Tirana nuk është ende një “Silicon Valley”, pasi startup-et kanë nisur të shfaqen rreth gjashtë vite më parë. Megjithatë, numri i tyre po sheh rritje në çdo vit. Ose të paktën idetë e nisura nga një grup gjithnjë e në rritje brenda komunitetit. Natyra e këtyre sipërmarrjeve i përket kryesisht fushës së Teknologjisë së Informacionit, por edhe shërbimit e argëtimit. Qeveria ka vënë në dispozicion, për vitin 2019, një fond me vlerë 10 milionë lekë. Por, problematikat theksohen me kalimin e viteve…
Nga Deada Hyka
Kur takon Aneidën, do të të kujtohen fjalët që të thonë të gjithë në komunitetin e startup në Shqipëri: e përgjegjshme, serioze, e angazhuar për të qenë më pranë të rinjve që kanë pasionin për të sjellë ide biznesi dhe e gatshme t’i ndihmojë ata të futen në tregun shqiptar. Gjithçka nisi kur dikur u bë pjesëmarrëse në një nga eventet e komunitetit të startup. Me shumë vështirësi mbajti një biznes për një vit në treg, dhe më pas e ktheu “dështimin” në forcë.
Aktualisht, ajo është drejtuese e dy komuniteteve startup dhe bashkëthemeluese e një biznesi në fushën e konsulencës financiare për kompanitë vendase dhe të huaja. Aneida Bajraktari thotë për “Monitor” se, ekosistemi i startup-eve në Shqipëri është rritur me shpejtësi vitet e fundit, nëpërmjet organizimit të eventeve dhe programeve që kanë si qëllim, në radhë të parë, ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e startup për ekonominë dhe për t’i dhënë zgjidhje problemeve të jetës së përditshme. Këto ekosisteme, sipas saj, kanë marrë përsipër të nxisin këta të rinj, të themelojnë biznese të reja inovative.
“Megjithatë, nuk ka një numër të madh startup që kanë pasur sukses brenda apo jashtë vendit, ose startup që të kenë potencial për t’u rritur në të ardhmen. Në shumicën e rasteve ngecin në ‘fazën e idesë’ dhe nuk e vënë në jetë idenë e tyre të biznesit. Problematikat gjenden në mungesën e mbështetjes së të rinjve nga familja, si dhe fonde të ulëta për t’i ndihmuar ata në vijimësi të rrugëtimit të biznesit” – thekson Aneida.
Në shtator 2014, qeveria vendosi krijimin e një fondi mbështetës për sipërmarrjet e reja, startup, i cili do të kishte një kohëzgjatje 4 vjet. Vendimi konsideronte sipërmarrje të re ose “startup” një kompani të sapokrijuar dhe që ishte në kërkim të tregjeve. Burimi kryesor i financimit është shteti, por nuk përjashtohen edhe donatorët e huaj, apo institucionet financiare ndërkombëtare.
Gjashtë janë sektorët që, sipas këtij vendimi, mund të përfitojnë nga këto fonde: prodhimi dhe shërbimet, industria e lehtë, turizmi, kërkimi dhe zhvillimi, agropërpunimi, si dhe dizenjimi, modelimi dhe artizanati. Në vitin 2014, qeveria kishte përcaktuar se nga këto fonde, mund të përfitonin vetëm ato startup-e që ishin të regjistruara në QKR, për një periudhë prej 1-2 vitesh. Por, vetëm pak kohë më parë, qeveria për të nxitur këto sipërmarrje të reja, si dhe për t’u dhënë atyre më shumë mundësi financimi, vendosi të ndryshojë këtë periudhë dhe ta bëjë nga 0-2 vit regjistrim në QKR.
Sipas drejtuesve të Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve për vitin 2019, fondi i vënë në dispozicion për mbështetjen e startup është 10 milionë lekë. Sipas AIDA, fondi startup ka për qëllim të mbështesë bizneset e sapokrijuara “Startup” në Shqipëri, nëpërmjet subvencionimit financiar të drejtpërdrejtë për këtë kategori biznesi, duke përmirësuar klimën dhe kushtet operuese të tyre, me synim krijimin e bazave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Mund të aplikojnë, subjektet që janë të regjistruara në QKB, nga 0-2 vjet.
Kostot e mbulueshme janë 70 % në formë granti dhe 30 % kompania. Çdo kompani mund të përfitojë jo më shumë se 500.000 lekë për çdo projekt.
