Humbjet do të rikuperohen me vështirësi, shkruan The Economist
Në tre muajt e parë të pandemisë, Shawnie Bennett, një nënë beqare nga Oakland në Kaliforni, humbi punën dhe të vëllain, i cili vdiq nga Covid-19. Hidhërimi i bëri edhe më të vështira sprovat e karantinës, duke përfshirë ndihmën për shkollimin online të vajzës 8-vjeçare, Xa’viar. Në nëntor, zonja Bennett regjistroi vajzën në klasat online të ofruara nga një grup prindërish lokalë, të cilët e ndihmuan që ajo të takohej me një mësues çdo të shtunë në mëngjes. Aftësitë e saj në lexim po përmirësohen shpejt.
Mësimet e fundjavës janë një nga disa prej shërbimeve online të krijuara vitin e kaluar nga The Oakland Reach, një grup mbështetje. Më pak se një e treta e fëmijëve me ngjyrë dhe mulatë në Oakland, lexojnë në nivelin e tyre të klasës, thotë Lakisha Young, bashkëthemeluesja e grupit. Për pesë vjet, grupi i saj ka lobuar për përmirësime në shkollimin e tyre. Por kur mësimi u zhvendos online, grupi nisi të punësonte mësues për të punuar drejtpërdrejt me fëmijët.
Zonja Young mendon se familjet që kanë përfituar nga kjo, do të kërkojnë më tepër nga shkollat e tyre në të ardhmen; distrikti lokal tashmë ka grumbulluar para për të zgjeruar disa nga punimet e grupit të saj. Ajo thotë se pandemia krijoi një shans “për të krijuar gjëra për të cilat ne kemi luftuar prej kohësh”.
Goditje të mëdha ndonjëherë e kanë ndryshuar arsimin për mirë. Lufta e Dytë Botërore çoi në krijimin e Ligjit Butler në Britani, i cili rriti vitet e shkollimit të detyrueshëm dhe shfuqizoi tarifat e vendosura nga shumë shkolla shtetërore. Pasi Uragani Katrina përmbyti New Orleans, zyrtarët filluan reformat gjithëpërfshirëse mbi shkollat. Nëntë vjet më vonë, nivelet e diplomimit ishin rritur me 9-13%.
Covid-19 ndikoi arsimin në një shkallë që nuk ishte parë më parë. Nga mesi i prillit 2020, më shumë se 90% e nxënësve në botë, nuk frekuentonin klasat. Mbylljet kanë zgjatur me muaj, duke dëmtuar cilësinë e të mësuarit të fëmijëve (shih grafikun 1), sigurinë dhe mirëqenien. Megjithatë, ndërsa të rinjtë në vendet e pasura kthehen në klasat e tyre, reformatorët shpresojnë që tronditja të çojë në ndryshime që do t’i bëjnë shkollat më efikase, fleksibël dhe më të drejta.
Kritikët e shkollave moderne argumentojnë se shkollat thuajse nuk kanë ndryshuar fare që nga shekulli XIX, kur mësuesit filluan të braktisin shtëpitë shkollore me një dhomë, për institucionet e mëdha që i ndanin nxënësit në grupe sipas moshave. Ky është një ekzagjerim. Por modelet tradicionale të shkollës kanë rezultuar jashtëzakonisht të qëndrueshme, thotë Larry Kuban, historian i arsimit në Universitetin Stanford. Ai thotë se prindërit e vlerësojnë efikasitetin dhe rregullsinë e shkollës së modës së vjetër të klasifikuar sipas moshave. “Njerëzit e duan dhe e pëlqejnë, edhe pse ankohen për të”.
