Si do të mbijetojë shtypi i shkruar?!

18/05/2015 12:23 PM 0 komente

Reklamat në shtypin e shkruar kanë rënë me 32% në katër muajt e parë të 2015-s. Me internetin që është zgjedhja absolute e brezit të ri, edhe sa kohë do të vazhdojë shtypi i shkruar të mbahet te lexuesit e moshës së tretë, të interesuarit kryesorë për lajmet e pronave, legalizimeve e pensioneve, titujve që dominojnë sot gazetat e përditshme?!

 

Koha kur gazetat arrinin tirazhe ditore 80-90 mijë kopje (RD në vitet ’90-’91 dhe “Koha Jonë” në ’97) janë tashmë një e kaluar tepër e largët. Sot, tirazhi i të gjitha gazetave të përditshme (rreth 20), sipas të dhënave nga shtypshkronjat me vështirësi arrin 40 mijë kopje, ndërsa shitjet janë shumë më të ulëta.

Ndikimi i medias në jetën e përditshme është shumë më i lartë se 20 vjet më parë, por kanalet e komunikimit kanë ndryshuar ndjeshëm. Në fillim të viteve 2000, ishin televizionet ato që morën stafetën e informimit të publikut, duke i dhënë goditjen e parë (të lehtë) medias së shkuar. Vitet e fundit është interneti, ai që për shumëkënd, sidomos brezin e ri, është mjeti kryesor i informimit, duke i dhënë goditjen përfundimtare gazetave. Ndërsa kjo është një tendencë e pashmangshme në të gjithë botën, madje te ne është me pak vonesë, forma se si media e shkruar shqiptare po përballet është disi e ndryshme nga shtypi i huaj. Ky i fundit që po bëhet gjithnjë e më analitik, ndërsa një pjesë e madhe e gazetave të përditshme vendase janë kthyer thjesht në informative, duke u përqendruar në lajme për prona, legalizime, apo pensionet, informacione që u interesojnë kryesisht një brezi të vjetër, apo dhe lajme që janë konsumuar një ditë më parë nga televizionet, mediat online, që po shtohen me shpejtësi, apo dhe rrjetet sociale.

Zylyftar Bregu, pedagog pranë Universitetit të Tiranës, Departamentit të Gazetarisë, pohon se media e shkruar ka nisur prej pak vitesh, ndoshta 5 ose 6 vitesh, kurbën rënëse të saj. Sipas tij, media e shkruar duhet të shkojë përtej lajmit, të thellojë informacionin.

Mero Baze, botues i gazetës “Tema” dhe portalit online “gazetatema.net”, që prej kohësh i ka orientuar energjitë drejt portalit, është më i drejtpërdrejtë. Ai pohon se shtypi i shkruar është i vdekur. Sipas tij, ai duhet të ristrukturojë botimet, t’u kthehet botimeve periodike, tip magazine, duke futur në print, raporte të thella, origjinale dhe prodhime të redaksisë.

Elton Metaj, kryeredaktor i “Shekullit”, pohon se ndryshimi i mekanizmit se si e konsumojmë lajmin apo informacionin, nuk do të thotë se lajmi i vërtetë mund të zëvendësohet me diçka tjetër. “Dhe kjo është sfida e shtypit të shkruar, që duhet ta përdorë internetin jo si konkurrent, por si mjet për të shpërndarë lajmet dhe për të mbërritur te lexuesi, pa pritur që lexuesi të dalë nga shtëpia apo zyra”.

Arion Sulo, kryeredaktor i gazetës “Mapo”, pohon se si princip të koniunkturës së re, modeli që ata po ndjekin është në radhë të parë të mënjanohen lajme që janë konsumuar tepër, pa hequr dorë nga lajmi kryesor që duhet shtuar më tepër.

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve, e shikon të ardhmen drejt online. “Disa botues, edhe pse me histori të fuqishme në momente të ndryshme të këtij tranzicioni postkomunist, tashmë e kanë pranuar e madje njoftuar se do të mbesin vetëm te versioni më ekonomik, ai i online multimedial”.

 

Tirazhet, kryeson “Panorama”, e dyta “Dita”

Për Redi Gjuzin, zëvendëskryeredaktor i gazetës më të madhe në vend nga tirazhi, “Panorama”, “përgjithësisht, gazetat kanë ruajtur të njëjtin treg, edhe pse me një rënie të përgjithshme të interesit për to. Por, ai thekson se numri i madh i titujve të gazetave të përditshme nuk e justifikon numrin e lexuesve. Janë shumë tituj për pak lexues”.

Pavarësisht se i ka qëndruar “besnike” modelit të vjetër, “Panorama” ka arritur të ruajë avantazhin dhe të vijojë të ketë një tirazh të lartë mbi 15 mijë kopje (e vetmja me tirazh mbi 10 mijë kopje në vend), sipas të dhënave nga shtypshkronjat. Por, Gjuzi pohon se shtypi i shkruar është nën një presion të madh. “Rezistenca e tij do të varet nga vërtetësia dhe thellimi i lajmit. Kjo mendoj se është përparësi e shtypit të shkruar”.