Fondi në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Start-up” është krijuar për t’i shërbyer Ndërmarrjeve Mikro dhe të Vogla, që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në:
- Sektorët prodhues dhe të shërbimit;
- Sektorin e industrisë së lehtë;
- Sektorin e turizmit;
- Fushën e kërkimit dhe të zhvillimit;
- Procesin e agropërpunimit;
- Fushën e dizenjimit, modelimit, artizanatit.
Fondi ofron subvencionim për shpenzime që kanë të bëjnë me aktivitete të miratuara, mbi bazën e ndarjes së shpenzimeve. Kjo nënkupton se granti nuk financon të gjitha shpenzimet, por vetëm një pjesë të tyre, kurse pjesa tjetër financohet nga përfituesi i grantit (në këtë rast ndërmarrja shqiptare).
Në Shqipëri ka disa ekosisteme, që përbëjnë rrjetin e komuniteteve të startup. Megjithatë ato janë ende të brishta krahasuar me rrjete simotra në botë, të cilat kanë hedhur hapa më të sigurt tashmë. Ekspertët e kësaj fushe thonë se nëpërmjet tyre, të rinjtë kanë mundësi për të zhvilluar idetë dhe për të gjetur format e jetësimit në një produkt apo shërbim.
“Startups.al” ka në thelb mundësinë e identifikimit të startup-eve shqiptare me mundësi zhvillimi përtej kufijve të Shqipërisë dhe ofrimit të investimeve, për t’i çuar ato më tej si biznese në tregun ndërkombëtar.
“Garazh” është një tjetër organizim, tejet inovativ, i ngritur me qëllim që të ofrojë mbështetje për komunitetin shqiptar të startup, IT, si dhe entuziastëve të sipërmarrjes inovatore. Për të gjithë ata që tashmë e kanë nisur rrugën, Garazh do t’i ndihmojë me trajnime të vazhdueshme në lidhje me fushat që interesojnë startup-et. Programi i tyre përfshin larmishmëri trajnimesh mbi gjuhë të ndryshme kodimi, teknika shitje e marketing dixhital, sipërmarrje, gjetje dhe menaxhim burimesh financiare.
Ndër aktorë të tjerë të rrjetit të startup-eve mund të përmendim edhe “Startup Weekend”, në bashkëpunim me Protik, që ofrojnë shërbime të ndryshme, duke plotësuar rrjetin e ekosistemeve. Startup Weekend Tirana është një rrjet global i udhëheqësve dhe sipërmarrësve të pasionuar, misioni i të cilëve është të frymëzojë, të edukojë dhe të fuqizojë individët, ekipet dhe komunitetet.
Një tjetër organizim është “Start Up City”. Ky aktivitet është nisur si nismë nga studentë të Universitetit të Tiranës, Në edicionin e dytë të Startup City aplikuan 77 ide biznesi. Fituesit e vendit të parë të këtij konkursi ishin tre studentët Endri Nasufi, Ersi Gogla dhe Krismando Bisha me idenë e biznesit Concept Marketing. Fituesi i vendit të parë mori një çmim prej 100 000 lekësh të reja. Startup Concept Marketing tashmë operon në tregun shqiptar, duke ofruar shërbimet e marketingut për biznese të tjera të vogla dhe të mesme.
Një tjetër organizim është” Ofiçina” (Enterpreneurship & Innovation Lab)
Ofiçina është një nismë strategjike, e fokusuar në ndihmën dhe zhvillimin e industrisë të teknologjisë në Shqipëri. Ofiçina zhvillon një program të përvitshëm akseleratori për statup-et e teknologjisë së lartë. Ofiçina gjithashtu ofron programe dhe evente të tjera të shumta për sipërmarrësit dhe profesionistët e rinj, të cilët dëshirojnë të zhvillojnë aftësitë e tyre të biznesit, të shfrytëzojnë e-skills dhe network.
Protik ICT Resource Centre
Protik ICT Resource Centre është një qendër e financuar nga qeveria shqiptare dhe partnerë ndërkombëtarë, e cila synon nxitjen e zhvillimit të teknologjisë te të rinjtë shqiptarë, duke organizuar aktivitete lokale dhe me karakter global, si konferenca, sesione informimi apo konkurse që u japin mundësi të rinjve të marrin pjesë në to. Qendra ofron edhe mundësi akselerimi për sipërmarrjet e reja.