Megjithatë, edhe para pandemisë, kishte arsye për të pyetur nëse shkollat e vendeve të pasura po e humbisnin vrullin. Në testet e kryera nëpër vendet e pasura nga OECD, një grup ndërqeveritar, doli se, në përgjithësi, fëmijët nuk kanë rezultate më të mira se sa dy dekada më parë, edhe pse shpenzimet për nxënës janë në rritje. Shumë janë të mërzitur me metodat mësimore. Në vitin 2017, anketuesit në Gallup arritën në përfundimin se vetëm një e treta e gjimnazistëve në Amerikë ndiheshin “të angazhuar” në klasë.
Covid-19 dhe mbyllja e shkollave i detyroi mësuesit të kryenin mësime online për njëfarë kohe, duke përdorur platformat mësimore online. Programet mësimore mbetën mbrapa. Britania, Franca dhe Irlanda, midis të tjerave, anuluan provimet e mëdha përfundimtare. Për një pjesë të vitit 2020, shumë shkolla amerikane i shmangën fare notat, duke i klasifikuar studentët vetëm në ata që kanë kaluar vitin dhe ata që kanë dështuar.
Për shumicën dërmuese të familjeve në Amerikë, mësimi online ka qenë “zhgënjyes dhe katastrofik”, thotë Justin Reich nga Teaching Systems Lab në Massachusetts Institute of Technology (MIT). Të dhënat nga e gjithë bota tregojnë se, mesatarisht, fëmijët kanë mësuar shumë më pak sesa zakonisht. Deri në mars 2021, nxënësit e shkollave fillore në Angli kishin mbetur mbrapa gati tre muaj. Testet e fundit të verës për fëmijët në Belgjikë, zbuluan vonesa të ngjashme. Një studim i nxënësve në Holandë, zbuloi se në një periudhe 8-javore të mësimit online, në gjysmën e parë të vitit 2020, një nxënës mesatar nuk kishte mësuar asgjë të re.
Fëmijët që tashmë ishin në disavantazh, kanë vuajtur më së shumti. Studimi holandez zbuloi se humbja në të mësuar ishte më shumë se 50% më e madhe për fëmijët me prindër me arsim të ulët. Deri në vjeshtën e vitit 2020, fëmijët tetë dhe nëntë vjeç në Ohio kishin mbetur mbrapa në anglisht, me rreth një të tretën e një viti të të mësuarit, krahasuar me fëmijët në vitet e mëparshme. Rezultatet e testeve të studentëve me ngjyrë ishin thuajse 50% më të ulëta se ato të nxënësve të bardhë.
Shkolla ka pësuar krisje
Mbylljet e shkollave kanë theksuar rëndësinë e shkollimit ballë për ballë për shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve. Të rinjtë në Itali filluan të ushqeheshin më pak shëndetshëm, pasi u mbyllën shkollat. Raportet e abuzimit të fëmijëve kryesisht kanë rënë, për shkak se mësuesit (shpesh të parët që dallojnë shenjat e abuzimit), nuk i kanë takuar personalisht nxënësit.
Yoshinaga Sakura, mësuese në një shkollë të mesme në Numazu në Japoninë Qendrore, thotë se kur u mbyllën shkollat, disa fëmijë u lanë vetëm në shtëpi, pasi prindërit duhej të dilnin për të punuar. Ajo mendon se rastet e vetëdëmtimit janë rritur. Euan Morton, një mësues i shkollës së mesme në Melburn në Australi, thotë se disa fëmijë që kanë marrë pjesë në mësimin online, duken më pak të pjekur në sjelljen dhe qëndrimet e tyre: “Zhvillimi i tyre shoqëror nuk është përputhur me zhvillimin e tyre akademik”.
Sidoqoftë, ka pasur edhe disa shenja pozitive. Kriza ka përforcuar lidhjet midis mësuesve dhe prindërve, të cilat studimet kanë treguar se shoqërohen me rritje të frekuentimit dhe të rezultateve shkollore. Mbi gjysma e drejtuesve të shkollave amerikane të anketuar kohët e fundit nga Universiteti Johns Hopkins, thanë se ishin në kontakt më të ngushtë me prindërit sesa kishin qenë para mbylljes së shkollave. “Nuk kam folur ndonjëherë me prindërit më shumë sesa vitin e fundit”, thotë Katerine Dionne, mësuese në një shkollë publike në Connecticut.
