Vende të lira pune. Mungesa e fuqisë punëtore po i detyron kompanitë të bëhen më krijuese, shkruan The Economist
DCL Logistics, si shumë kompani amerikane, përjetoi një problem vitin e kaluar. Biznesi i saj, që ka të bëjë me dorëzimin e mallrave të shitura online, u përball me kërkesë në rritje. Por konkurrenca për punëtorët e magazinave ishte e ashpër, pagat po rriteshin dhe dorëheqjet e stafit, të shumta.
Kështu që DCL bëri dy ndryshime. Kompania bleu robotë për të marrë sendet nga raftet dhe për t’i vendosur ato nëpër kuti. Ajo e zvogëloi varësinë nga punëtorët me kohë të pjesshme, duke punësuar më shumë staf me kohë të plotë. “Atë që kursejmë duke pasur punonjës të përkohshëm, e humbasim në produktivitet”, shpjegon Dave Tu, president i DCL-së. Lista e pagave me kohë të plotë është dyfishuar vitin e kaluar, duke arritur në 280.
Ndërsa kompanitë amerikane po përjetojnë një vit tjetër pasigurie, fuqia punëtore është bërë shqetësimi kryesor i shefave. Drejtuesit ekzekutivë përmendën mungesën e punëtorëve si kërcënimin më të madh për bizneset në vitin 2022, sipas një sondazhi nga Bordi i Konferencës, një organizatë kërkimore.
Më 28 janar, Departamenti i Punës raportoi se firmat kishin shpenzuar 4% më shumë për paga dhe përfitime në tremujorin e katërt, në bazë vjetore, rritja më e madhe në 20 vjet. Pagat e të gjithëve po bëhen më të majme, duke filluar nga punonjësit që shërbejnë hamburgerë në McDonald’s, deri te bankierët e Citi Group.
Kjo shpjegon pjesërisht pse janë ulur marzhet e fitimit në indeksin S&P 500 të kompanive më të mëdha në SHBA, pas rritjes fillestare të fitimeve gjatë pandemisë.
Më 2 shkurt, Meta i trembi investitorët duke raportuar një rënie të fitimeve, pjesërisht për shkak të rritjes së kostove të lidhura me punonjësit, teksa kompania po investon në fusha të reja, si metaverset e realitetit virtual.
Në të njëjtën kohë, firmat e të gjitha madhësive dhe sektorëve, po testojnë mënyra të reja për të rekrutuar, për të trajnuar dhe për të punësuar staf. Disa nga këto strategji do të jenë të përkohshme. Të tjerat mund të riformësojnë biznesin amerikan.
Shqetësimi
Ndërsa kompanitë amerikane po përjetojnë një vit tjetër pasigurie, fuqia punëtore është bërë shqetësimi kryesor i shefave. Drejtuesit ekzekutivë përmendën mungesën e punëtorëve si kërcënimin më të madh për bizneset në vitin 2022, sipas një sondazhi nga Bordi i Konferencës, një organizatë kërkimore.
Tregu i punës
Tregu aktual i punës duket tepër i zakonshëm, sipas standardeve historike. Në dhjetor, u shtuan 10.9 milionë vende pune, më shumë se 60% në krahasim me dhjetorin e vitit 2019. Për çdo dhjetë vende pune të hapura, ishin të disponueshëm vetëm gjashtë punëtorë (shih grafikun 1).
Në mënyrë të parashikueshme, shumë njerëz duket se kanë braktisur punët e vjetra dhe kanë kërkuar punë më të mira.
Kjo është më e theksuar, veçanërisht për ata punëtorë që pastrojnë çarçafët dhe mbushin raftet, por edhe të tjerë. Në nëntor, 4.5 milionë punëtorë u larguan nga puna, një shifër rekord. Edhe nëse rritja e pagave dhe rënia e pandemisë i joshi disa për t’u rikthyer në punë, lufta për gjetjen e stafit mund të zgjasë.
Për dekada me radhë, kompanitë amerikane kanë përfituar nga rritja e fuqisë punëtore, pasi më shumë gra janë bërë pjesë e saj dhe globalizimi ka zgjeruar shumë radhët e të punësuarve të mundshëm. Ky zgjerim tani duket se po shteron, thotë Andrew Schwedel nga shoqëria e konsulencës Bain.
Njëkohësisht, tendenca të tjera kanë ndikuar për ta bërë grupin e punës më të cekët se sa mund të ishte. Burrat vazhdojnë të largohen nga tregu i punës: pjesa e meshkujve të moshës 25 deri në 54 vjeç që punonin ose kërkonin punë, ishte 88% në fund të vitit të kaluar, nga 97% në vitet 1950.
