Si të regjistrosh një pasuri të paluajtshme

04/10/2012 4:24 PM 0 komente

Për shumë prej nesh, blerja e një shtëpie (apo prone) është një nga vendimet më të rëndësishme dhe ndonjëherë transaksioni më i madh financiar që mund të bëhet në jetë. E kur kjo ëndërr realizohet, kaq nuk mjafton për t’u quajtur një pronar.

Në çdo rast, prona që të njihet, duhet të jetë e regjistruar pranë institucioneve përkatëse.

Në kuptimin e ligjit, pronar është personi, emri i të cilit është regjistruar si zotërues i pasurisë së paluajtshme. Pronësia mbi një pronë të paluajtshme vërtetohet me një dokument të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP-ja), e quajtur “Certifikatë për Vërtetim Pronësie” ose siç quhet ndryshe “Titull Pronësie”. Dokumenti i pronësisë ka bashkangjitur kartelën dhe hartën e pasurisë së paluajtshme.

Po cilat janë hapat që duhet të ndiqni për të regjistruar për herë të parë një pronë të paluajtshme? Nëse keni paqartësi, po ju vijmë në ndihmë.

 

Si merret certifikata e pronësisë

Pas plotësimit të dokumentacionit, bëhet përgatitja e Kartelës së Pasurisë së Paluajtshme për pronën dhe dokumentohen, kufijtë e saj në Hartën Treguese të Regjistrimit. Në këtë fazë, gjithkush që do të jetë i interesuar, duhet të verifikojë saktësinë e Kartelës dhe Hartës Treguese të Regjistrimit të pronës, gjatë procesit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Më pas, informacioni i regjistruar në Kartelën e pronës dhe Harta Treguese e Regjistrimit, afishohen publikisht nga në një ambient brenda zonës kadastrale dhe rrinë të afishuara për 45 ditë me radhë. Në këtë fazë, e cila përbën edhe ballafaqimin e dokumentit me qytetarin, gjithkush që konstaton pasaktësi, duhet të paraqesë menjëherë një kërkesë me shkrim tek kompania e autorizuar për afishimin publik, ku të përshkruhen me hollësi pretendimet mbi çdo gabim ose pasaktësi. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitni edhe dokumentacionin që vërteton pretendimin përkatës. Pas 45 ditëve, nëse nuk do të ketë kontestime, gjithkush do të pajiset me dokumentin e pronësisë. Në këtë rast, për pasuritë që nuk ka pasur pretendime ose që pretendimet janë zgjidhur, jepet Certifikata për Vërtetim Pronësie.

 

Dokumentet për regjistrimin e një prone

Për regjistrimin e një prone nevojiten të gjitha dokumentet e pronësisë të lëshuara nga komisionet e ngritura për zbatimin e ligjeve mbi privatizimet, të cilat funksionojnë që nga viti 1991 e në vazhdim; të gjithë dokumentet e lëshuar pas vitit 1991 nga Komisionet e Kthimit e Kompensimit të Pronave, që kanë lidhje me prona të kthyera apo të kompensuara fizikisht, si dhe të gjithë dokumentet e kalimit të pronësisë dhe të drejtave të tjera reale mbi pronësinë me kontratë shitblerjeje, kontratë dhurimi, akt trashëgimie, vendim gjykate etj. Individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë këto dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin Regjistruesit të ZVRPP-së, një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo gent-planin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet, si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim.

 

Hapat për regjistrimin e një prone

1. Mbledhja dhe saktësimi i dokumentacionit, ku përfshihet:

-grumbullimi i dokumentacionit

-njoftimi publik

-fotografimi/skanimi dokumentar

-regjistrimi sporadik i përfshirë në regjistrimin fillestar

-azhurnimi i hartave treguese dhe Librit të Ngastrave

-përgatitja e kartelave të pasurive

-monitorimi i fazës nga ZVRPP dhe ZQRP dhe aprovimi

 

2. Përgatitja e hartës dhe kartelës së pasurive të paluajtshme, ku përfshihet:

-printimi i parë i informacionit mbi pasuritë e regjistruara

-njoftimi publik

-afishimi i informacionit mbi pasuritë e regjistruara

-analiza e kërkesave/vërejtjeve të pronarëve dhe plotësimi apo korrigjimi i gabimeve të mundshme

-monitorimi i Fazës II nga ZRRPP dhe ZQRPP dhe

 

3. Afishimi publik 45-ditor (saktësime dhe verifikime), ku përfshihet:

-printimi i dytë + Harta treguese e regjistrimit + kartelat + lidhja e kartelës

-legalizimi i regjistrimit fillestar nga ZRRPP

 

4. Marrja e Certifikatës së Pronësisë në bazë të kërkesës së pronarit pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), ku përfshihet:

– Dorëzimi i dokumentacionit në ZRRPP dhe ZQRPP

 

Të drejtat…

Edhe të huajt kanë të drejtë të blejnë pasuri private dhe tokë jobujqësore për të zhvilluar aktivitet ekonomik në Shqipëri. Toka shtetërore jobujqësore mund t’iu shitet vetëm atëherë kur investimi i planifikuar është 1.5 herë më i madh se çmimi i

tokës. Të huajt nuk kanë të drejtë të blejnë tokë bujqësore, por kanë të drejtë ta marrin atë me qira për 99 vjet.

Personat fizikë dhe juridikë privatë shqiptarë kanë të drejtë të blejnë e të shesin lirisht troje ndërmjet tyre pa asnjë kufizim. Çmimi i tokës është i larmishëm. Ky çmim varet nëse toka ka apo jo kontakt me rrugën, është zonë industriale apo jo etj.

 

Detyrimet…

Në Shqipëri, detyrimi për taksën mbi pasurinë e paluajtshme është vjetor dhe ndahet në dy këste të barabarta. Kësti i parë për kategorinë “Ndërtesa banimi” paguhet brenda datës 30 prill

dhe kësti i dytë brenda datës 30 shtator. Për kategorinë “Ndërtesa të tjera”, kësti i parë paguhet brenda datës 20 prill dhe kësti i dytë brenda datës 30 qershor.

Taksa mbi tokën bujqësore është detyrim vjetor dhe ndahet në dy këste të barabarta, ku kësti i parë paguhet brenda datës 31 mars të vitit dhe kësti i dytë, brenda datës 30 shtator të vitit.

Toka bujqësore është klasifikuar në 10 kategori për të lehtësuar në këtë mënyrë përcaktimin e nivelit të taksës.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of