Flet Armand Mala, kontabilist dhe eksperti i legjislacionit tatimor
Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, në total janë rreth 117 mijë ndërmarrje aktive në vend, pa përfshirë bujqësinë. Numri më i lartë i ndërmarrjeve është në sektorin e “tregtisë me pakicë”. Në 2019, në këtë sektor ishin aktive rreth 32 mijë biznese nga 35 mijë në 2018. Në vend ka 17 mijë bare dhe restorante sipas të dhënave të INSTAT për 2019, nga 18 mijë në vitin 2018.
Më pas, me numër të lartë biznesesh është edhe “tregtia me shumicë” me rreth 7,175 ndërmarrje, “transporti tokësor” me 5146 ndërmarrje, “aktivitetet juridike dhe të kontabilitetit” me 3,398 ndërmarrje etj. Po si ndikoi COVID-19 në këta sektorë dhe si parashikohet ecuria e tyre në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme sipas analizës të kontabilistit dhe ekspertit të legjislacionit tatimor, Armand Mala.
Tregtia me pakicë. Ndikimi i COVID-19 në këtë sektor, ashtu si pothuajse në të gjithë sektorët ishte i madh, me vendosjen e karantinës nga qeveria, të gjitha këto njësi përjashto marketet ishin të mbyllura. Pasiguria e konsumatorëve, fokusi vetëm te mallrat bazë të konsumit, rënia e fuqisë blerëse, uli në mënyrë drastike shitjet e këtyre njësive. Izolimi bëri që të mos kemi nevojë për shumë blerje (p.sh. tregtia e veshmbathjeve), sezoni i pranverës u kapërcye, duke lënë mbrapa stoqe të pashitura.
Duke marrë në konsideratë që shumë prej këtyre bizneseve janë të vetëpunësuar, pa ndonjë kapital që mund të mbështeten në periudha të vështira, të cilët edhe në kohë normale punojnë në kushtet e mbijetesës, situata do të jetë shumë e vështirë. Situata e COVID-19 mbetet e zymtë, e paqartë. Ajo nuk i lejon konsumatorët të zhbllokohen psikologjikisht, për t’u kthyer në trendet normale të konsumit, si rrjedhim edhe në një periudhë afatmesme ky sektor do të ketë vështirësi. Mendoj që një pjesë e mirë e këtyre njësive do të ulin qepenat.
Shërbimi ushqim – pije. Efektet gjatë muajve të izolimit në këtë pikë janë të qarta, baret, restorantet dhe klubet ishin të parat që u mbyllën, pra, duke i zeruar shitjet e tyre. Një përjashtim të vogël pati për ato që u munduan të përshtaten në ‘delivery’, por edhe kjo është e papërfillshme. Shërbimi ‘delivery’ operon kryesisht me punonjësit e bizneseve të ndryshme gjatë orëve të punës, por kur shumica e bizneseve ishin mbyllur, s’ka sesi delivery të funksionojë.
Ndërsa për sa i përket periudhës pas përfundimit të izolimit, sinjalet janë mjaft pozitive, ka një gjallëri kryesisht në bare, por edhe restorantet kanë impulse të mira. Në këtë pikë, nuk po themi që shitjet u rikthyen në 100%, por ka sinjale të mira dhe nuk besoj se do të ketë falimentime sinjifikative, me siguri do të ketë disa shkurtime të vendeve të punës për të reduktuar disi shpenzimet, por nuk besoj se do të ketë mbyllje masive të këtyre bizneseve. Edhe investimi për biznese të tilla është i konsiderueshëm. Them se mendimi i parë nuk është ai që “ta mbyll” por se “si të përshtatem që të mbijetoj”.
Tregtia me shumicë. Tregtia me shumicë është veçse një hallkë para tregtisë me pakicë. Komentet për sa i përket trendit të shitjeve do të ishin të njëjta si në rastin e shitjeve me pakicë, e vetmja pikë që bën diferencën është fakti që tregtarët e shumicës janë disi më të konsoliduar dhe do të bëjnë më shumë rezistencë para se të marrin vendimin ekstrem të mbylljes së aktivitetit.
