Si po rritet industria e përpunimit të peshkut

10/08/2019 10:05 PM 0 komente

Sektori i peshkimit po përjeton vitet e fundit një periudhë të artë. Të dhënat zyrtare tregojnë se ka pasur një rritje eksponenciale si për sa u përket sasive të zëna dhe eksporteve, edhe në numrin e të punësuarve. Pjesa më e madhe e këtij bumi i atribuohet formalizimit të sektorit me anë të reformave të ndërmarra. Investimet e mëtejshme pritet që të rrisin kapacitetin në porte, ndërsa ndërtimi i shkallëve të riparimit do të ulë më tej kostot e anijeve shqiptare, të cilat shpenzonin mesatarisht 7-8 milionë euro në vit në portet fqinje. Si është gjendja e flotës detare dhe potenciali i një sektori, që deri më tani rezulton fitimprurës…

 

Nga Ledina Loga

 

Sektori i peshkimit në vend duket se po përjeton një periudhë të artë. Të dhënat e INSTAT për vitin 2018 treguan se pati një rritje të sasisë së zënë, si për peshkimin detar, ashtu edhe për akuakulturën, duke shënjuar kështu një vit fitimprurës për operatorët që janë pjesë e industrisë.

Për vitin 2018, sasitë e zëna të peshkut arritën vlerën e 8629 tonëve, prej të cilave 5537 tonë ishin nga peshkimi detar, ndërsa sasitë e zëna nga akuakulutra përllogariten në 6246 tonë, sipas INSTAT. Sasitë e peshkut nga akuakultura janë më shumë se dyfishuar që prej vitit 2013.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo, në një intervistë për “Monitor” shpjegon se kjo lloj kulture po njeh zgjerim të vazhdueshëm, veçanërisht në zonën e Vlorës. Sasitë e zëna të peshkut nga akuakultura në Shqipëri po shkojnë direkt në supermarketet italiane, ndërsa pjesa tjetër e prodhimit mbetet në vend.

Edhe të ardhurat për shumë nga kompanitë që operojnë në sektor njohën rritje, të cilat për kompanitë më të mëdha ishin dyshifrore. Të ardhurat e kompanisë Rozafa, një nga më të mëdhatë në vend, për zënien dhe përpunimin e peshkut u rritën me 22% në vitin 2018. Sipas të dhënave të përditësuara së fundmi në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Rozafa qarkulloi në 2018-n 1.3 miliardë lekë, nga 1.1 një vit më parë. Po ashtu, edhe kompanitë e tjera të zënies dhe përpunimit të peshkut patën rritje, një prej të cilave edhe kompania Poseidon, me 10%.

Kompania më e madhe në vend, për sa i përket qarkullimit, por edhe flotës detare, Coral, ende nuk ka përditësuar të ardhurat e gjeneruara në 2018-n, por nga të dhënat historike në QKB, në 2017-n të ardhurat e kompanisë kapën vlerën e 1.8 miliardë lekëve nga 1.7 mld, që kishte realizuar një vit më parë.

Sipas ekspertëve të sektorit, pjesa më e madhe e rritjes së tij, i atribuohet formalizimit dhe reformave të ndërmarra, një prej të cilave është edhe përjashtimi i karburantit që përdorin anijet për peshkim nga akciza dhe taksa e qarkullimit me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave që hyri në fuqi në 2015. Vetëm për vitin 2018, Bujar Bala, agjent i administrimit në Portin e Durrësit thotë për “Monitor” se janë përfituar rreth 8 milionë litra naftë pa akcizë.

Një nga kriteret për të përfituar nga kjo lehtësi është që vlera totale e karburantit të furnizuar (konsumuar) gjatë një 6-mujori nuk mund të jetë më e madhe se 80% e vlerës totale të produktit të peshkimit të shitur me faturë tatimore me TVSH, gjatë kësaj periudhe. Kjo sipas zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo, ka ndikuar në rritjen e shkallës së formalizimit të sektorit.

Zv.ministri njofton se reformat po vazhdojnë, si për përmirësimin e kushteve në porte, duke investuar në shtimin e kapaciteteve të tyre dhe njëkohësisht në ngritjen e shkallëve të riparimit. Mosha mesatare e anijeve shqiptare është 40 vjeç, ndërsa në Bashkimin Europian, mosha mesatare e anijeve shkon deri në 29 vjeç. Mungesa e vendeve të posaçme për riparimin e anijeve shqiptare bën që për çdo vit, kompanitë shqiptare të shpenzojnë me miliona euro në portet europiane për riparimin e anijeve. Gjithashtu pritet që deri në fund të këtij viti, të përfundojnë edhe markatat e tregtimit me shumicë të peshkut.