Kriza e ka futur teknologjinë në një profesion që kishte qenë i ngadaltë për ta adoptuar atë. Nuk kishte “asnjë alternativë” përveç investimit në kompjuter, thotë Victoria Richmond, drejtoresha e një shkolle fillore në Anglinë Juglindore. Tani që fëmijët e shkollës janë kthyer në klasa, tabletat që shkolla u kishte dhënë të gjithë nxënësve, kanë qenë të dobishëm për përkthimin e mësimeve për fëmijët që nuk flasin anglishten si gjuhë të parë. Stephanie Downey Toledo nga Central Falls në Rhode Island, thotë se kriza ka përshpejtuar investimet e shkollave në teknologji me plot një dekadë. Një nga shkollat e rrethit tani ka një transmetues në çatinë e saj, i cili transmeton frekuenca në shtëpitë që nuk kanë lidhje të mira interneti. Ndërkohë, investimi i kapitalit sipërmarrës në firmat e teknologjisë arsimore është dyfishuar nga 7 miliardë dollarë në vitin 2019, në rreth 16 miliardë dollarë në vitin 2020, sipas Holon IQ, një grupi kërkimor.
Disa fëmijë duket se kanë performuar më mirë me mësimin në distancë, përfshirë ata që vuajnë nga ankthi ose që janë viktima të ngacmimit nga shokët. Disa nxënës që janë të ndrojtur për të folur në klasë i kanë pëlqyer më tepër metodat online. Jal Mehta nga Universiteti i Harvardit mendon se të mësuarit online ka ndihmuar disa fëmijë mjaft të talentuar që janë të motivuar dhe u pëlqen të mësojnë, por që “i shohin aspektet sociale të shkollimit si të lodhshme”. Neema Avashia, mësuese në Boston, thotë se pjesëmarrja e disa studentëve u rrit kur gjithçka që duhej të bënin ishte thjesht të ndiznin një kompjuter. “Mësimi në distancë e bëri të lehtë ndjekjen e shkollës edhe kur disa nga ne nxënësit nuk ishim në humor të mirë”, thotë Lila Conte, një 12-vjeçare nga Bronx.
Mbylljet e shkollave kanë rritur ndërgjegjësimin ndaj pabarazisë. Edhe para pandemisë, 16-vjeçarët nga familjet më të varfra të Anglisë, mbetën rreth 18 muaj mbrapa nga ana akademike, në krahasim me kolegët e tyre më të pasur. Aftësitë në matematikë të studentëve amerikanë me performancë më të lartë dhe atyre më të dobët, u theksuan edhe më tepër. Duke vënë re se mësuesit kishin vështirësi në shpërndarjen e laptop-ëve dhe ushqimeve për nxënësit e varfër, njerëzit tashmë e kanë kuptuar më mirë se si disavantazhi jashtë portave të shkollës ndikon në aftësinë e një fëmije për të përfituar nga ato që ndodhin brenda mureve të shkollës.
Nuk është shumë shpejt për të pyetur se si mund të përdoret kjo situatë për të përmirësuar shkollat në të ardhmen. Përvojat e Covid-19 ndoshta do të nxisin reformatorët që argumentojnë se shkollat duhet të bëjnë më shumë për të zhvilluar qëndrueshmëri tek fëmijët. Nxënësit që ishin tepër të varur nga shpjegimi i mësuesve para pandemisë, e kanë pasur më të vështirë të mësuarit në distancë, thotë Andreas Schleicher nga OECD. Ai thotë se kjo tregon se shkollat duhet t’i ndihmojnë fëmijët të mësojnë në mënyrë më të pavarur, për t’u përgatitur për një të ardhme ku përçarja teknologjike i detyron profesionistët të ritrajnohen shpesh.