Emigracioni, i cili ra gjatë presidencës populiste të Donald Trump, ka rënë edhe më tepër, në më pak se një të katërtën e nivelit të vitit 2016. Dhe Covid-19 mund të ketë shtyrë më shumë se 2.4 milionë njerëz që i përkasin brezit “baby boomers”, për të dalë para kohe në pension.
Këto tendenca nuk do të ndryshojnë shpejt. Brezi “baby boomers” nuk do të rikthehet me shpejtësi në punë. Në një kohë kur republikanët janë armiqësorë ndaj të huajve dhe demokratët grinden për vizat për personat e aftë, rritja e emigracionit duket e pamundur. Disa burra janë rikthyer në fuqinë punëtore pas recesionit nga Covid-19 në vitin 2020, por shkalla e pjesëmarrjes së meshkujve ka rënë nën nivelet e para pandemisë. Një treg i ngushtë pune mund të vazhdojë.
Si punëtorët, ashtu edhe punëdhënësit, po përshtaten me situatën e re. Në pjesën më të madhe, ata po e bëjnë këtë jashtë konstruktit të negociatave kolektive. Sindikatat në vend mbeten të dobëta. Vitin e kaluar, vetëm 10.3% e punëtorëve amerikanë ishin anëtarë të sindikatave.
Brenda sektorit privat, shkalla e sindikalizimit është vetëm 6.1%. Grevat dhe protestat do të ishin pa dyshim një problem për disa shefa. Por dorëheqjet nga puna mund t’u shkaktojnë atyre net pa gjumë.
Rritja e pagave
Taktika më e drejtpërdrejtë e kompanive për të parandaluar mungesat e punëtorëve është rritja e pagave. Kompanitë preferojnë që stimujt të jenë të njëhershëm dhe jo të përsëritur. Kjo shpjegon rritjen e bonuseve të majme. Përpara Krishtlindjeve, Amazon u ofroi punëtorëve bonuse me vlerë 3000 dollarë.
Kompensimi për avokatët në 50 firmat kryesore të Amerikës, u rrit me 16.5% vitin e kaluar, pjesërisht falë bonuseve, sipas një sondazhi nga Citigroup dhe Hildebrandt, një firmë konsulence. Në janar, Banka e Amerikës tha se do t’i jepte stafit 1 miliard dollarë në aksione të kufizuara, të cilat zgjerohen me kalimin e kohës.
Por paga minimale po rritet gjithashtu. Banka e Amerikës tha se do të rriste pagën e saj minimale në 25 dollarë, deri në vitin 2025. Në shtator, Walmart, punëdhënësi më i madh privat në Amerikë, e përcaktoi pagën minimale në 12 dollarë në orë, nën kufirin minimal prej 13-14 dollarësh të kërkuar nga shumë shtete, por mbi pagën minimale federale prej 7,25 dollarësh. Amazon ka rritur pagat mesatare në 18 dollarë.
Paga mesatare për orë për punonjësit e prodhimit, në dhjetor ishte 5.8% mbi nivelin e një viti më parë; krahasuar me një rritje prej 4.7% për të gjithë punëtorët e sektorit privat. Firmat po përballen me presionin për t’i rritur pagat edhe më tepër.
Megjithatë, rritja e kompensimit mund të mos jetë e mjaftueshme që kompanitë të frenojnë largimin e fuqisë punëtore. Këtu duhet të vihen në punë edhe strategji të tjera, duke filluar me ndryshimet në rekrutim. Për t’u përballur me faktin se për disa lloje punësh, thjesht nuk ka mjaftueshëm kandidatë të kualifikuar për të plotësuar vendet e lira, shumë biznese po lehtësojnë kriteret e punësimit që më parë konsideroheshin si parakushte.
Përqindja e vendeve të lira të punës për të cilat “nuk kërkohet përvojë” u dyfishua nga janari 2020 deri në shtator 2021, sipas firmës analitike Burning Glass. Lehtësimi i kushteve të ngurta mund të jetë i arsyeshëm, edhe pa mungesë të fuqisë punëtore.
Një diplomë katërvjeçare, argumenton Joseph Fuller nga Shkolla e Biznesit në Harvard, nuk është një garantues i besueshëm i vlerës së një punonjësi. Tryeza e Rrumbullakët e Biznesit dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, dy grupe biznesi, u kanë kërkuar kompanive që të lehtësojnë kërkesat për zotërimin e një diplome universitare katërvjeçare, duke i këshilluar ato që të vlerësojnë më tepër aftësitë e punëtorëve.
