Profesori i psikologjisë, Laurence Alison, është një ekspert i specializuar në fushën e marrjes së vendimeve, por në ditët e para të karrierës së tij, gjithçka ishte shumë teorike, derisa një ditë, ai u telefonua nga “dikush shumë i rëndësishëm”, i cili i shpjegoi një situatë tepër shqetësuese: shefat e policisë po tregoheshin të paaftë, në situata kritike, për të marrë vendimet e duhura.
Ai u pyet: “A ka ndonjë gjë që mund të bësh për të na ndihmuar në lidhje me këtë situatë?”
Alison – një person i drejtpërdrejtë, që nuk flet marrëzi – filloi të përkthente atë që dinte nga librat dhe t’i shndërronte ato në këshilla praktike. “Puna akademike në lidhje me fushën e vendimmarrjes ishte përqendruar në studimin e mënyrës se si merren ato, në terma teorik,” thotë ai.
“Por, kuptova se duhej ta zhvendosnim këtë qasje në situata reale, për gjërat që ndodhin konretisht në jetë: cunami, tërmete, përmbytje, pra në situata të tilla ku, me shumë gjasa, një person ndodhet përballë një situatë të tillë ku pothuajse çdo alternativë duket e tmerrshme.”
Tashmë, ai dhe kolegu i tij, Neil Shortland, bashkë me të cilin ofron kurse trajnimi për drejtues ushtarakë, politikë dhe të agjencive ligjzbatuese anembanë botës, kanë shkruar një libër me të gjitha dijet që ata kanë arritur të përpunojnë në fushën e vendimmarrjes, duke i bërë ato të përshtatshme për një audiencë më të gjerë. “Njerëzit me të cilët ne punojmë përballen rregullisht me vendime të trazuara,” thotë Alison.
“Në jetën normale, ndoshta 1% e vendimeve që marrim janë vërtet të tilla që mund të na ndryshojnë jetën. Janë gjëra të tilla si: a duhet t’i përkushtoheni partnerit tuaj; a do të ishte më mirë të ndryshonit drejtimin e karrierës; a ka ardhur koha e duhur për të pasur një fëmijë? Problemi është se shumë njerëz tmerrohen nga këto vendime.
Ata besojnë se nuk janë të zotë për të ndërmarrë zgjidhje në situata kritike. I dëgjoj ata duke thënë gjëra të tilla si: ‘Thjesht do të doja që dikush të më tregonte se çfarë duhet të bëj’.”
Në fakt, thelbi i këtij libri është se ka pothuajse gjithmonë një vendim që është, në mënyrë unike, i duhuri për ju – kështu që, zakonisht, është më mirë t’i merrni vetë vendimet tuaja. Kjo lidhet me shfrytëzimin e vlerave tuaja personale dhe me përqendrimin jo te procesi, por te qëllimi përfundimtar. “Do të thoja se gabimi më i madh që bëjnë njerëzit kur bëhet fjalë për vendimmarrjen është dështimi për t’u përqëndruar te rezultati,” thotë Alison.
“Ata shqetësohen për marrjen e vendimit në vetvete, kur në fakt, ajo që duhet të bëjnë është të pyesin veten: ‘Çfarë dua të arrij unë në këtë situatë?’” Shortland shton: “Njerëzit nuk arrijnë të përqendrohen qartësisht në atë që ka rëndësi për ta. Ata shikojnë se një opsion është më tërheqës në një aspekt, por nuk mendojnë për gjërat nga të cilat duhet të heqin dorë për të pasur këtë opsion.”
Cili është, pra, sekreti për të marrë edhe vendimet më të ndërlikuara? Alison dhe Shortland kanë vlerësuar sa ka katër elemente kryesore në këtë proces.
E para është ndërgjegjësimi për situatën, të kuptuarit e asaj që po ndodh, pse ka ndodhur kjo gjë dhe çfarë mendoni se do të ndodhë më pas. Kur ndodheni në situata komplekse, truri juaj është si një gotë e mbushur plot me ujë. Ju duhet ta lini një pjesë të këtij uji që të rrjedhë, përpara se të mendoni me kujdes për atë që po ndodh. Ju duhet t’i gjeni vetes pak hapësirë, pak kohë, përpara se të zbuloni se çfarë po ndodh.
