Italia vijon të mbetet partneri kryesor i Shqipëria sa i përket eksporteve. Drejt këtij shteti shkuan rreth 48% e totalit të shitjeve tona në 2019-n, sipas tabelave të publikuara nga INSTAT.
Por, eksportet drejt Italisë kanë shënuar dhe rënien më të madhe në vlerë absolute në 2019-n, duke u tkurrur me 4% në 143 miliardë lekë. Kjo tendencë është e lidhur kryesisht me performancën e dobët të tekstileve e këpucëve, mbi 70% e të cilave ka si destinacion Italisë. Aktorët e tregut pohuan se rënia lidhet kryesisht me zhvlerësimin e euros, që ka prekur fitimet dhe ndryshimin e kërkesës nga fqinjët. Tre grupet kryesore që eksportohen në Itali janë “Tekstile dhe këpucë” (rreth 60% e totalit), “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”
Kosova ka vijuar të jetë sërish edhe në 2019-n partneri i dytë tregtar i Shqipërisë. Ndryshe nga Italia, eksportet drejt vendit fqinjë kanë shënuar rritjen më të madhe në vlerë absolute, duke u rritur me 10% në gati 30 miliardë lekë. Gjithsesi, pesha e eksporteve drjet Kosovës mbetet shumë më e ulët se ajo e Italisë, me rreth 10% të totalit. Dy produktet kryesore që shkojnë në Kosovë janë nafta dhe metalet, të ndjekura nga materialet e ndërtimit dhe produktet ushqimore.
Spanja ka ruajtur vendin e tretë, ndonëse eksportte drjet këtij shteti kanë shënuar një rënie të lehtë me rreth 1%, në rreth 24 miliardë lekë. Spanja merr rreth 8% të eksporteve shqiptare. Marrëdhëniet me këtë vend mbahen pothuajse tërësisht nga një kompani e vetme, Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, e cila ka në Spanjë kontraktorin më të madh të saj, CEPSA. Një tjetër pritës i eksporteve shqiptare është dhe grupi Inditex, që prodhon markën e njohur Zara, përmes kontraktorëve shqiptarë në prodhimin e këpucëve.
Gjermania mbetet partneri i katërt, me 4.7% të eksporteve. Eksportet drejt Gjermanisë u rritën me 5% në 2019-n, me bazë vjetore, duke arritur në 14.2 miliardë lekë. Tre grupet kryesore të eksportuara, sipas INSTAT janë “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, ener. elek.”, “Ushqim, pije duhan”.
Në vend të pestë është Greqia, e cila dikur ishte partneri i dytë tregtar i Shqipërisë, pas Italisë. Që prej krizës së euros në vitin 2012, tregtia me shtetin fqinjë është zbehur. Drejt Greqisë shkuan në 2019-n, rreth 4.3% e eksporteve tona. Ecuria ishte negative, teksa eksportet ranë me 2.5% në 12.7 miliardë lekë. Tre grupet kryesore që eksportohen në Greqi janë “Tekstile dhe këpucë”, “Ushqim, pije duhan”, “Materiale ndërtimi dhe metale”.
Drejt këtyre 5 shteteve shkuan rreth 75% e eksporteve totale. Sipas një raporti të fundit të FMN-së për eksportet dhe vlerën e shtuar në Ballkan, Shqipëria është shteti që ka varësinë më të lartë nga një vend i vetëm, konkretisht nga Italia, çka e bën atë të varur nga zhvillimet që mund të kenë fqinjët.
Raporti shton se 45% e eksporteve të tregtueshme në Shqipëri përbëhen nga produkte që kërkojnë punë intensive, shumë më e lartë sesa shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku pas nesh vjen Maqedonia me rreth 13%.
Shqipëria ka gjithashtu një vlerë të ulët të shtuar në prodhim dhe është e përqendruar në produkte që kërkojnë punë intensive. “Pjesa e prodhimit në vlerën e shtuar bruto është e vogël – duke filluar nga rreth 4 përqind në Mal të Zi dhe 5% në Shqipëri në rreth 15 përqind në Serbi krahasuar me një mesatare prej 16 përqind ose më shumë në vendet e zhvilluara. Në Shqipëri dhe Bosnjë- Hercegovinë, sektori prodhues gjithashtu përbëhet nga kryesisht produkte me intensitet të lartë të punës, përkatësisht lëkurë, veshje dhe ushqime të papërpunuara.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.