Leja e lindjes do të përfitohet për nënat që për arsye të ndryshme do të lindin jashtë vendit, në rast se ato kanë 12 muaj periudhë sigurimi, para lindjes të së drejtës për marrjen e barrëlindjes. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin “Për sigurimet shoqërore të Republikës të Shqipërisë”, periudha e përfitimit të barrëlindjes do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes të fëmijës.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore sqaron nëpërmjet rubrikës “Pyesni online” se nëse nënat që zgjedhin të lindin fëmijën jashtë shtetit dhe plotësojnë kushtin e sigurimit 12 muaj periudhë sigurimi, përpara se të largohen, duhet të njoftojnë tek konsultorja e gruas (ku janë e ndjekur gjatë shtatzënisë) që lindjen do ta kryejnë jashtë shtetit.
Pas lindjes, sipas ISSH te konsultori duhet të dorëzohen këto dokumentacione.
“Me certifikatën e lindjes /ose aktin e lindjes (të përkthyer e të noterizuar) do të regjistroni fëmijën në gjendjen civile, e cila do t’iu pajisë me certifikatë fëmije për shpërblim dhe certifikatë dokument (të cilën do ta dorëzoni te Konsultori);
Konsultori, në bazë të certifikatës dokument dhe fotokopjes të dokumentit-aktit të lindjes jashtë, do t’iu trajtojë me raport 35 ditor (para lindje), 63 ditor (lehoni) dhe kujdes fëmije.”
Dokumentet që duhet të dorëzoni për të përfituar lejen e lindjes:
Fotokopje e Kartës së identitetit;
Certifikatë fëmije për shpërblim lindje;
Raporte para lindje, lehoni e në vazhdim kujdes fëmije;
Listëpagesë përfitimesh afatshkurtra, që e plotëson ekonomistja e subjektit.
Nëse nëna ka 30 ditë shkëputje nga puna në momentin që i lind e drejta e përfitimit, atëherë dokumentet mund t’i dorëzojë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (DRSSH) ku ka banimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.