Shumë njerëz duan të arrijnë suksesin në jetë, por të thuhet është shumë më e lehtë se të realizohet. Ka aq shumë gjëra që ju tërheqin vëmendjen sa mund të konsiderohet një sfidë disiplinimi i vetvetes për të realizuar qëllimin madhor. Por ngulisni në mendje një këshillë. Ju mund të rrisni në mënyrë të paimagjinueshme mundësinë për të qenë të suksesshëm nëse çdo gjë vendosni ta ndiqni me këmbëngulje.
Disa hapa që duhet të ndiqni
1- Përcaktoni kuptimin që i jepni suksesit. Ju nuk mund të keni sukses nëse nuk e dini se çfarë nënkupton ai për ju. çdonjëri prej nesh e shikon suksesin me një këndvështrim të ndryshëm. Përcaktoni qëllime të qarta dhe jini realist. Si do ta kuptoni kur keni arritur qëllimet tuaja? Standardet tuaja duhet të jenë të matshme në sasi, përndryshe do të shpenzoni gjithë jetën tuaj pas një qëllimi të mjergullt. Për shembull, thoni që doni të jeni të mirë në punën tuaj. Merrni një promovim, një ngritje në detyrë, por akoma nuk e keni arritur qëllimin tuaj, pasi ju mund të jeni gjithnjë e më të mirë. Ju doni të promovoheni gjithnjë e më tepër, ose të bëni gjithnjë e më shumë para. “Qëllimi im është të rris produktivitetin me 30% dhe të bëhem vonë për punë jo më shumë se pesë herë në vit”. Këto janë qëllime që mund të maten në sasi nëse arrihen apo jo. Ato ju japin një ndjesi kënaqësie dhe kompletimi në momentin që arrihen, duke ju bërë të ndiheni të suksesshëm dhe me më shumë besim në vetvete.
2- Studioni persona të suksesshëm. Shikoni rreth e rrotull, kush ka suksesin që ju parashikoni për veten tuaj? çfarë po bëjnë ata? Si ecin ata në jetë? Bëhuni nxënësit (ndjekësit) e tyre. Kërkoni këshilla nga ata. Shpenzoni kohë me ta nëse mundeni. Mësoni prej tyre.
3- Merrni përsipër rreziqet. Dilni jashtë zonës tuaj të rehatshme. Njerëzit e suksesshëm mendojnë shumë dhe veprojnë shumë. Mund të ketë diçka të frikshme dhe me rrezik për të bërë, por nëse nuk e bëni, do të jeni të suksesshëm?! Mos prisni që t´ju bien mundësitë në prehër. Nuhatini ato nga larg. Njerëzit e suksesshëm bëjnë investime të mëdha (në karrierën e tyre, në biznesin apo në edukimin e tyre) dhe të gjitha investimet përfshijnë në vetvete rreziqe. Por mos jini moskokëçarës. Studioni rreziqet tuaja, sigurohuni për mundësitë që janë në favorin tuaj, e pastaj bëni hapin e duhur. Jini guximtar.
4- Zgjidhni problemet. Njerëzit që janë të suksesshëm nxisin progresin duke zgjidhur problemet dhe duke iu përgjigjur pyetjeve. Nuk ka rëndësi ku jeni apo çfarë po bëni, shikoni rreth e rrotull dhe përpiquni e mendoni për rrugët përmes të cilave mund të kontribuoni. Përse luftojnë njerëzit dhe përse ankohen. Si mund ta bëni jetën e tyre të lehtë në mënyrën më efektive të mundshme? Mund të ridimensiononi apo riorganizoni disa aspekte të situatës, në mënyrë të tillë që gjërat të bëhen më të këndshme? Ju mund të krijoni një produkt ose një shërbim që mbush një hendek vendimtar. Jini aktiv dhe të shkathët.
5- Jini këmbëngulës. Mos u dorëzoni. Nëse tentativa juaj e parë nuk funksionoi, mos pushoni së kërkuari. Kur u pyet për dhjetë mijë tentativat e tij të dështuara për të realizuar një magazinë baterish, shpikësi shumë prodhues amerikan Thomas Edison u përgjigj “unë nuk kam dështuar, thjesht kam gjetur 10 mijë rrugë që nuk funksionuan”.
6- Kujtoni gjithmonë që suksesi nuk siguron lumturinë. Suksesi është i barazuar me arritjen e qëllimit, por mos pretendoni që kjo do t´ju sjellë gjithnjë lumturinë. Shumë njerëz bëjnë gabimin kur mendojnë se nëse arrijnë këtë apo atë qëllim, ata do të jenë më të lumtur. Arritjet apo kënaqësitë kanë të bëjnë më shumë me mënyrën se si i gjeni rrugët e jetës, se sa me atë çfarë bëni në jetë. Kijeni këtë parasysh në të ardhmen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.