Qendra Rinore Tiranë
Qendra Rinore Tiranë, e hapur me mbështetjen e Qeverisë së Shqipërisë, ofron hapësirat e saj falas për mbajtjen e aktiviteteve nga të rinjtë, në fusha të ndryshme, të angazhimit social dhe humanitar dhe organizime mbi teknologjinë.
Dutch Hub- Your Cooworking Space in Tirana
Dutch Hub- Your Cooworking Space in Tirana është një hapësirë pune në qytetin e Tiranës, e cila i vjen në ndihmë çdo profesionisti në kërkim të një zyre. Nëpërmjet disa paketave të ofruara, kjo qendër synon që t’u përshtatet nevojave individuale të secilës mënyrë të punuari, duke u treguar elastikë dhe dashamirës ndaj çdo kërkese. Gjithashtu, Dutch Hub ofron ambiente për kryerjen e trajnimeve dhe seminareve, duke mos përjashtuar hapësirat për kryerjen e eventeve. Dutch Hub synon krijimin e një komuniteti profesional, i cili ka filluar të ndërtohet, por nevojitet ende të fuqizohet me pjesëmarrjen e një numri më të madh individësh. Fokus i këtij komuniteti është shkëmbimi midis profesionistëve, ku secili prej tyre mund të japë ndihmesën e tij me ide sipërmarrëse dhe bashkëpunuese.
Startup Grind Tirana
Startup Grind Tirana prezanton një forum të ngushtë të komunitetit për themeluesit dhe sipërmarrësit, për të mësuar nga startup-et më të suksesshme dhe për të shkëmbyer përvojat më të mira midis tyre.
Yunus Social Business Balkan
Yunus Social Business Balkans (YSBB) përshpejton dhe financon bizneset sociale në Shqipëri, Bosnjë – Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. Ofron burime njerëzore, trajnerë dhe mentorë për sipërmarrësit nëpërmjet një programi të strukturuar të përshpejtimit të biznesit. Për bizneset më premtuese sociale, YSB Balkans ofron financim dhe mbështetje pas investimeve.
Open Labs Hacker Space Albania
Open Labs është organizata e parë hackerspace në Shqipëri. Qëllimi i saj është të ndajë njohuritë, duke përdorur mjete të hapura që janë në dispozicion nëpërmjet teknologjisë. Organizon evente javore në fushën e teknologjisë.
The Swiss Entrepreneurship Albania
Swiss EP në Shqipëri është një pjesë integrale e ekosistemit të sipërmarrjes në Shqipëri. Punon ngushtë me organizatat e ekosistemit, ekipet e startup-eve dhe startup individë, mediat që raportojnë në fushën e sipërmarrjes dhe të gjithë aktorët e tjerë që janë të angazhuar në këtë fushë. Në bashkëpunim me organizatat e ekosistemit, mbështet dhe lehtëson programet e akselerimit, evente, seminare, leksione, takime, pitches, trainime etj.
Global Opportinities Albania
GO Albania është një organizatë joqeveritare, e cila synon të arrijë përparimin social dhe ekonomik në Shqipëri, nëpërmjet një shumëllojshmërie të qasjeve që ndihmojnë dhe zhvillojnë sipërmarrjen dhe mendimin sipërmarrës.
Idea Make it in Albania
Sipërmarrës të rinj, apo që kanë një ide biznesi, kanë mundësi të bëhen pjesë e projektit IDEA, program që mbështet zhvillimet inovative për sipërmarrësit në Shqipëri, financuar nga GIZ. IDEA ofron një paketë të plotë trajnimi me metodologjinë CEFE për kompetenca dhe aftësi për biznes, tre muaj këshillim dhe dy muaj mentorim.
Problematikat e sektorit
Një ndër problemet më të mëdha të startup shqiptare dhe mjedisit në Shqipëri, sipas Tomi Kallanxhi, drejtues i Big Media Expert, është fakti se nuk ka një strategji të mirëpërcaktuar në këtë fushë, që t’u japë përparësi këtyre startup-eve apo ide, që të nxiten më tepër për t’u zhvilluar, në një treg që ka ende shumë për t’u dhënë. Tomi beson se, tregu vendas ka nevojë për shumë modele biznesesh të mira, si jashtë, e duhet përfituar nga këto mundësi, për sa kohë që gjigantët e huaj nuk kanë hyrë në Shqipëri. Një strategji e mirëfilltë në këtë kontekst, sipas tij, do të synonte krijimin e një rrjeti biznesesh në fushën e së ardhmes, atë që ai pëlqen ta quajë “Fillimi i Revolucionit të Katërt Industrial”. Kështu, edhe forca punëtore, kapitali njerëzor më i dobishëm në këtë fushë, s’do të shkonte në Gjermani apo gjetkë për të punuar, por do të investonte këtu.