Tregtia e automjeteve dhe riparimi. Më sipër përmendëm faktin që tregtia e automjeteve do të jetë mjaft e goditur, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për riparimin e automjeteve. Trendi që vihet re është shtyrja e shërbimeve për riparim të mjetit, por që gjithsesi herët apo vonë shërbimi do të kryhet. Normalisht ka rënie, por nuk rrezikohet si sektor (pjesa e serviseve). Serviset kryesore raportojnë shitje të kënaqshme, mbi pritshmëritë që ata vetë kishin.
Aktivitetet Juridike dhe të Kontabilitetit. As shërbimet juridike e as ato të kontabilitetit nuk janë të lidhura aq drejtpërdrejt me pandeminë, aq më tepër që periudha e izolimit për kontabilistët përkoi me periudhën e bilanceve, në njëfarë mënyre duke bërë që të mos ndihet shumë efekti i pandemisë. Në vazhdim, këto shërbime do të vazhdojnë drejt trendeve normale, mund të ketë ndonjë ulje çmimi në shërbimet e ofruara për të lehtësuar sadopak bizneset, por nuk rrezikojnë shumë.
Shërbimet e kontabilitetit mund të marrin një stimul me futjen e fiskalizimit (ndryshimet e pritura që hyjnë në fuqi nga 1 shtatori), bizneset do të kenë nevojë për konsulenca nga profesionistët e fushës. Ndërkohë për sa u përket shërbimeve juridike, shtyrja e gjyqeve ndikoi në mënyrë të konsiderueshme, duke i vënë në vështirësi (kujtojmë që profesionet e lira u përjashtuan nga çdo lloj ndihme qeveritare), por me rihapjen e ekonomisë, mendoj se do të normalizohen.
Shërbimet e Teknologjisë dhe Informacionit. Ky sektor është tek të paktët sektorë që njohu rritje gjatë pandemisë, duke qenë se kontakti fizik u minimizua dhe gjithkush kërkoi ndihmë nga miqtë virtualë. Këtë periudhë, më shumë se kurrë, u pa sesa e nevojshme ishte të ecësh me kohën. Përkundër nga gjithçka më sipër, në këtë sektor mendoj se do të ketë startup-e të reja, do të ketë biznese që do të regjistrohen rishtazi apo investime të mëtejshme të atyre ekzistuese.
Agjencitë e Udhëtimit. Ky sektor, totalisht i lidhur me turizmin apo transportin e udhëtarëve duket të jetë më i godituri. Gjatë periudhës së izolimit, panorama është plotësisht e qartë, jo vetëm që nuk u gjenerua asnjë e ardhur, por u bë një punë stresuese me udhëtarët të cilët kërkonin kompensim apo rimbursime të biletave për fluturimet, apo paketat turistike të anuluara. Por edhe me mbarimin e izolimit, situata nuk duket aspak optimiste: kaosi me fluturimet (lejohet, s’lejohet, me karantinë, pa karantinë) nuk mund të lejojë sektorin të marrë frymë, dhe kjo situatë nuk dihet se sa do të zgjasë.
Operatorët thonë që 80-90% e rezervimeve nga të huajt tashmë janë anuluar. Nxitja e Turizmit Patriotik, këtë sektor nuk e ndihmon aspak, përkundrazi punon kundër tij. Me rihapjen e ekonomisë, ata që tashmë janë rikthyer pa i vënë drynin menjëherë, kanë bërë shkurtime të vendeve të punës, e më tej nëse kjo situatë mbetet e tillë dhe përtej vjeshtës paralajmërohen mbyllje masive. Masat lehtësuese të ndërmarra nga qeveria nuk shikohen aspak favorizuese nga subjektet e këtij sektori. Kërkohet një ndihmë reale ose pasojat në këtë sektor do të jenë shumë të rënda.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.