Si ta shpëtoni telefonin nëse bie në ujë

03/08/2020 9:00 AM 0 komente

Për smartphone IP68 dhe IP69, rënia në ujë nuk duhet të jetë problem serioz

 

Deri pak kohë më parë, nëse një smartphone binte në ujë, kishte pak mundësi të mbijetonte dhe të funksiononte pasi thahej – ndonjëherë me metoda krijuese dhe joefikase – si vendosja e tij në një kuti me oriz. Megjithatë, prej disa vitesh, prodhuesit kryesorë të celularëve si Samsung dhe Apple, kanë nisur të realizojnë modele rezistente ndaj ujit, që brenda limiteve të caktuara mund të qëndrojnë të zhytur për disa minuta dhe të mos prishen.

Nëse smartphone që përdorni ka më pak se dy vjet në treg, ka gjasa të jetë projektuar për t’i rezistuar ujit. Për ta zbuluar këtë, lexoni karakteristikat teknike në një motor kërkimi, duke shkruar emrin e smartphone, ndjekur nga fjalët “waterproof” ose nga kodet IP67, IP68 e IP69. Nëse në përshkrimin e smartphone shfaqet një prej tyre, do të thotë se ka mjaft mundësi që të rezistojë për një kohë të shkurtër nëse bie në pishinë, apo ndaj derdhjes së një gote me ujë apo pije të tjera.

Shkalla e mbrojtjes

Kodet IP identifikojnë shkallën e mbrojtjes së smartphone, mbi bazën e një standardi ndërkombëtar (IEC 60529), i përcaktuar nga Komisioni Elektronik Ndërkombëtar. Numrat shërbejnë për të klasifikuar cilësitë e smartphone dhe në përgjithësi, të produkteve elektrike dhe elektronike, me referenca më të sakta se ato të përgjithshme si “rezistent ndaj ujit”, “i papërshkueshëm nga uji” dhe “rezistent ndaj pluhurit”. Dy shifrat pas IP tregojnë që smartphone respekton disa karakteristika dhe përputhet me treguesit e standardeve.

IP68 tregon që smartphone është “i papërshkueshëm nga pluhuri” (6) duke parandaluar hyrjen e çdo trupi të vogël të ngurtë dhe se ka një mbrojtje nga “zhytje të përhershme” (8) më shumë se një metër thellësi (zakonisht më shumë se tre metra) për të paktën 30 minuta.

IP69 tregon mbrojtje nga pluhuri (6) dhe një shkallë më të madhe mbrojtje nga uji (9) në një temperaturë dhe presion më të lartë sesa niveli i mbrojtjes 8. Në pjesën më të madhe të rasteve, IP68 është i mjaftueshëm për të garantuar një izolim të mirë të smartphone dhe një rrezik të vogël që uji mund ta dëmtojë. Modelet pak më të vjetra mund të kenë një shkallë mbrojtje IP67, ku numri 7 tregon rezistencë në një zhytje deri në 1 metër për rreth 30 minuta.

Izolimi

Në mënyrë që smartphonet të jenë IP68, prodhuesit punojnë për të reduktuar pikat nga mund të depërtojë uji, i cili mund të shkatërrojë qarqet. Këto të fundit mbështillen me substanca që krijojnë një shtresë të hollë, e cila parandalon infiltrimin e ujit.

Shembuj

Modelet me çmim mesatar dhe të lartë të smartphoneve sot në treg janë thuajse të gjithë të pajisur me IP68 apo IP69, por gjithsesi para se të blini një telefon të ri kontrolloni më parë për këtë karakteristikë.

Apple

Të gjithë modelet iPhone sot në shitje janë rezistentë ndaj ujit, spërkatjeve dhe pluhurit. iPhone 11 Pro, iPhone 11 Pro Max, iPhone 11, iPhone XS dhe iPhone XS Max kanë shkallë mbrojtje IP68. iPhone SE, iPhone XR, iPhone X, iPhone 8, iPhone 8 Plus, iPhone 7 dhe iPhone 7 Plus kanë shkallë mbrojtje IP67.

Samsung

Të gjithë modelet Galaxy S20 dhe S10 kanë shkallë mbrojtje IP68. Ndër të tjera. Samsung është një nga prodhuesit e parë që kanë praktikuar zgjidhje për të mbrojtur smartphone nga pluhuri dhe uji. Që te modelet e serisë S5 në 2014, ofronin mbrojtjen IP67.

Huawei

Huawei P30 Pro ka shkallë mbrojtje IP68, ashtu si modelet e reja Huawei P40 Pro. Ndërsa te versionet P30 e P40, shkalla e mbrojtjes është IP53, që do të thotë se janë rezistentë ndaj spërkatjeve me ujë, por nuk janë dhe aq rezistentë nëse bien në ujë.

Google

Pixel 4 dhe Pixel 3 ofrojnë mbrojtje IP68; Pixel 2, IP67.

Çfarë të bëni nëse smartphone përfundon në ujë

Për smartphone IP68 dhe IP69, rënia në ujë nuk duhet të jetë problem serioz. Këshilla është që ta nxirrni telefonin sa më parë nga uji, ta mbani vertikalisht si dhe ta përplasni butësisht mes dy duarve në mënyrë që uji i akumuluar të dalë jashtë. Nuk është e nevojshme ta mbyllni telefonin, por këshillohet që për disa orë ta lini në një ambient të ajrosur, apo përpara një ventilatori.

Mos e lidhni me aksesorë të tjerë, për shembull karikues, deri sa të jetë tharë plotësisht. Mos përdorni as tharëse flokësh, e cila mund të prishë pjesën e jashtme të smartphone apo ekranit. Por mund të ndodhë që telefoni t’ju bjerë në banjë apo të jetë viktimë e derdhjes së ndonjë gote apo tasi. Në këtë rast, shpëlajeni shpejt telefonin me ujë, fshijeni me një leckë të thatë dhe lëreni të thahet në një vend të ajrosur.

Nëse smartphone nuk është rezistent ndaj ujit

Gjërat ndërlikohen për smartphonet që nuk kanë asnjë shkallë mbrojtje nga uji. Në këtë rast, fikeni sa më parë telefonin, hiqni kartën SIM dhe baterinë (nëse kjo është e mundur, nga modeli). Pastaj duhet të mbahet vertikalisht, në mënyrë që uji të dalë jashtë. Është mirë të prisni gjysmë dite para se ta hapni sërish telefonin e të shikoni nëse punon ende.

Historia e orizit

Një ndër këshillat më të shpeshta që jepen në kësi rastesh është vendosja e tyre në një kuti me oriz, i cili mendohet se ndihmon në përthithjen e lagështirës nga qarqet, duke nxitur tharjen më shpejt. Megjithatë nuk ka tregues se ai ofron një rezultat më të mirë se lënia e smartphone në një mjedis të ajrosur.

Burimi: Il Post

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of