Gazeta “Dita”, ndonëse relativisht e re në treg, hyri me një model ndryshe nga të tjerët, duke u veçuar në kujdesin që i kushtonte faqes së parë dhe shkrimit kryesor, i ndryshëm nga lajmet e “djegura”. “Stafi i versioneve print të gazetave duhet të dëshmojë kapacitet analitik. Ndryshe do të vijojë rënien”, pohon Adrian Thano, kryeredaktor i gazetës “Dita”. Që një gazetë të jetë unike, thotë Thano, ajo duhet të jetë unike, të ketë fytyrën e vet. Dhe në fakt, sot “Dita”, renditet e dyta për nga tirazhi, sipas të dhënave që “Monitor” ka siguruar nga shtypshkronjat, me mbi 5000 kopje të shtypura në ditë.

Pas saj renditen gazeta “Sot”, “Shekulli”, “Telegraf”, “Shqip”, “Gazeta Shqiptare”, “Shqiptarja”, “Standard” etj. Përveç “Sot”, të tjerat e kanë tirazhin nën 5000 kopje në ditë. Këto janë vetëm të dhënat nga shtypshkronjat, ndërsa niveli i shitjeve përgjithësisht është 30-70% më i ulët (shpesh gazetat preferojnë të mbajnë tirazh të lartë në shtypshkronjë, me synim tërheqjen e reklamuesve).

 

Bien 32% reklamat në 4-mujorin 2015

Ndonëse në fillesë, fitimi nuk ka qenë parësori në modelin e biznesit për shumë gazeta, të ardhurat nga reklamat janë kthyer sot në jetike, teksa burimet e tjera alternative të financimit po shterojnë.

Të dhënat e “Idramedia”, kompani monitoruese, tregojnë se sasia e reklamës në numër e ekuivalentuar në faqe të plota për periudhën janar-prill 2015, për 30 media të monitoruara (gazeta të përditshme, periodike dhe revista) ka shënuar rënie të ndjeshme prej 32% (shiko tabelën Sasia e Reklamës në numër e ekuivalentuar në faqe të plota, 4-mujori I). Ndonëse këtu monitorohen dhe reklamat që mund të jenë pa pagesë, p.sh. të vetë medias, apo të kompanive të grupit, e rëndësishme është tendenca. 22 media, nga 30 të monitoruara (73%) kanë rënie të numrit të reklamave, disa prej tyre dhe dyshifrore.

Tkurrja është shumë më e lartë se në 2014-n, kur i njëjti tregues zbriti me 5% me bazë vjetore (shiko tabelën Sasia e Reklamës në numër në median e shkruar, e ekuivalentuar në faqe të plota, 2013-2014). Dy media u mbyllën në 2014-n, revista “Klan” dhe gazeta “Ballkan”.

monitor 680.indd

monitor 680.indd

Sipas të dhënave financiare për vitin 2013 (më të fundit e disponueshme), në bazë të të ardhurave, grupi më i madh i medias së shkruar është “Panorama Group” (me median kryesore gazeta “Panorama”, më e madhja në vend nga tirazhi, “Panorama Sport”, si dhe disa publikime të tjera) me një qarkullim vjetor prej 255 milionë lekësh, duke shënuar rritje prej 12.5% me bazë vjetore (të ardhurat si nga reklama, ashtu dhe shitja e gazetave apo revistave). Një pjesë e rritjes së të ardhurave ka ardhur nga shtrenjtimi i çmimit të gazetës “Panorama” në qershor të vitit 2012, nga 20 në 30 lekë. Edhe “Panorama Sport”, më e madhja në segmentin e gazetave sportive në vend, mban një peshë të rëndësishme në të ardhurat e grupit, sipas të dhënave nga kompania. Për gazetën “Panorama”, në vitin 2013, rreth 70% e të ardhurave erdhën nga shitjet dhe vetëm 30% nga reklamat, sipas burimeve nga kjo media.

Grupi i dytë më i madh është “Unipress” (gazeta “Shekulli”, “Sport Ekspres” etj.), që ka pothuajse dyfishuar të ardhurat në 2013-n, në 112 milionë lekë. Edhe gazeta “Shekulli” rriti çmimin në qershor të 2012-s, nga 20 në 30 lekë.

Gazeta “Shqip” ka parë një rënie të të ardhurave në 2013-n me rreth 6.3% në rreth 68 milionë lekë.

“Gazeta Shqiptare” (“Focus Press”) ka rritur të ardhurat me rreth 18%, duke arritur në nivelin e gazetës “Shqip”, në rreth 68 milionë lekë.

monitor 680.indd

Gazetat, në përgjithësi, deklarojnë marzhe të ulëta fitimi. Për vitin 2013, më fitimprurësja rezulton “Shqip”, me një normë fitimi pas taksave prej 5%, sipas bilancit të saj, e ndjekur nga grupi “Panorama” me një marzh prej 2.5%; “Gazeta Shqiptare” me një normë minimale prej 0.25% dhe “Unipress” ka rezultuar me një humbje prej 3.8 milionë lekësh.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of