Mark Babani, drejtues i Mare Adriatica, thotë se për këtë vit ecuria ka qenë e mirë dhe kanë pasur rritje të volumeve në raport me një vit më parë. Sipas Babanit rritja ka ardhur kryesisht nga diversifikimi i klientëve pasi kanë lidhur kontrata të reja me Kanadanë dhe Australinë. Për sa i përket problemit me kuotat, po operojnë duke e çuar produktin gjysmë të gatshme drejt Italisë. Për kompanitë që operojnë si material porositësi (fason) në industri Mark Babani shprehet pesimist për vijimin e tyre, pasi po goditen nga zhvlerësimi i euros dhe kuotat e kufizuara.

 

Sektori me peshë në punësim, përpunuesit gjejnë me vështirësi staf

Aktualisht, në Portin e Durrësit mungojnë 200 peshkatarë, sipas z. Roland Kristo, i cili shtron si një nga problematikat gjetjet e krahut të punës dhe interesin e vakët të të rinjve për të hyrë në sektor, ndonëse është një ndër më të paguarit. Sipas zv.ministrit në sektorin detar numërohen rreth 800-900 të punësuar, ndërsa numri i të punësuarve në industrinë përpunuese të peshkut është më i lartë.

Në vitet e fundit, është rritur numri i të punësuarve në sektor, që sipas zv.ministrit është si efekt i formalizimit. Një nga kriteret për të përfituar naftën pa akcizë është edhe deklarimi i numrit minimal të punonjësve në varësi të kategorisë së mjetit. Subjektet duhet të kenë të punësuar dhe të regjistruar për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore një numër jo më pak se:

i) (dy) persona për anijet deri në 15 metra gjatësi;

ii) (tre) persona për anijet mbi 15 metra deri në 24 metra gjatësi;

iii) (katër) persona për anijet mbi 24 metra gjatësi.

dh) janë subjekte aktive të regjistruara, të cilat nuk kanë detyrime ndaj organeve tatimore dhe doganore.

Në industrinë e përpunimit të peshkut, ku një pjesë e subjekteve shërbejnë si fason (shesin krahun e lirë të punës), kompanitë po hasin vështirësi me gjetjen e krahut të punës.

 

Eksportet në rritje

Edhe tregtia e peshkut ka shënuar rritje. Të dhënat e fundit mbi 6-mujorin e vitit 2019 tregojnë se vlera e eksporteve ishte mbi 6 miliardë lekë (7.4 milionë kg peshk i eksportuar. Në krahasim me një vit më parë, vlera e peshkut të eksportuar u rrit me 3.4%.
Për sa u përket importeve të peshkut, të dhënat e vëna në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë për “Monitor” tregojnë se për gjashtë muajt e parë të vitit u importuan rreth 4.6 miliardë lekë peshk, me rritje të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

 

 

Ngecin negociatat

Një nga çështjet më të nxehta të sektorit, veçanërisht industrisë së përpunimit të peshkut, kanë qenë kuotat e eksportit për disa lloje peshqish pellagjikë (kryesisht açuget, sardelet dhe ton) drejt Bashkimit Europian. Aktualisht Shqipëria mund të eksportojë deri në 1600 tonë peshk të përpunuar açuge drejt vendeve të BE-së pa paguar taksë. Pas plotësimit të kësaj kuote, sasitë e eksportuara nga Shqipëria taksohen me 25% të vlerës së tyre.

Ndonëse shumë nga kompanitë, pas përmbushjes së kuotës e çojnë peshkun si produkt gjysmë të gatshëm, janë vendosur në vështirësisë. Prej vitesh, ata ngrenë zërin pranë zyrtarëve shqiptarë për të rinegociuar kuotat me Bashkimin Europian, por ende nuk kanë marrë zgjidhje.

Sipas zv.ministrit Kristo, problemi i kuotave është një çështje tregtare dhe negocimi i tyre në këtë moment që po ndryshojnë strukturat e drejtimit në Bashkimin Europian është i vështirë. Në rast se Shqipëria do që të përfitojë nga rritja e kuotave, duhet që të lëshojë një treg tjetër në mënyrë që të eliminohet efekti negativ që do të ketë BE në bilancin tregtar.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of