Arjan Kadareja
PhD, CFA
Në Shqipëri, aktualisht, në huamarrje janë përfshirë të gjithë: qeveria ndaj investitorëve të huaj e vendas, biznesi dhe individët ndaj bankave dhe anasjelltas.
Ngadalësimi apo ndalimi i aktivitetit ekonomik, për shkak të mbylljes së kufijve dhe karantinës, i ka dëmtuar të gjithë, por sidomos bizneset dhe individët huamarrës i ka vënë para rrezikut të falimentimit për moskthim huaje.
Huamarrja e tyre e mëtejshme, për të dalë nga kriza me forcat e tyre, më duket e pamundur. Edhe sikur, mbi bazën e garancisë sovrane, bankat do të pranonin të kreditonin më tej bizneset apo individët në vështirësi përsëri falimentimet nuk do të shmangeshin. Kjo sepse nuk do të garantohej dot fillimi kur duhet i fluksit normal të ardhurave për bizneset e individët. Ne nuk e dimë akoma se kur do të fillojë jeta normale ekonomike pas virusit.
Për kalimin e kësaj situate pa falimentime, sipas skenareve të përshkruar në libra e të zbatuara në praktikë, vetëm qeveria do ta kishte kredibilitetin e duhur për huamarrje të mjaftueshme në emër të bizneseve dhe individëve në rrezik falimentimi. Huamarrja e qeverisë do të shkonte si ndihmë për bizneset dhe individët sipas shkallës së vështirësisë. Më vonë, natyrisht, kur ekonomia të fillonte funksionimin normal huaja do t’i kthehej qeverisë në formën e të ardhurave më të larta nga taksat. Qeveria më tej do të fillonte të ulte borxhin në raport me prodhimin e brendshëm.
Për fat të keq, skenari i mësipërm duket jo fort i mundshëm në rastin e Shqipërisë. Në fakt, qeveria ka borxh të lartë, defiçit të lartë dhe ngurron të ekspozohet më tej në huamarrje. Qeverisë do t’i duhet të marrë hua të brendshme dhe të jashtme për financimin e borxhit që maturohet si edhe për financimin e defiçitit buxhetor që do të jetë mjaft më i lartë këtë vit për arsye që dihen. Por, për shkak të pandemisë, qeveria, me të drejtë, i druhet edhe vështirësimit të kushteve të kreditimit në tregjet ndërkombëtare. Një rënie e kredibilitetit për shkak të rritjes së shpejtë të borxhit nga defiçiti i lartë i vitit, por edhe nga ulja e ritmeve të prodhimit do ta bënte akoma më të kushtueshme e të vështirë huamarrjen në ato tregje.
Nga ana tjetër, do të ishte e domosdoshme që qeveria të kujdesej për ruajtjen e pacënuar të kapaciteteve prodhuese të vendit deri në momentin e daljes nga kriza e virusit. Në fund të fundit, bizneset dhe individët do të mbajnë ekonominë e do të paguajnë taksat në të ardhmen. Pra do të ishte normale që të synohej fort ruajtja e bizneseve nga falimentimi. Duket se qeveria dhe ne gjendemi mes dy zjarresh. Borxhi i lartë publik nga njëra anë dhe rreziku i falimentimeve nga ana tjetër.
Ajo që propozoj unë është një “marrëveshje” të gjerë mes qeverisë, bizneseve, dhe aktorëve të tjerë të politikës dhe ekonomisë. Më konkretisht, qeveria “i thotë” biznesit në rrezik unë të ndihmoj t’ia hedhësh falimentimit gjatë krizës dhe ti më paguan një pjesë më të madhe nga fitimet pas krizës.
Natyrisht qeveria nuk bën dot kontratë me çdo biznes që kërkon ndihmë por mund të operojë me normën (barrën) e taksave për një periudhë të caktuar pas krizës.
Kështu, për shembull, mund të llogaritet se sa do të jetë shuma për shpëtimin e biznesit të turizmit nga kriza. Kjo shumë do të lëvrohej tani nga qeveria dhe do të paguhej mbrapsht nga një taksë më e lartë, të themi për 4 vjet, e tatimit mbi fitimin pas krizes. Nëse tatim fitimi sot është 15%, për një periudhë katër vjeçare pas krizës, le të themi, do të duhej të bëhej 25% në mënyrë që biznesi i turizmit të shlyente ndihmën e mbijetesës që i dha qeveria gjatë krizës. Natyrisht numrat nuk kanë dalë sipas llogarive e janë vetëm për illustrim, por e japin idenë.
Kjo ide mund të shtrihet edhe në taksa të tjera në varësi të kujt ndihmohet. Masat mund të kalibrohen, normat e taksave mund të standardizohen dhe kohëzgjatja e periudhës së taksave më të larta mund të saktësohet.
Ndonëse, i urrejmë taksat e larta, mendoj se të gjithë do të ishin të gatshëm për sakrifikimin e një pjese shtesë të ardhurave pas krizës për hir te mbijetesës (edhe) ekonomike gjatë krizës. Pra, mendoj se, gjithësecili do të ishte i gatshëm që për hir të shpëtimit nga një situatë falimentimesh të mundshme të sakrifikonte një shumë, qoftë edhe të madhe, parash në të ardhmen.
Kjo do të shpëtonte kapacitetet prodhuese të vendit, por edhe do t’i jepej kredibilitet fuqisë paguese të qeverisë në sytë e investitorëve të brendshëm dhe të huaj. Pra vërtet borxhi i qeverisë do të rritej gjatë krizës por në të ardhmen e afërt, pas krizës, me kapacitete të pacënuara prodhuese do të fillonte të paguhej përmes taksave më të larta për disa vite.
Ky skenar do të mbështetej fort tek një sektor bankar në gjendje mjaft të mirë likuiditeti dhe kapitali si edhe nga Banka Qendrore e gatshme të përfshihej në lehtësim sasior nëse do të lindte nevoja.
Së fundi, por jo nga rëndësia, për ti dhënë kredibilitetin e mjaftueshëm rritjes së përkohshme të taksave në të ardhmen e afërt, do të ishte mjaft e nevojshme një dakordësi e gjerë që do të duhej të përfshinte qeverinë dhe biznesin, natyrisht, por edhe opozitën dhe faktorët e tjerë të rëndësishëm të vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.