Parimet mbi transparencën e borxhit të miratuar në një samit të G20 mund të jenë lëvizja e duhur në këtë drejtim
Në vitin 2016, qeveria e Mozambikut pranoi se kishte borxhe të fshehta që arrinin vlerën 1.4 miliardë dollarë, ose 11% të PBB-së, kryesisht si garanci për huatë për kompanitë e mbështetura nga shteti.
Rritja ra, vlera e monedhës vendase gjithashtu dhe donatorët e huaj të frikësuar nga kjo situatë u larguan, shkruan The Economist. Rezultatet kanë qenë “shkatërruese”, shprehet Denise Namburete, një aktiviste e shoqërisë civile, duke theksuar se qendrat shëndetësore prej dy vjetësh po përballen me mungesë ilaçesh.
Prokurorët amerikanë po hetojnë tetë persona të përfshirë në këtë skandal, ndër të cilët janë të përfshirë edhe tre bankierë dhe një ish-ministër i financave, me akuzën për mashtrim dhe pastrim parash. Rasti i Mozambikut bën pjesë në rastet e pazakonta, apo ndoshta jo?! Madje edhe FMN-ja ka qenë e befasuar përballë situatës në fjalë. Në disa vende, borxhet e fshehura janë në formën e kredive nga huadhënës të mëdhenj, si Kina për shembull, ndërsa në disa të tjera janë në formën e parapagesave nga tregtarët e naftës, nga detyrimet që kanë ndaj partneriteteve publiko-private apo kreditë e fshehura nga bankat komerciale.
Instituti i Financave Ndërkombëtare (IIF), një grup bankash dhe institucionesh financiare, i është përgjigjur shqetësimit në rritje duke hartuar parimet mbi transparencën e borxhit. Ministrat e Financave të vendeve të G20 i miratuan ato në një samit në Fukuoka, të Japonisë, që u zhvillua më 8-9 qershor. Parimet e IIF-së do të zbatohen vetëm sa i takon huadhënies nga sektori privat dhe jo nga shteti. Huadhënësit do të zbulojnë çfarëdo kredie që ata japin për qeveritë me të ardhura të ulëta apo për firmat shtetërore brenda një periudhe 60-120-ditëshe që nga lirimi i fondeve.
Detajet do të përfshijnë qëllimin dhe strukturën e huasë, dhe një interval brenda të cilit norma e interesit do të bjerë. Këto të dhëna do të mbahen më pas në një institucion ndërkombëtar, ndoshta FMN-ja ose Banka Botërore. Vendet e G20 mund të përdorin fuqinë e tyre të votimit në FMN për të këmbëngulur që të jetë ky institucion ai që do të ruajë të dhënat. Mbështetja e tyre do të ketë peshë në sektorin privat, thotë Sonja Gibbs nga IIF-ja.
Edhe pse huadhënësit përfitojnë nga njohuritë e shumta që ata mund të marrin në drejtim të borxheve qeveritare, disa prej tyre ngurrojnë të publikojnë informacion që sipas tyre konsiderohet sensitiv. Një propozim është që kontratat e huave sovrane, që nuk janë të publikuara brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i tyre, duhet të jenë të pazbatueshme në gjykatë. Shumica e huave ndërkombëtare janë bërë sipas ligjit të Nju Jorkut apo sipas atij anglez, ashtu siç janë edhe marrëveshjet e dyshimta të Mozambikut, prandaj rregullimi i këtyre dy juridiksioneve do të ishte një fillim i mbarë. Megjithatë, ndryshimet ligjore nuk janë ende pjesë e axhendës së G20.
Por rritja e nivelit të borxheve po bën që përfshirja e tyre në këtë axhendë të shihet si diçka emergjente. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, 44% e shteteve me të ardhura të ulëta janë në vështirësi ose në rrezik si pasojë e nivelit të lartë të borxhit. Pagesat mesatare të borxhit të jashtëm të vendeve në zhvillim janë rritur nga 6.6% e të ardhurave të qeverisë në 2010 në 12.2% në 2018, llogarit Jubilee. Borxhet e fshehta e përkeqësojnë më shumë këtë tablo të zymtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.