Koronavirusi erdhi në Bullgari në një moment mjaft të vështirë. Mijëra emigrantë po përpiqen të hyjnë në BE nga Turqia, dhe megjithëse ata kanë pak shanse për të kapërcyer kufijtë e ruajtur mirë, situata është shqetësuese për popullatën dhe autoritetet bullgare.
Në Bullgari, ka nisur një valë e dytë e gripit sezonal, duke çuar në mbylljen e shkollave, pezullimin e vizitave në spitale dhe anulimin e operacioneve kirurgjikale. Kur në vend u regjistruan rastet e para të koronavirusit në fundjavë, u morën masa të jashtëzakonshme për të gjetur burimin e infeksionit dhe parandalimin e panikut në popullatë. Situata tashmë është nën kontroll, jeta po ndjek rrjedhën e saj të zakonshme me shqetësime të tolerueshme dhe kufizime të moderuara, por askush nuk mund ta dijë me siguri si do të vazhdojnë gjërat.
Në këtë gjendje, sektori i biznesit nuk mund të mbetet i qetë dhe duhet të përgatitet për situatën e pafavorshme dhe goditjet e mundshme nga tregu vendor dhe tregjet e huaja. Kriza tashmë ka marrë përmasa globale dhe ankthi po prek gjithnjë e më shumë vende të botës. Bullgaria ka lidhje të forta ekonomike dhe tregtare me shumë prej këtyre vendeve dhe një sërë kompanish bullgare varen nga këto bono ekonomike, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në rritjen e PBB-së së vendit, uljen e papunësisë dhe të ardhura më të larta.
Në videokonferencën me udhëheqësit e Izraelit, Hungarisë, Rumanisë, Italisë dhe Austrisë, kryeministri bullgar, Boyko Borissov, tha se “është e rëndësishme që bota të jetë e përgatitur dhe të gjejë një zgjidhje, sepse kriza ekonomike dhe financiare po troket në derë”. Stafi i Posaçëm i Krizave ka premtuar se masat kundër përhapjes së koronavirusit nuk do të dëmtojnë biznesin.
Duke gjykuar nga situata e vendeve të tjera të prekura nga COVID-19, ekonomia bullgare do të përballet me shumë sfida të reja. Ekspertët besojnë se turizmi, transporti dhe industritë e orientuara nga eksporti, do të goditen më rëndë. Tashmë janë anuluar pushimet verore në brigjet bullgare të Detit të Zi dhe nëse kjo situatë vazhdon, e gjithë ekonomia kombëtare do të kërcënohet sepse turizmi përbën rreth 12% të PBB-së së vendit. Ky kërcënim përkeqësohet nga tendenca e dukshme e ngadalësimeve ekonomike në vendet kryesore të BE-së, të cilët janë partnerët kryesorë të Bullgarisë në tregtinë e jashtme. Në praktikë, kompanitë bullgare të orientuara nga eksporti do të marrin më pak porosi nga kontraktorët e jashtëm. Për disa kompani, kjo mund të rezultojë fatale.
Industria e argëtimit në vend pritet të vuajë nga kufizimi i ashpër i eventeve publike masive – sport, muzikë, teatër, kinema dhe të gjitha ngjarjet kulturore. Duke gjykuar nga ajo çka po ndodh në vendet e Europës Perëndimore më të prekura nga koronavirusi, restorantet dhe industria e hotelerisë do të pësojnë gjithashtu dëme të mëdha. Askush që kujdeset për shëndetin, nuk do të donte të rrezikonte duke marrë pjesë në evente që përfshijnë shumë njerëz.
Sektori i transportit është në rrezik për shkak të uljes së tregtisë dhe rënies së udhëtimeve. Disa ekspertë ekonomikë me famë botërore besojnë se për shkak të epidemisë dhe frikës që lidhen me të, kërkesa dhe oferta po tkurren. Konfirmimi më bindës i kësaj dukurie është ngadalësimi drastik i rritjes ekonomike në Kinë, vendi i prekur më rëndë nga COVID-19, ku eksporti ka rënë 17% që nga fillimi i vitit. Rënia vërehet edhe në bursat në të gjithë botën, gjë që tregon një rënie të besimit të investitorëve dhe ngadalësim të aktivitetit ekonomik.
Natyrisht që biznesi bullgar nuk është një ishull i vetmuar dhe nuk mund të mbetet i pandikuar nga proceset globale. Por ai është gjithashtu fleksibël dhe i përshtatshëm. Ndërmarrjet më të vogla, që përbëjnë më shumë se 90% të bizneseve bullgare, janë në gjendje të përshtaten më lehtë dhe shpejt me një realitet të ri, në varësi të rrethanave specifike, tha Kryetari i Shoqatës së Kapitalit Industrial, Vasil Velev, në një intervistë për BNR.
Sidoqoftë, rritja ekonomike prej 3.3% e pritur zyrtarisht, nuk do të arrihet dhe do të bjerë në 3%. Kjo do të ndodhë për shkak të rraskapitjes së mundësive të tregut të punës, konsumit të brendshëm të paqëndrueshëm dhe rënies së eksportit dhe investimeve të huaja. Kjo rënie e mundshme nuk është e vogël dhe mund të sjellë konfuzion në ekonomi dhe në vend.