Ai shton se, nga ana e politikave drejtuese duhet punuar më tepër, që idetë e bizneset e lindura të funksionojnë më gjatë. Bizneset start-up në Shqipëri nuk duhet të taksohen me TVSH 20%, pasi është rëndesë për to, në kushtet që duhen lehtësuar. Tomi thekson një tjetër çështje problematike, rrënjët e së cilës të çojnë te modeli arsimor aktual. Duke qenë se po zhvillohen vrullshëm shumë klasa të studentëve në fushën e teknologjisë së informacionit, ato sigurisht kërkojnë për treg pune ose ide zhvillimi biznesesh. Mirëpo, kanë pak njohuri praktike, pasi dalin nga bankat e shkollës. “Për t’i trajnuar ata apo për t’i marrë si praktikantë, na duhet të paguajmë një tarifë mujore prej 7000 lekësh, sipas ligjit në fuqi edhe për punësimin si praktikant. Kjo barrë fiskale është një element negativ edhe për biznese të vogla si ne”, thotë ai.
Sindi Xhillari, administratore e Turboo, thotë për “Monitor” se, nga përvoja në themelimin e dy startup-eve në Shqipëri, në fushën e real estate dhe në fushën e e-commerce, ka parë si problematikë konkurrencën e pandershme në një treg kaq të vogël. Ajo shprehet duhet një kontroll mbi çfarë po operon në treg dhe gjithashtu, politika stimuluese për të rinjtë që marrin përsipër të sjellin ide dhe biznese të mira. Sindi thekson se Shqipëria po preket gjithnjë e më tepër nga fenomeni i “brain drain” dhe po bëhet e vështirë gjetja e punonjësve, në kushtet e emigracionit të lartë.
Kuadri ligjor, sipas Aneida Bajraktari, është një tjetër problematikë. “Mungon përdorimi i termit startup, arsye kjo edhe pse nuk ka të dhëna të sakta që lidhen me startup-et. Mungon bashkëpunimi qeveri – universitet – sektor privat (modeli tripel helix) që do të krijonte një mjedis më të qëndrueshëm sipërmarrës për të rinjtë. Nuk ka lehtësi ligjore për krijimin e startup-eve të reja inovative. Fondet që jepen për të nisur biznese të reja apo për fazat e hershme të biznesit janë të vogla dhe përcaktojnë në shumicën e rasteve, linjat e buxhetit për të cilat duhen shpenzuar” – thekson ajo.
Potenciali i startup-eve shqiptare
Dy janë shtyllat kryesore, që do të zhvillojnë mjedisin e startup në Shqipëri: ideja e mirë dhe financimi i saj. Idetë në fushën e startup-eve teknologjikë nuk mungojnë. Më tepër janë në fushën teknologjike, pasi krahasuar me startup në bujqësi apo shërbim, është më e lehtë që një ide në fushën e Teknologjisë së Informacionit të bëhet realitet, me më pak rreziqe
Nuk mungojnë njerëzit me ide të guximshme dhe entuziazëm për t’i ndjekur ato. Mos kërkoni më larg me klasifikimin e startup-eve më të mira – nis artikulli i INC.
