A e keni menduar ndonjëherë se mund të jetë një mundësi e mirë të punuarit në një shtet tjetër. Ka “parajsa” që janë gjithnjë në kërkim të forcës së punës, veçanërisht për disa profesione. Dy prej tyre janë Zvicra dhe Kanadaja, por ne do të ndalemi te mundësitë që ofron njëri prej këtyre shteteve
“Legjenda” thotë se mjaftojnë tre muaj për të gjetur një vend pune, pasi të jeni pranuar në Kanada. Vendi i dimensioneve pa kufij, me rreth 34 milionë banorë, sot është një nga destinacionet më popullore për të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë jashtë vendit të tyre, për të bërë karrierë, por edhe thjesht për të gjetur një punë. Francezët e kryesojnë këtë listë. Çdo vit, në “provincën e bukur” ose më saktë në Québec, mbërrijnë nga Franca 4,000 emigrantë. Por, në të vërtetë numri i francezëve në kërkim të një vendi pune në Kanada arrin në
10,000, pasi merren në konsideratë edhe ata që kapërcejnë Atlantikun me leje studimi ose banimi.
Në të gjithë shtetin amerikanoverior gjenden 250,000 emigrantë të përhershëm dhe me viza të përkohshme pune.
Po cilat janë profesionet më të kërkuara? Mbi të gjithë janë inxhinierët, më pas vijnë arkitektët, teknikët në fushën e ndërtimit, por edhe avokatët, mjekët dhe infermierët.
Një plan qeveritar i prezantuar në 2011-n parashikon krijimin e 20,000 vendeve të punës çdo vit, gjatë 25 viteve të ardhshme. Sektorët më kryesorë janë ai i transportit, turizmi, por edhe energjetika dhe industria ushqimore. Në faqen e internetit www.cic.gc.ca (shtetësia dhe emigrimi në Kanada) mund të gjenden hap pas hapi të gjitha etapat që duhet të ndiqen për të siguruar transferimin, por edhe kërkesën për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punësimit apo atë të studimit të gjuhës angleze apo frënge.
Emigrantë “luksi”
Në Kanada, ekonomia është në lulëzim. Në tremujorin e dytë të vitit 2012, vendi regjistroi rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto në masën 2.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe me 0.5% në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti. Papunësia është në rënie të lehtë. Në muajin gusht, norma e papunësisë arriti në kuotën 7.3%.
Ata që kërkohen nga Kanadaja janë emigrantë, por luksi ama dhe që kanë formim universitar. Për të pasur sukses do të duhet t’i nënshtroheni një sërë testimeve “nën rrezen X” për sa u përket titujve të studimit, në njohjen e gjuhëve, që mbi të gjitha të hyni në profilet e kërkuara. Ata që e kanë kaluar këtë provë thonë se është e nevojshme që të fokusoheni te puna që kërkoni. E më pas të ndryshoni e të rindryshoni. Në Kanada, zhvillimi profesional mund të jetë i vrullshëm.
Përse në Kanada
Sepse në Kanada sistemi funksionon. Njerëzit respektojnë ligjet, të gjithë paguajnë taksat dhe nëse një përfaqësues i popullit (parlamentar) bën diçka kundër rregullave jep menjëherë dorëheqjen. Respektohet radha, vjedhjet nuk ekzistojnë, njerëzit janë të sjellshëm deri edhe në kufijtë e falsitetit, askush nuk ofendon, nëse tejkalon shpejtësinë ose parkon në zonën e gabuar merr një gjobë të majme që askush nuk ka të drejtë ta heqë. Për të emigruar në Kanada, në radhë të parë është e udhës që të dini (ose të mësoni) dy gjuhë, anglisht dhe/ose frëngjisht.
Duhet të jeni plotësisht të bindur se dëshironi të nisni gjithçka nga fillimi. Periudha e tranzicionit do të jetë e papërcaktuar dhe duhet të përgatiteni, pasi do të nisni të bëheni pjesë e një kulture që mund të jetë shumë e ndryshme nga ajo ku keni jetuar, sepse, për shembull: për të takuar një mik duhet ta telefononi një muaj përpara, ndërsa nëse do të shkoni në një festë, do t’ju japin orarin se kur duhet mbërrini dhe të largoheni. Ah, do t’ju duhet të përshtateni edhe me kohën, pasi në Toronto temperaturat shkojnë deri në -25 gradë Celsius. Dhe mos harroni dimri është shumë, shumë i gjatë. Një lajm i keq për ne ballkanasit.
Informacione, si të emigroni
Për të siguruar një qëndrim të përhershëm në një prej qyteteve të Kanadasë duhet të plotësoni formularët e duhur, në bazë të interesit që ju keni. Nëse jeni një profesionist i kualifikuar dhe nëse nuk keni një ofertë pune, atëherë duhet të pajiseni me një kod (NOC), që përbëhet nga katër shifra dhe që identifikon profesionin në të cilin ju dëshironi të punoni. Ekziston një listë prej 520 lloje punësh.
Profesionet më të kërkuara, sikundër e kemi nënvizuar edhe më lartë janë: kuzhinierë, menaxherë restorantesh, infermierë, arkitektë, mjekë, dentistë, biologë, mjekë familjeje, farmacist, psikolog, asistent social, elektricist, hidraulik dhe ndërtues.
Pasi të keni identifikuar profesionin, do t’i nënshtroheni një testimi, ku duhet të grumbulloni të paktën 67 pikë ndaj 100 pikëve të mundshme. Pas kësaj do ta nisni procesin nga e para dhe mund të prisni muaj, por edhe vite në ndonjë rast.
Janë disa qytete që pranojnë më lehtësisht kërkesa për emigrim, si Halifax, në afërsi të brigjeve të Atlantikut.
Kostoja që duhet të paguani për një aplikim fillestar është 500 dollarë kanadezë, por që ndryshon në bazë të numrit të personave që bëjnë kërkesën
Testimi i gjuhës
Do të bëhet në bazë të testimeve IELTS e TEF, shembuj të të cilave mund të gjeni te faqja e CIC-së
Shënim: Këto janë disa nga faqet kryesore që mund të vizitoni për të marrë më shumë informacione rreth mënyrës se si mund të punoni, përkohësisht ose në mënyrë të përhershme apo sesi mund të studioni në Kanada.
www.cic.gc.ca
www.travailleraucanada.gc.ca
www.accesemploi.net
www.servicecanada.gc.ca
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.