“Edhe pse mund të jetë i dobishëm si asistent dixhital, nuk do të krijojë përvojën dhe opinionet që ofrojnë guidat e udhëtimit dhe vendasit”
Nëse e pyesni ChatGPT t’iu këshillojë vende ende jo të mbipopulluara nga turistët në Majorka, do t’iu sugjerojë atraksionet më të njohura dhe restorantet tradicionale që shfaqen në të gjitha guidat turistike.
Chatbot i Inteligjencës Artificiale ju këshillon të vizitoni Katedralen e Palmës, qytetin e famshëm dhe piktoresk të Soller dhe dyqanin shekullor të akullores “Ca’n Joan de s’Aigo”.
Me pak fjalë, mos i besoni ChatGPT nëse po kërkoni thesare të fshehura, pak të njohura nga turistët.
“Kur flitet për këshilla ekspertësh, zakonisht janë zgjedhje dhe përvoja personale, që nuk kanë si model Inteligjencën Artificiale – thotë ChatGTP. –
Nëse keni nevojë për rekomandime më specifike dhe të personalizuara, udhëzimi im është të konsultoheni me guida lokale dhe banorë vendas që mund t’ju japin këshilla ekspertësh”.
Zgjidhje e thjeshtë ndaj një problemi të ndërlikuar
Megjithatë në pyetjet më të thjeshta e të drejtpërdrejta, ChatGPT shkëlqen. Nëse e pyesni chatbot-in se si mund të shkoni me autobus në sheshin “Placa d’Espanya”, në qendër të Palmës, do të merrni një përgjigje të shpejtë dhe të saktë.
Në të njëjtën mënyrë, nëse i kërkoni ChatGPT informacione mbi sobrasada, një salsiçe tradicionale me spec të kuq në Majorka do të merrni gjithashtu një përgjigje korrekte.
Edhe kur e pyesni nëse mund të lini bakshish në ishull, do t’iu përgjigjet po, dhe 10% zakonisht konsiderohet mjaft bujar.
“Nuk do të duhet shumë kohë deri sa chatbot specifikë për turizmin të na drejtojnë në qytete” – thotë Wolfram Höpken, profesor i informatikës së biznesit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ravensburg-Weingarten në jug të Gjermanisë.
Ai shton se “teknologjia sigurisht është mjaft e përparuar”. Dhe, jo vetëm. “Aplikimet e IA përdoren gjerësisht në sektorë të tjerë të turizmit”.
IA është tashmë mjaft e përhapur
Sot IA përdoret, mbi të gjitha, për të përmirësuar operacionet e kompanisë, edhe pse udhëtarët jo gjithnjë janë të vetëdijshëm për këtë. Kompanitë e udhëtimit, për shembull, e përdorin IA për të parashikuar se sa pasagjerë do të anulojnë ose do të humbasin fluturimin e tyre.
Kompani të tjera i besojnë kësaj teknologjie për të zbuluar rezervime mashtruese në internet. Në Venecia, Inteligjenca Artificiale përdoret madje për të kontrolluar turmën.
“Ekzistojnë aplikacione të IA që përdoren nga udhëtarët, ofruesit e shërbimeve, destinacionet turistike dhe platformat e udhëtimit në internet”, thotë Höpken. Udhëtarët ose njerëzit që thjesht planifikojnë pushime mund të kenë hasur sisteme të IA edhe në kontekste të tjera.
Shpesh në ditët e sotme, kur kontaktoni një operator turistik ka të ngjarë t’ju përgjigjet një chatbot online, dhe jo një person i vërtetë.
Ka edhe sisteme inteligjente që përdoren, për shembull, nga platformat e rezervimit të hoteleve, për t’u paraqitur klientëve oferta të përshtatura sipas nevojave dhe zgjedhjeve të tyre specifike.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, robotët dalëngadalë po marrin përsipër detyrat që kryheshin nga personeli i hoteleve dhe restoranteve.
Robotët që mbledhin pjata të papastra nga tavolinat e restoranteve dhe i sjellin në kuzhinë, për shembull, nuk janë shumë të sofistikuar.
Këta robotë nuk kanë në gjendje të lëvizin në autonomi në restorante – thotë Höpken. Përveç kësaj, jo të gjithë klientët mund të dëshirojnë të ndërveprojnë me robotët autonomë.
Kjo është arsyeja pse aplikimet e IA do të përdoren në disa zona të sektorit të turizmit dhe mikpritjes, por jo në të tjera – shton profesori.
Mos i besoni verbërisht ChatGPT
Höpken është i sigurt se teknologjitë si ChatGPT do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.
Mbi të gjitha, pasi kur bëhet fjalë për pyetjet e turistëve, përgjigjet e pasakta ose plotësisht të gabuara të chatbot-it ndoshta kanë pasoja më pak serioze ose të rrezikshme sesa në fusha të tjera.
Kushdo që ndjek këshillën e ChatGPT për të vizituar Pallatin Marivent në Majorka – rezidenca e familjes mbretërore gjatë verës në periferi të Palmës, për shembull do të zhgënjehet, pasi ndërtesa në fakt nuk është e hapur për publikun.
Mbetet për t’u parë nëse chatbot-i do të zëvendësojnë guidat turistike të konsoliduara apo guidat turistike njerëzore. Vetë ChatGPT mendon se nuk do ta marrë përsipër së shpejti këtë gjë.
“Edhe pse mund të jetë i dobishëm si asistent dixhital, nuk besoj se do të krijojë përvojën dhe opinionet që ofrojnë guidat e udhëtimit dhe vendasit”.
/ Deutsche Welle