Kairos, një fond investimesh në Nju Jork, zbuloi listën e sipërmarrësve fitues në fund të tetorit.Nga 2.500 startup-e në fazën e hershme, nga më shumë se 65 shtete të botës, vetëm 50 ndërmarrje arritën të përfshihen në listë, dhe 6 të parat janë më poshtë:
1. Ayenda
Ayenda Rooms është një sistem i administrimit të pronave për hotele të pavarura në Kolumbi. Hotelet, nën ombrellën e kompanisë trevjeçare, marrin shërbime të rezervimit të plotë dhe menaxhimit të pronave. Ayenda ofron pajisje standarde në të gjitha ndërtesat si mëngjes, Wi-Fi, shishe uji, TV dhe çarçafë të pastër.2. BabySparks
Në qoftë se nuk jeni martuar me një specialist të zhvillimit të fëmijëve, prindërit e rinj kanë disa programe të çmueshme për të mësuar rreth vogëlushit të tyre. Hyni në BabySparks, shërbimin e pajtimit arsimor pesëvjeçar me bazë në Majami, i cili do t’ju japë më shumë njohuri në vitet e para kritike të rritjes së fëmijës – duke ofruar gjithçka, nga aktivitetet e përditshme, të përshtatshme për moshën, deri në përshkrimin e pikave kryesore.3.Bankity
Bankity, e themeluar në vitin 2016, është një aplikacion i përparuar bankar dixhital, i cili lejon përdoruesit të ndjekin shpenzimet dhe të kuptojnë më mirë financat e tyre. Kompania kohët e fundit filloi të ofrojë një kartë krediti gjithashtu.4. Bumblebee
Themeluesit e Hapësirave Bumblebee të San Francisko duan që ju të zvogëloni – ose, ndoshta më saktë, të rrisni madhësinë. Një dhomë e arreduar në tavan kushton 6,000 deri në 10,000 dollarë. Hapësirat Bumblebee aktualisht po pranojnë kërkesat e tregut masiv, me shumë të tilla në pritje.5. Cabin
Ndërsa linjat ajrore ofrojnë më pak salla pritjeje, ky shërbim i autobusëve po zvogëlon pajisjet. Aktualisht duke ofruar udhëtime brenda natës midis Los Anxhelos dhe San Francisko, që fillojnë me 115 dollarë, autobusët luksozë të Cabin-it me qendër në San Francisko vijnë me shtretër të ndarë për të fjetur gjatë udhëtimit.6. CalypsoAI
Aty ku ka teknologji të re, si Inteligjenca Artificiale, do të ketë kriminelë që presin të shkelin pragun. CalypsoAI është një kompani e fshehtë në Los Anxhelos, e përqendruar në zgjidhjen e çështjeve të sigurisë në internet. A.I. është veçanërisht e ndjeshme sot, për shkak të asaj që njihet si problemi i kutisë së zezë – domethënë nuk është e qartë se si produktet e Inteligjencës Artificiale marrin vendime – dhe zhvendosja drejt metodave të sofistikuara të mësimit të thellë. CalypsoAI pretendon se ka një zgjidhje.Burimi: INC.COM
INTERVISTA
‘Ekosistemi i startup po rritet, ka ende problematika…”
Si kanë qenë fillesat në fushën e startup? Pse vendosët të bashkoheshit me komunitetin e Startup Weekend Tirana? Sa vite keni që jeni pjesë edhe e Startup Grind?
Çdo gjë ka nisur në Startup Weekend Tirana, në vitin 2012. Në atë kohë, merrja pjesë me një ide që ndërthurte modën me teknologjinë, ku dhe fitova çmimin e inovacionit. Startup-i zgjati rreth një vit. Edhe pse biznesi nuk pati sukses, Startup Weekend ishte një frymëzim shumë i madh për mua.
Ai event më mësoi që limitet janë thjesht në mendjet tona, që me pasion dhe punë, mund të arrish të realizosh ëndrrat, që nëse fokusohesh mund të bësh shumë në fare pak kohë, duke u nisur nga ideja e Startup Weekend që është të ngresh një biznes në 54 orë. Pas pjesëmarrjes në Samitin Global të Sipërmarrjes në Malajzi, nismë e Presidentit Obama asokohe, mendoja se duhet të bëja diçka për të rinjtë në Shqipëri. Dhe, vendosa të organizoja vetë Startup Weekend Tirana.
Bashkë me një skuadër të mrekullueshme, realizuam një event me rreth 150 të rinj. Aty kuptova se sa nevojë kishin të rinjtë për evente të tilla. Kështu, ndoqën edhe shumë startup Weekend të tjera. Unë besoj shumë te vlerat që ka ky organizim dhe te çdo gjë që të mëson: si të zhvillosh një ide biznesi, roli që ka skuadra në një startup, rëndësia e komunikimit, marrja përsipër e rreziqeve, lidhja me mentorët etj. Do të vazhdoj të merrem me këtë organizim, që ky event t’ua ndryshojë jetën të rinjve të tjerë, siç ma ndryshoi mua.