Çfarë mësuat sot në shkollë?
Zoti Schleicher argumenton se përshtatja e shkollimit sipas nevojave specifike të çdo fëmije është thelbësore për të mbushur boshllëqet. “Ne imponojmë të njëjtin lloj edukimi për çdo nxënës… kështu që përse habitemi kur rezultatet mësimore janë një funksion i sfondit shoqëror?” Ai pohon se në shumë vende, shkollat janë “në mënyrë efektive, sisteme gjigante të klasifikimit që nuk janë krijuar për të lehtësuar rritjen individuale”.
Paul Reville nga Universiteti i Harvardit është ndër ata persona që argumentojnë se shkollat duhet të largohen nga një “model fabrike”, që i jep çdo nxënësi mësime të njëjta për një gjatësi të njëjtë kohore dhe se mësimi duhet të zhvendoset drejt një “modeli mjekësor” – ku supozohet që në fillim se nxënësit do të kenë nevojë për lloje të ndryshme ndihme dhe për kohëzgjatje të ndryshme. Kjo mund të përfshijë zgjidhjen e problemeve jashtë shkollës.
Para pandemisë, një grup i vogël, por në rritje i shkollave amerikane, po hidhte poshtë strukturat tradicionale në favor të “grupeve multi” që kombinojnë fëmijë nga grupe dy ose trevjeçarë. Sipas një modeli tradicional, fëmijët lëvizin lart çdo vit, edhe nëse përparimi i tyre në disa lëndë ka qenë i ngadaltë. Në raste të rralla, mund të duhet të përsërisin vitin. Sistemet më fleksibël synojnë ta bëjnë më të lehtë për t’u dhënë nxënësve që kanë ngecur në disa lëndë të caktuara, kohën dhe ndihmën që u nevojitet, si dhe lirinë për të ecur përpara shpejt, pasi të kenë kapërcyer çfarëdo pengese që i ngadalësonte.
Pandemia mund të nxisë më shumë eksperimentime të tilla, nëse e bën status quo-në më pak të qëndrueshme. Edhe para mbylljes së shkollave, disa klasa amerikane përfshinin nxënës, nivelet e arritjeve të të cilëve shtriheshin në shtatë klasa, sipas NWEA, ofrues të dhënash. Pabarazitë tani janë me siguri më të gjera, duke e bërë edhe më të vështirë për mësuesit që t’u mësojnë një klase të tërë të njëjtin material.
Përpjekjet për t’i ndihmuar fëmijët të rikuperojnë mësimin e humbur janë mundësia e parë e madhe për të hedhur bazat për një sistem më të mirë. Zyrtarët në shumë vende po debatojnë se më shumë mësime një më një ose në grupe të vogla, mund t’i ndihmojnë studentët në vështirësi. Provat për ta mbështetur këtë teori janë të forta. Një studim i kohëve të fundit në Britani, zbuloi se 12 orë mësimi me tutor mund të avancojnë aftësitë matematikore të një fëmije të vogël, aq sa do të bënin tre muaj shkollimi konvencional. Pjesa më e madhe e 3 miliardë paundëve që qeveria ka caktuar për rikuperimin e të mësuarit në Angli, janë parashikuar për tutorët (kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj që është e nevojshme; kështu, më 2 qershor “komisioneri i qeverisë për rimëkëmbjen e arsimit” dha dorëheqjen, pasi nuk pranoi shpenzime më të mëdha).
Rezultate më të mira
Nxënësit në vështirësi do të përfitonin jashtëzakonisht shumë nëse skemat e zgjeruara të mësimdhënies bëhen një pjesë thelbësore e sistemeve arsimore. Një program mësimor në Shkollën Publike Match Charter në Boston, ofron një model të tillë. Para pandemisë, shkolla u ofronte të gjithë fëmijëve, mësime ditore në matematikë, me tutor. Shkolla operon një ditë më të gjatë shkollore sesa është e zakonshme, kështu që Match arrin t’i përfshijë këto sesione në oraret e studentëve pa pasur nevojë që ata të heqin dorë nga asgjë tjetër.
