“Dështimi është një sukses, nëse nxjerrim prej tij një mësim” – ka thënë Malcolm Forbes, biri i themeluesit të revistës Forbes “që diçka në lidhje me suksesin” e ka ditur.
Sot, Forbes i jep të drejtë një studim i realizuar nga Northwestern University Kellogg School of Management, sipas të cilit dështimi në fillim të karrierës ju ndihmon të bëheni më të fortë në planin afatgjatë dhe të arrini rezultate më të mira.
Këmbëngulje vs. inteligjencë, çfarë duhet për të pasur sukses
Sipas studimit, nuk është inteligjenca tipari më i rëndësishëm i personalitetit për të arritur suksesin por këmbëngulja.
Për të hedhur poshtë bindjen se suksesi sjell sukses dhe se dështimi, veçanërisht në fillim të karrierës, është tregues i problemeve të mëpasshme, studiuesit analizuan 778.219 kërkesa për bursa RO1 që jepen nga National Institutes of Health (Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore në SHBA) të dërguara në periudhën 1990 – 2005. Kjo është një bursë shumë e rëndësishme për kërkuesit e karrierës në fushën e shkencave biomjekësore.
Rezultatet treguan se të rinjtë të cilët nuk e kishin fituar bursën, i botuan artikujt e tyre më të suksesshëm në pesë vitet e ardhshme krahasuar me ata që kishin fituar bursë. Në një periudhë më të gjatë, “humbësit rezultuan më të mirët” – tha Yang Wang i cili e zhvilloi hulumtimin së bashku me Benjamin F. Jones e Dashun Wang.
Autorët, duke mos përmendur asnjë faktor të jashtëm për të shpjeguar suksesin e shkencëtarëve të zhgënjyer, arritën në përfundimin, në mënyrë të arsyeshme, se përvoja e dështimit i bëri këta shkencëtarë më të mirë, duke konfirmuar besimin se “ajo që s’të vret, të bën më të fortë”.
Për Jones, ky rezultat është inkurajues dhe thotë: Këshilla për të këmbëngulur është diçka e zakonshme, por ideja që ju të nxirrni një mësim të vlefshëm nga dështimi, dhe se ju jeni më mirë falë tij, është nxitëse”.
Burimi: Forbes