Në vitin 2015, vendosa të jap kontributin tim në Startup Grind Tirana, duke iu bashkuar skuadrës që e organizonte. Që prej 3 vitesh, jam drejtuese e saj. Startup Grind është një event i mirë, nëse kërkon të frymëzohesh, të mësosh nga historitë e sipërmarrësve që intervistojmë dhe të zgjerosh network-un tënd në eventet mujore që organizojmë. Ndërsa, që prej 2016, kam bashkëthemeluar kompaninë, “Balkans Capital”, e fokusuar në fushën e konsulencës financiare për kompanitë vendase dhe të huaja, organizatave jofitimprurëse etj.
Në vitet e përvojës, si e gjykoni mjedisin në Shqipëri për të nisur dhe për të zhvilluar një startup? Cilat janë vështirësitë kryesore që përballen të rinjtë?
Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, po përdor sipërmarrjen, inovacionin, teknologjinë, për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe për të krijuar mundësi të reja për të rinjtë. Ekosistemi i startup-eve në Shqipëri është rritur me shpejtësi vitet e fundit, nëpërmjet organizimit të eventeve dhe programeve që kanë si qëllim, në radhë të parë, ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë që kanë startua-et për ekonominë dhe për t’i dhënë zgjidhje problemeve të jetës së përditshme, si dhe t’i nxisin ata, të themelojnë biznese të reja inovative. Megjithatë, nuk ka një numër të madh startup që kanë pasur sukses brenda apo jashtë vendit, ose startup që të kenë potencial për t’u rritur në të ardhmen. Në pjesën më të madhe të rasteve ngecin në ‘fazën e idesë’ dhe nuk e vënë në jetë idenë e tyre të biznesit.
Në kuadrin ligjor, nuk ka përdorim të termit startup, arsye kjo edhe pse nuk ka të dhëna të sakta që lidhen me startup-et. Mungon bashkëpunimi qeveri – universitet – sektor privat (modeli tripel helix) që do të krijonte një mjedis më të qëndrueshëm sipërmarrës për të rinjtë. Nuk ka lehtësi ligjore për krijimin e startup-eve të reja inovative. Fondet që jepen për të nisur biznese të reja, apo për fazat e hershme të biznesit, janë të vogla dhe përcaktojnë në shumicën e rasteve linjat e buxhetit për të cilat duhen shpenzuar. Gjithashtu shumë të rinj që duan të nisin biznesin e tyre, nuk kanë mbështetje nga familja, e cila i nxit gjetjen e një punë të sigurt dhe jo marrjen përsipër të riskut që të sjell biznesi. Mbështetja e familjes dhe miqve ka rëndësi shumë të madhe, si në aspektin psikologjik, por edhe në aspektin financiar (ndihma me fonde për të nisur ose për të zhvilluar më tej biznesin).
Komunitetet që ndihmojnë në mentorime dhe fonde janë shtuar në vend. Sa mendoni se ndihmojnë për të rinjtë?
Vitet e fundit, shumë organizata dhe projekte kanë mbështetur të rinjtë me mentorim dhe fonde. Kjo ka ndihmuar shumë të rinj. Megjithatë, ajo që kanë nevojë këta të rinj janë inkubatorë biznesi, që t’i mbështesin që nga faza e idesë dhe deri në fazën e daljes në treg, me fonde. Në Shqipëri, organizata të ndryshme mbështesin të rinjtë më së shumti në fazat e idesë së biznesit. Fondet gjithashtu janë të limituara dhe nuk u përgjigjen nevojave të startup-eve.
Cilat janë “mangësitë” në zhvillimet e startup-eve shqiptare? Ide ka shumë, një pjesë e mirë mbeten në letër…
Ka shumë faktorë që ndikojnë në mangësinë që kanë startup-et shqiptare për të dalë nga faza e idesë dhe për të zhvilluar një produkt ose shërbim konkret, që është gati të dalë në treg. Siç e përmenda edhe më lart, kultura shqiptare ndaj riskut dhe sipërmarrjes ka ndikim të madh (jo mbështetje nga familja dhe miqtë), ekosistem ende i pazhvilluar mirë, strategji jo e qartë e shtetit për startup-et, mungesa e lehtësive ligjore dhe fiskale, mungesa e edukimit të sipërmarrjes në universitete, qasja e shtetit ndaj biznesit që i bën të rinjtë jo vetëm të mos nisin bizneset e tyre, por edhe të largohen nga vendi. Media, gjithashtu, mund të luajë një rol të madh në promovimin e shpirtit te të rinjtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.