Nga mosrespektimi i punonjësve tek sjellja joetike, kulturat toksike të punës janë çuditërisht të zakonshme.
Dhe nëse jeni duke kërkuar për një punë të re, mund të jetë e ndërlikuar të kuptoni, se si është një kompani derisa të jetë tepër vonë – dhe ju tashmë e keni pranuar dhe keni filluar pozicionin.
Megjithatë, është e mundur të dallosh një mjedis toksik nga gjuha, që një organizatë përfshin në reklamat e tyre të punës.
Kohët e fundit, firma analitike e fuqisë punëtore Revelio Labs, analizoi reklamat e punës për fraza si “duhet të përballojë stresin” dhe “të jetë në gjendje të punojë nën presion” – dhe zbuloi se përdorimi i një gjuhe të tillë, po bëhet gjithnjë e më i përhapur.
Deri në fund të vitit të kaluar, mbi një e katërta e postimeve të punës, përmbanin të paktën një frazë që aplikantët do ta konsideronin si një ‘flamur të kuq’ (red flag).
Shpesh, këto fraza tregojnë një punë kërkuese pa ekuilibër punë-jetë – nxitësi kryesorë i “dorëheqjes së madhe” (great resignation).
Rreth 30% e reklamave për punë në sektorin e financave dhe 29% në industrinë e shitjeve, përmbanin të paktën një frazë ‘negative’.
Ka disa raste, kur përdorimi i një gjuhe të tillë është i rëndësishëm. Për shembull, nëse është një rol me stres të lartë. Megjithatë, studimet tregojnë se aplikantët për punë, kanë më pak gjasa të aplikojnë për punë që përmbajnë këto fjalë.
Pra, cilat fjalë dhe fraza janë tregues negativë në një përshkrim pune – dhe çfarë mund të nënkuptojnë ato?
“Kultura me performancë të lartë”
Nëse një shpallje pune përmend një “kulturë të performancës së lartë” (high-performance culture), kjo mund të nënkuptojë se punonjësit janë në rrezik të burnout.
Shumica e njerëzve do të përfitonin nga shansi për të qenë pjesë e një ekipi me performancë të lartë, por realiteti është se duhet një lider i fortë për ta arritur këtë. Pritjet themelore të kësaj fraze janë “ne bëjmë atë që duhet për të kryer punën, me çdo kusht”.
“Ne jemi si një familje”
Është e rëndësishme të shkoni mirë me kolegët dhe të kesh miq në punë, mund të rrisë kënaqësinë dhe lumturinë në mjedisin e punës.
Megjithatë, nëse një listë pretendon se bashkëpunëtorët janë si familja, mund të tregojë se kompania pret besnikëri të pakushtëzuar dhe punë jashtë orarit.
“Ne ju fuqizojmë”
Fuqizimi i punonjësve është një frazë shumë e përdorur për momentin, por nëse duhet ‘t’i jepni dikujt fuqinë’, kjo do të thotë se ata kurrë nuk e kanë pasur atë.
Për më tepër, fuqizimi është një fjalë që shpesh përdoret pa kuptim. Për të fuqizuar vërtet punonjësit, ata duhet të jenë në gjendje të shprehin shqetësimet pa frikë nga ndëshkimi dhe të mund të kenë të drejtën për të shprehur pikëpamjet e tyrë për mënyrën se si punojnë.
“Bëhu pjesë e një ekipi të zënë dhe punëtor”
Shumica e punëtorëve janë të zënë dhe nëse janë të lumtur, ata do të përpiqen për atë që bëjnë. Sidoqoftë, kur fjala “i zënë” përdoret në një shpallje pune, zakonisht nuk është shenjë e mirë.
Zakonisht do të thotë se ekipi ka mungesë të burimeve njerëzore dhe punë të tepërt, ose se ngarkesa e tyre e punës është e menaxhuar keq.
Fraza “duhet të përballojë stresin” është gjithashtu një tregues negativ. Me fenomenin e burnout dhe shëndetin e dobët mendor, që është kthyer në një problem serioz në të gjithë industritë, stresi është diçka që organizatat duhet të punojnë për ta reduktuar.
Nuk përmendet paga
Një tjetër tregues negativ i mundshëm është mungesa e informacionit në lidhje me pagën.
Kjo mund të nënkuptojë se nuk ka një kulturë të hapur dhe të drejtë rreth pagave. Dhe, nëse është punë e bazuar në zyrë, pa fleksibilitet, ky është zakonisht një mjedis, ku mungon besimi.
Pra, a duhet të aplikoni ende për një rol, nëse përshkrimi i punës përmban ndonjë nga frazat e përmendura më lart?
Në fund të fundit, varet nga ju. Nëse çdo gjë tjetër duket premtuese, mund të ia vlen të aplikoni për të mësuar më shumë rreth kompanisë.
Gjithçka varet nga procesi i intervistës. Është një rrugë me dy drejtime, intervista është një mundësi për të bërë pyetje dhe për të mësuar më shumë për kulturën e vërtetë. Nëse ka më shumë se një nga frazat e mësipërme në një reklamë pozicioni pune, duhet treguar kujdes.
/ Yahoo Finance