, është 87%.
Ne morëm gjithashtu parasysh raportin prej 1.2 fëmijë për një grua në Ukrainë, duke hamendësuar se 70% e emigrantëve në moshë pune do të punësohen gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu u hamendësua se raportet e mësipërme ishin të barabarta për të gjitha vendet.
Pavarësisht efekteve pozitive afatmesme, prania e emigrantëve shkakton disa sfida afatshkurtra.
Në veçanti, shpenzimet e emigrantëve ukrainas ishin një faktor shtesë për ritmet e larta të rritjes së inflacionit në BE, ku ai ishte tashmë i lartë për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë. Inflacioni ishte mbi nivelin 20% në bazë vjetore në Lituani, Estoni, Letoni dhe Hungari, rreth 18% në bazë vjetore në Çeki dhe Poloni dhe pothuajse 10% në bazë vjetore në Eurozonë.
Integrimi i emigrantëve ukrainas do të ndikojë në performancën e tregut të punës të vendeve pritëse. Në veçanti, BQE-ja pret që 25% deri në 55% e emigrantëve ukrainas në moshë pune, të marrin pjesë në fuqinë punëtore të Eurozonës në periudhën afatmesme.
Megjithëse emigrantët krijojnë sfida shtesë për financat e shtetit në një periudhë afatshkurtër, ata kanë të ngjarë të kenë ndikim pozitiv në buxhetin dhe ekonominë e vendeve pritëse, nëse emigrantët qëndrojnë në këto vende për disa vite dhe marrin pjesë aktive në tregun e punës.
Shpenzimet qeveritare të vendeve pritëse për arsimin, kujdesin shëndetësor dhe strehimin e emigrantëve, megjithëse kanë ndikim pozitiv në rritjen ekonomike, do të rrisin sfidat për financat publike të këtyre vendeve.
Firmat Bird dhe Amaglobeli (2022), vlerësuan ndikimin fiskal afatshkurtër të emigrantëve ukrainas në ekonomitë e vendeve të BE-së, në rreth 30-37 miliardë euro, ose 0,19-0,23% të PBB-së së BE-së. Shtetet në kufi me Ukrainën dhe vendet baltike do të përballojnë shpenzimet më të mëdha.
Sipas llogaritjeve nga Banka Europiane e Investimeve (2022), rreth 9% e PBB-së së Letonisë mund të shpenzohet për akomodimin e emigrantëve, gjithashtu më shumë se 7% e PBB-së së Estonisë dhe 4–6% e PBB-së së Hungarisë, Polonisë dhe Çekisë.
Nga ana tjetër, firma IFW Kiel, jep vlerësime shumë më të moderuara: sipas saj, shpenzimet mund të kalojnë shifrën prej 1% të PBB-së vetëm në Poloni, Estoni dhe Çeki.
Ndryshimi mund të pasqyrojë vlerësime të ndryshme si për numrin e emigrantëve, ashtu edhe për shpenzimet për një person (10,000 € sipas Bankës Europiane të Investimeve dhe 6,000 € sipas firmës Kiel).