Por, koha është një element shumë domethënës në këto rrethana. Përpara se të merrni një vendim, duhet të llogaritni sa kohë keni në dispozicion për ta marrë atë. Nëse nuk ka një kornizë kohore dhe nëse vendimi është i hapur (si për shembull: A duhet të kërkoj për një punë të re? A duhet të zhvendosem në një vend tjetër?), duhet të keni kujdes që të mos ecni në rrugën e të mos bërit asgjë, me mendimin se keni kohë përgjithmonë.
Në të vërtetë, nuk keni kohë pafund, paralajmërojnë Alison dhe Shortland: jeta është e shkurtër dhe ndonjëherë, nëse zgjidhni të mos bëni asgjë në vend që të bëni një zgjedhje, ju në fakt jeni duke e bërë një zgjedhje.
Elementi tjetër është përshtatja. Vendimmarrësit e mirë janë mendjehapur dhe aventurierë në kokën e tyre. Ata priren që të mos tremben nga eksplorimi i mundësive të reja. “Mendoni sikur papritur të merrni një telefonatë nga dikush që po ju ofron një punë të re,” thotë Shortland.
“Rreziku në këtë rast është se ju do të ndiheni shumë të kënaqur duke e pranuar këtë ofertë, pasi do të mendoni se nuk ju është dashur që të lodheni për këtë ofertë, ajo thjesht erdhi, kështu që pse të mos e pranoni?
Megjithatë, ajo që duhet të bëni është që ta testoni atë: në vend që të përsërisni të gjitha arsyet pse ju bën sens që ta pranoni këtë ofertë, testoni veten me argumente pse nuk do të ishte mirë që ta pranonit ofertën.” Njerëzit përgjithësisht priren të kërkojnë argumente miratuese për marrjen e vendimeve të tilla. Por, nëse e bindni veten se diçka është në rregull dhe më pas rezulton se ajo nuk është në rregull, atëherë do t’ju duhet të paguani çmimin.
Dhe në fund, elementi i katërt është rishikimi. Marrja e një vendimi një herë nuk do të thotë domosdoshmërisht që nuk mund t’i riktheheni atij për ta rishikuar përsëri. “Këto katër elemente janë orientuar më shumë rreth vështirësive që njerëzit kanë kur duhet të marrin vendime,” thotë Shortland. “
Qëllimi ynë është që të ndajmë me ju kleҫkat e këtij procesi, të përshkruajmë rreziqet se si mendja juaj priret të mendojë, në mënyrë që të mund të merrni vendimet që janë në interesin tuaj më të mirë. Ne përpiqemi ta shikojmë vendimmarrjen si një proces organik dhe jo si një qëllim në vetvete.”
Alison dhe Shortland bien dakord që personat me disa tipare të caktuara të personalitetit e kanë më të lehtë që të marrin vendime se të tjerët. “Të tjerët” në këtë rast janë të ashtuquajturit maksimizues, të cilët përpiqen gjithmonë që të arrijnë përsosmërinë. Ndërsa, personat që i marrin vendimet më lehtë janë “të kënaqurit”, të cilët do të kënaqeshin me diçka që është “mjaftueshëm e mirë”.
Problemi për maksimizuesit është se pritja që gjithçka të jetë siҫ duhet mund të nënkuptojë humbjen e një mundësie, dhe, për më tepër, jeta reale shumë rrallë është e përsosur, në mos kurrë.
Në themel të një vendimmarrjeje të mirë është të kuptuarit e faktit se, në kërkim të një opsioni, do të duhet të hiqni dorë nga mundësitë e tjera. Sa më i qetë të jeni për mundësitë nga të cilat do t’ju duhet të hiqni dorë, aq më e efektshme do të bëhet vendimmarrja juaj. / The Guardian