Një mënyrë tjetër për t’u përballur me mungesën e personelit të kualifikuar, është që firmat t’i ofrojnë vetë kualifikimet. Në shtator, përqindja e vendeve të lira të punës për të cilat ofrohet trajnim, ishte 30% më e lartë se në janar 2020.
Ofertat për trajnim po shtohen. Punëdhënësit në kompaninë Buffalo kanë punësuar specialistë për të drejtuar skemat e trajnimit të të dhënave për punëtorët të cilët janë të aftë, por që u mungojnë aftësi specifike teknologjike. Google, gjigant teknologjik, thotë se do t’i konsiderojë punëtorët që fitojnë certifikatën online të kompanisë në fushën e analitikës së të dhënave, si të barabartë me punëtorët me një diplomë katërvjeçare.
Përveç rekrutimit dhe trajnimit, kompanitë po modifikojnë edhe mënyrën se si punëtorët e tyre mund të punojnë. Disa pozicione janë të këqija, me paga të ulëta, planifikim të dobët dhe kanë pak mundësi për rritje. Zeynep Ton nga MIT Sloan School of Management, argumenton se duke i bërë punët me paga të ulëta më tërheqëse, kjo do të përmirësonte produktivitetin e punëtorëve, gjë që mbështet fitimet në terma afatgjatë.
Po aq interesante sa rritja e pagave nga Walmart, janë edhe ndryshimet e menaxhimit që ka bërë gjiganti i shitjes me pakicë. Vitin e kaluar, dy të tretat e më shumë se 565,000 punëtorëve në dyqanet e Walmart, punonin me kohë të plotë, nga rreth gjysma në vitin 2016.
Ata kishin orare të parashikueshme dhe një monitorim më të strukturuar. Kompanitë e tjera duhet të ndjekin të njëjtin shembull. Shumë nga ankesat e punëtorëve në Starbucks dhe Amazon kanë të bëjnë me sigurinë dhe stresin në punë.
Kompanitë që nuk mund të gjejnë punëtorë të mjaftueshëm, po përpiqen të operojnë me më pak punëtorë. Ndonjëherë kjo nënkupton shkurtimin e shërbimeve.
Shumë zinxhirë hotelesh, duke përfshirë Hilton, e kanë bërë opsionale mirëmbajtjen e përditshme të ambienteve. “Ne kemi qenë shumë të kujdesshëm në lidhje me pozicionet që ofrojmë” – tha Darren Woods, shefi i ExxonMobil, më 1 shkurt.
Kjo përpjekje përfshin edhe investime në automatizim. Porositë e robotëve vitin e kaluar tejkaluan nivelin e lartë para pandemisë, si në vëllim, ashtu edhe në vlerë, sipas Shoqatës për Avancimin e Automatizimit. UPS, një firmë transporti, po rrit produktivitetin me paketim dhe etiketim të automatizuar. Etiketat e reja elektronike do të zëvendësojnë me miliona skanime manuale çdo ditë.
Modelet e reja të biznesit po avancojnë. Kështu po ndodh me kompaninë McEntire Produce në Columbia, Karolinën e Jugut. Çdo vit, më shumë se 45,000 tonë marule, domate dhe qepë të prera, qarkullojnë nëpër fabrikën e saj.
Punëtorët i paketojnë ato nëpër qese, i vendosin qeset nëpër kuti dhe i vendosin kutitë nëpër paleta që dërgohen në restorante. McEntire ka rritur pagat, por dorëheqja e stafit mbetet e lartë.
Firma po planifikon të instalojë robotë të rinj. Ajo do t’i marrë ato me qira nga një kompani e re e quajtur Formic, e cila ofron robotë me një tarifë për orë, që është më pak se gjysma e kostos së një punonjësi të McEntire që kryen të njëjtën punë.
Deri në vitin 2025, McEntire dëshiron të automatizojë 60% të vëllimit të saj, me robotë që merren me punët fizike dhe punëtorë që kryejnë detyra që kërkojnë më shumë aftësi.
Kompania ka krijuar edhe një pozicion të ri, që duket se do të jetë i përhershëm: ka punësuar një menaxher, detyra e vetme e të cilit është të dëgjojë dhe të mbështesë stafin, në mënyrë që të mos largohet nga puna./ Përktheu: Lira Muça
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.