Por asnjë ndihmë shtesë nuk do të jetë përfituese për fëmijët nëse problemet jashtë shkollës ua tërheqin vëmendjen ose i pengojnë ata të marrin pjesë plotësisht. City Connect, organizatë që operon në Irlandë dhe Amerikë, ofron një shembull të dobishëm sesi shkollat me para të mjaftueshme mund ta kapërcejnë këtë pengesë.
Ajo i inkurajon shkollat të krijojnë plane mbështetëse për çdo nxënës. Këto plane duhet të shkojnë përtej vështirësive arsimore, duke u marrë edhe me probleme emocionale dhe shëndetësore ose kaosin në shtëpi. “Koordinatorë” të stërvitur – rreth një për çdo 400 studentë – i zbatojnë këto plane. Ata mbajnë një bazë të dhënash që i ndihmon nxënësit të lidhen shpejt me shërbime si, ndihma ushqimore dhe rroba, kujdes për shëndetin mendor dhe testet optike të syve. Mary Walsh, shefja e City Connections, thotë se qeveritë lokale dhe organizatat bamirëse shpesh ofrojnë shërbime të dobishme, por familjet nuk janë në dijeni të tyre ose kanë vështirësi me dokumentet.
Reach Academy, një shkollë në Feltham në Londrën Perëndimore, ka krijuar një “qendër për fëmijë” që i ndihmon familjet e nxënësve të zgjidhin probleme si ato që lidhen me strehimin ose punësimin. Përmirësimet e kurrikulës shkollore nuk do të “adresojnë pengesat që i parandalojnë të rinjtë të jenë të suksesshëm në shkollë”, thotë Ed Vainker, bashkëthemeluesi i qendrës. Ai mendon se shkollat janë modeluar në mënyrë unike për të bashkërenduar përpjekjet e organizatave ekzistuese lokale dhe për të ndihmuar në tërheqjen e burimeve nga larg.
Po teknologjia? Z. Reich nga Universiteti MIT mendon se përvoja e hidhur e pandemisë do t’i japë fund “historive të çmendura” që ekzagjerojnë sesa shpejt dhe plotësisht teknologjia mund të transformojë arsimin. Por ai shpreson se do t’i inkurajojë mësuesit që ta përdorin atë në mënyrë më efektive.
Thomas Arnett nga Instituti Christensen, një think-tank amerikan, thotë se edhe para Covid-19, mësuesit po nisnin të kuptonin se materiali i dorëzuar në një klasë të tërë në fillim të mësimeve, mund të mësohej paraprakisht përmes videove. Ky lloj ndryshimi do të minimizonte sasinë e kohës që shpenzojnë mësuesit në leksion dhe do të maksimizonte kohën për t’i ndihmuar nxënësit të aplikojnë njohuritë që kanë fituar tashmë. Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme për nxënësit që mbeten mbrapa. Mund të lejojë gjithashtu vazhdimin e ndarjeve të reja të punës që disa shkolla vendosën gjatë pandemisë, ku disa mësues u caktuan për të dhënë mësime me video, të cilat mund të ndaheshin më pas me të gjithë studentët dhe të tjerë i përqendruan përpjekjet për të ndihmuar nxënës individualë.
Shumë fëmijë mund të përfitojnë, nëse pandemia rrit ndërgjegjësimin se jo të gjithë nxënësit përfitojnë njëlloj nga një qasje e njëjtë për të gjithë në shkollim, dhe nëse drejton vëmendjen dhe fondet drejt përmirësimit të modeleve alternative. Edhe para Covid-19, më shumë se 30 shtete amerikane i lejuan fëmijët që mendonin se nuk po merrnin atë që u duhej nga shkollat konvencionale, që të regjistroheshin në shkollat virtuale të financuara nga qeveria.
