Koronavirusi është një dramë njerëzore, por edhe një sfidë e madhe teknologjike për qeveritë dhe kompanitë duhet të gjejnë mënyra të reja për të zvogëluar pasojat
Kontrolli i personave që kanë qenë në zonën e Hubei prek kufijtë e fantashkencës. Një banor i Nanchino – i cili kishte qenë në Wuhan pa ia thënë kujt – pati një vizitë të papritur nga policia, e cila i kërkoi që t’i maste temperaturën dhe t’i nënshtrohej procesit të karantinës. Një “koktej teknologjik”, i përbërë nga menaxhimi i të dhënave, Inteligjenca Artificiale dhe gjeolokalizuesi, identifikoi “shkelësin” dhe e ndëshkoi.
Në rajonin e Guandong ndërkohë janë shfaqur robotë nëpër rrugë të cilët “u tërheqin veshin” kalimtarëve që nuk kanë vënë maska, pasi i kanë identifikuar nëpërmjet videokamerave.
Në qiellin e Pekinit dhe Shangait fluturojnë dronë, të cilët duke përdorur speaker-ët e tyre, u kujtojnë “direktivat” kalimtarëve. Ndërkohë dronë të tjerë fluturojnë në qiellin e Wuhan, qyteti me numrin më të madh të të sëmurëve, dhe shpërndajnë ilaçe dhe maska, që për fat të keq janë të pamjaftueshme për numrin e madh të pacientëve.
Operatorët e mëdhenj të telekomunikacionit, duke nisur nga China Mobile, u kanë dërguar përdoruesve të tyre një mesazh me listën e provincave që kanë vizituar kohën e fundit.
Personeli shëndetësor i vendosur në pikat e kontrollit jashtë zonave të infektuara u kërkon qytetarëve të tregojnë smartphone e tyre për të verifikuar lëvizjet e fundit.
Grupet e mëdha teknologjike si Baidu, Google kinez, kanë vënë në dispozicion të shoqërisë një teknologji të shpejtë dhe të sofistikuar për të matur temperaturën e trupit të udhëtarëve në stacionin Qinghe, një ndër më të mëdhenjtë në Pekin, ku kalojnë tranzit qindra mijë persona në ditë.
Këto sisteme “masin” temperaturën e 200 personave në tranzit në minutë, falë teknologjive si njohja e fytyrës dhe rrezet infra të kuqe.
Por është edhe rasti i Megvii – një kompani e specializuar në Inteligjencën Artificiale, të cilën qeveria e SHBA e ka përfshirë në listën e zezë – që ka krijuar një sistem të ngjashëm me atë të Baidu për të matur temperaturën e qytetarëve, duke përfshirë në projekt 100 inxhinierë që po punojnë në distancë.
Kjo mënyrë hap një kapitull të ri në librin e sfidave teknologjike. Shumë kompani kineze dhe shumëkombëshe janë duke përshpejtuar formulën e punës në distancë për të shmangur lëvizjen e punonjësve nga një vend në tjetrin, gjë që rrit rrezikun e përhapjes. Analistët vlerësojnë që prej këtij “hendeku” dramatik, PBB i Kinës do të rritet nën 4%.
Burimi: Forbes