- Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzojnë çdo vit më shumë se 3.000 miliardë dollarë për shëndetin, por ofruesit e shërbimit shëndetësor nuk arrijnë dot t’i mbajnë hapin kërkesave në rritje
- Biznese dhe institute shëndetësore po u drejtohen gjithnjë e më shumë kompanive teknologjike, për të ndryshuar mënyrën e dhënies së trajtimeve mjekësore dhe për të ulur shpenzimet
- Duke parë një mundësi për të hyrë në tregun fitimprurës të kujdesit shëndetësor, katër nga kompanitë më të mëdha teknologjike – Alphabet, Amazon, Apple dhe Microsoft – po investojnë në aktivitetet në fushën e shëndetësisë
Revolucioni në sektorin e shëndetësisë nuk është më kërcënues, është duke ndodhur dhe është i nevojshëm. Me popullsinë që vijon të plaket dita – ditës, bizneset dhe institutet shëndetësore kanë vështirësi të jenë në një hap me kërkesën në rritje për kujdesin shëndetësor, ndërkohë që të sëmurët duhet të përballen me shpenzimet e larta – shpeshherë duke marrë një shërbim të dobët.
Sipas entit shëndetësor amerikan CMS (Centers for Medicare and Medicaid Services), shpenzimet për kujdesin shëndetësor në vend kanë kapërcyer shifrën 3.000 miliardë dollarë në vit – një shifër që në bazë të parashikimeve, duhet të rritet me 5% këtë vit.
Në kërkim të dëshpëruar për të reduktuar shpenzimet dhe për të përmirësuar aksesin ndaj kurave për pacientët, ofruesit tradicionalë të kujdesit shëndetësor po u drejtohen risive teknologjike. Në pesë vitet e fundit, fondet që kanë përfituar entet shëndetësore nga dhjetë kompanitë më të mëdha teknologjike janë rritur nga 277 milionë në 2,7 miliardë dollarë.
Teknologjitë e reja, si teleasistenca, pajisjet wearable (që vihen në trup), aplikacionet për pajisjet mobile dhe Inteligjenca Artificiale po lehtësojnë kalimin te mjekësia parandaluese dhe asistenca value-based (e bazuar te vlerat) të cilat ulin kërkesat për kompensim, përmirësojnë planet e sigurimeve shëndetësore, reduktojnë kostot e sigurimit për pacientët dhe rrisin lifetime value* (tregues që mat përfitimet e parashikueshme në bazë të marrëdhënieve me klientët, duke nisur nga sjellja e tyre blerëse).
Në këtë fazë, katër nga kompanitë më të mëdha teknologjike po përgatiten për të hyrë plotësisht në sektorin e shëndetësisë – por secila prej tyre i drejtohet një fushe të veçantë. Ja katër aktorët më të mëdhenj të teknologjisë që po revolucionarizojnë shëndetësinë dhe fushat në të cilat janë të përqendruara:
Alphabet – e cila përfshin Google, Waymo dhe kompani të tjera, po shfrytëzon platformën e saj të gjerë mbi cloud dhe aftësitë në analizimin e të dhënave për t’u përqendruar te tendencat relative të shëndetit publik. Kompania parashikon të promovojë partneritete të reja strategjike në sistemin shëndetësor, falë identifikimit të problemeve ekzistuese në lidhje me pajtueshmërinë mes sistemeve EHR (menaxhimi i kartelave klinike elektronike) dhe mbi infrastrukturat e saj informatike, për momentin të kufizuara.
Amazon – blerja e PillBack nga ana e kolosit e-commerce, është një tjetër hap drejt integrimit të stoqeve të ilaçeve dhe produkteve farmaceutike në platformën dhe rrjetin e saj shpërndarës. Kompania po rrit edhe aftësitë e saj, të mbështetura tek Inteligjenca Artificiale për të transformuar Alexa në një asistent shëndetësor shtëpiak, në mënyrë që të drejtojë klientët drejt faqes së saj për blerjen e medikamenteve me recetë dhe produkteve mjekësore bazë.
Apple – pionierja e smartphone-ve dhe wearable synon të transformojë produktet e saj të konsumit në instrumente të fuqishme shëndetësore, të pajisura me aftësi monitorimi, prej të cilave të përfitojnë si pacientët, edhe bizneset e sektorit.
Microsoft – ashtu si Alphabet, Microsoft po shfrytëzon të gjithë aftësitë e tij që lidhen me të dhënat dhe analizat për të rritur praninë në sektorin shëndetësor. Kompania përdor Azure, shërbimin e saj cloud-based inteligjent, për t’u dhënë mundësi bizneseve të sektorit të arrijnë targetet specifike në popullsi, duke ofruar shërbime mjekësore me saktësi të lartë, për të përmirësuar efikasitetin e terapive.
Burimi: Business Insider