Por Gary Miron nga Western Michigan University, thotë se këto sisteme arsimimi po prisheshin nga kompanitë e mëdha që ishin lënë përgjegjëse për t’i drejtuar ato. Ai mendon se rrethet e shkollave publike do të bënin një punë më të mirë. Një sondazh i kryer vitin e kaluar nga RAND, një think-tank, zbuloi se një e pesta e rretheve shkollore amerikane po mendonin të vinin në dispozicion një mundësi shkollimi virtuale edhe pas pandemisë.
Ndiq rrugën tënde
Dhe nëse pandemia përfundon duke u dhënë prindërve që punojnë më shumë fleksibilitet në punë, dëshira për modele të reja shkollimi mund të rritet. Nxënësve të shkollës nëntëvjeçare dhe të mesme në Springs Studio for Academic Excellence, në Colorado, u është kërkuar të ndjekin shkollën personalisht vetëm dy deri në tre ditë në javë (një mundësi e volitshme për ata që punojnë me kohë të pjesshme ose që kryejnë veprimtari sportive). Ata mësojnë online pjesën tjetër të kohës.
David Knoche, mësues, mendon se nxënësit e tij përfitojnë më shumë nga koha që kanë me mësuesit, sesa do të bënin nëse do të detyroheshin të uleshin para tyre gjatë gjithë javës. Koha që nxënësit kalojnë duke mësuar në mënyrë të pavarur, u jep mundësi mësuesve të japin ndihmë shtesë për fëmijët që kanë nevojë.
Në teori, modele të tilla nuk kërkojnë që fëmijët të kenë gjithmonë luksin e një prindi në shtëpi; shkollat mund të veçojnë hapësira të mbikëqyrura për studime të pavarura. Noam Gerstein, themeluesja izraelite e Bina, një shkollë e re fillore online me seli në Berlin, mendon se në të ardhmen, disa firma të mëdha do të paguajnë për shkollimin online të fëmijëve të punonjësve të tyre, duke e konsideruar këtë si një përfitim për stafin. Ajo parashikon se kompanitë do të krijojnë vende të posaçme në ndërtesat e tyre, ku fëmijët mund të mësojnë online. Kështu, edhe prindërit do të kënaqeshin duke takuar fëmijët gjatë orëve të punës, për shembull gjatë drekës.
Ka shumë arsye për të qenë pesimistë ndaj çështjes se sa shpejt dhe plotësisht shkollat mund të rikuperohen nga pandemia. Mësuesit janë të rraskapitur. Marrëdhëniet midis sindikatave dhe autoriteteve janë dobësuar. Qeveritë po shtrëngojnë rripat. Prindërit të cilëve u është dashur të punojnë me kohë të plotë dhe të mbikëqyrin arsimin me kohë të plotë të fëmijëve, janë të dëshpëruar për t’i dorëzuar fëmijët e tyre te të tjerët për më shumë kohë, jo më pak. Por zhvendosja e shpejtë drejt të mësuarit në distancë, ka treguar se shkollat janë të afta për transformime dramatike. Reformat që dikur mund të dukeshin të frikshme, tani duken të lehta.
Në Oakland, zonja Bennett zgjodhi të mos e rikthente vajzën në shkollë kur u hap mundësia për mësime ballë për ballë. Ajo ende shqetësohet për pandeminë. Por sidoqoftë ka vendosur se Xa’viar do të rikthehet në shkollë në gusht, kur të nisë viti i ri shkollor. Vajza e saj meriton të kthehet mes miqve dhe mësuesve të saj, thotë zonja Bennett: ajo meriton që të jetë “në një vend të sigurt dhe ku ndihet se e duan”.