Fatos Çerenishti, sipërmarrës, FAFA Resort
Lajmi se pushuesit nordikë kanë vendosur t’i japin një mundësi Shqipërisë, është padyshim një zhvillim pozitiv. Por kjo kategori është edhe më kërkuese. Fatos Çerenishti, sipërmarrës në zonën e Golemit, i cili ka nën zotërim FAFA Resort dhe që këtë vit fut në funksion edhe investimin e ri Grand Blu Fafa me 250 dhoma të reja, shprehet se arredimi është bërë në bashkëpunim me arkitektë nordikë dhe shqiptarë.
Sipas tij, grupet e inspektimit vijnë rregullisht për të parë ecurinë e punimeve, shërbimet, kuzhinën duke mos ia lënë në dorë asgjë rastësisë. Edhe paketat e ushqimit janë zgjedhur në bashkëpunim, ku 50% është kuzhinë tradicionale shqiptare.
Si paraqitet situata me rezervimet për hotelin tuaj duke qenë se keni qenë dhe në proces zgjerimi? A do të jetë funksionale sipas parashikimit?
Po, ne këtë vit hapim Grand Blu Fafa për të cilin ka nisur puna prej tre vitesh dhe më 25 maj 2018 përfundon i gjithi. Ai ka një kapacitet me 250 dhoma me pishinë dhe facilitete të tjera si pishinë të brendshme dhe SPA. Kemi lidhur kontratë me një kompani nordike, Apollon. Kanë rezervuar 120 dhoma tek kompleksi dhe vijnë dy herë në muaj që shohin ecurinë e punimeve përpara se të nisë edhe sezoni. Deri më tani kanë qenë të kënaqur, plus dhe kanë bërë sugjerimet e tyre për arredimin.
Në bazë të marrëveshjes që kemi me ta, kemi bërë dhe arredimin sipas sugjerimeve si dhe organizimin e ambienteve të shërbimit. Ka qenë një bashkëpunim i arkitektëve shqiptarë dhe nordikë duke shkrirë në një të vetme pjesën e organizimit. Zyrtarisht sezoni fillon në datën 25 maj, domethënë atëherë presim ne turistët e parë dhe mbyllja është në fund të shtatorit. Rezervimet janë për afate njëjavore dhe të paktën 120 dhomat e rezervuara prej tyre janë të plotësuara për gjithë sezonin.
Po paketa që kanë rezervuar si është, ‘all inclusive’ apo vetëm shtrat dhe mëngjes?
Kemi gërshetim të të gjithave. Kemi “all inclusive”, kemi “a la carte”, apo edhe vetëm mëngjes. Ne e kemi vitin e parë këtë, kështu që është vit prove. Modelet e paketat i kemi zgjedhur paraprakisht duke negociuar me agjencinë. Është një gërshetim i kuzhinës tradicionale shqiptare dhe menusë nordike. Grupet e inspektimit kanë dhënë konsensusin e tyre tashmë.
A mendoni se ka leverdi tek ‘all inclusive’ dhe a e keni pasur të thjeshtë të siguroni paraprakisht furnitorët?
Po mendoj se ka një leverdi të vogël, kostoja varion nga 2-5 euro për paketë dhe fitimi kuptohet që është minimal. Por, edhe po nuk pati fitim, këtu ti e ke një bonus të integruar që justifikon pjesën e fitimit tek shërbimet e tjera që ofron. Jemi munduar që të sigurojmë edhe pjesën e furnizimit. Për fruta e perime, kryesisht në zonat përreth në fshatrat e Kavajës dhe Lushnjës dhe mendojmë që do t’ia dalim.
Po çekë dhe polakë, a kanë rezervuar këtë vit, a ka rikthime?
Ka edhe çekë dhe polakë, por nuk kemi shumë kapacitet të lirë në fakt. Kërkesa është në rritje. Ka madje edhe rikthime nga ata që kanë qenë më herët, por në gjithë këtë kërkesë që vjen nga jashtë po duket sikur po shkëpusim marrëdhëniet me shqiptarët. Nuk ka kërkesë nga brenda vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.