Është krejtësisht njerëzore të kesh ditë, kur mund të ndihesh i shpërqendruar nga çdo mendim apo ndjenjë e vogël, që ke në mendje, ose kur detyrat më të vogla, më pak të rëndësishme, papritur duken stresuese.
Mund të jetë e vështirë të hysh në një gjendje përqendrimi të thellë, apo edhe të gjesh motivim në ditë si këto, që do të thotë se produktiviteti dhe aftësia për të kryer detyrat, mund të ulen në mënyrë drastike.
Drejtuesit e Young Entrepreneur Council (Këshilli i Sipërmarrësve të Rinj), kanë gjetur disa zgjidhje për ditët kur mungon motivimi.
Më poshtë, ata diskutojnë metodat, që përdorin për të gjetur motivimin, kur ndihen të shpërqendruar dhe se si mund ta zbatoni secilën këshillë.
Përfundoni detyrën më të vogël që mund të bëni
Unë konstatoj se kur mbaroj një detyrë të vogël, më jep një rritje të motivimit dhe interesit, që më pas mund ta përdor si vrull për të vazhduar.
Shpesh, ne tronditemi dhe shpërqendrohemi, sepse një projekt ose punë duket e tepërt për t’u përballuar.
Bërja e diçkaje të vogël, mund t’i bëjë projekte të tilla të duken më të lehta për t’u menaxhuar dhe t’ju çojë në përfundimin e tyre më shpejt. – Blair Williams, MemberPress
Kryeni aktivitet fizik
Angazhimi në aktivitet fizik, mund të ndihmojë në rritjen e motivimit dhe produktivitetit.
Noti, çiklizmi ose vrapimi, mund të ndihmojnë në rritjen e niveleve të energjisë, përmirësimin e humorit dhe uljen e stresit.
Është e rëndësishme t’i jepet përparësi kujdesit për veten, në mënyrë që të ruani një ekuilibër të shëndetshëm punë-jetë dhe të rrisni motivimin. – Eddie Lou, CodaPet
Dëgjoni Muzikë
Ne të gjithë shpërqendrohemi. Kur më ndodh kjo, përpiqem të relaksohem duke dëgjuar muzikë.
Muzika mund të ndihmojë trurin, të çlirojë dopaminën, e cila njihet gjerësisht si “hormoni i lumturisë”.
Ju ndihmon të reduktoni stresin dhe rrit përqendrimin. Çdo ndjenjë e lodhur që kam, zhduket kur dëgjoj muzikë, kështu që unë mund të rifitoj fokusin dhe të rris produktivitetin. – Thomas Griffin, OptinMonster
Shpërblejeni veten për detyrat e përfunduara
Kur jam i shpërqendruar nga mendimet e mia ose detyrat e tjera, vendosja e shpërblimeve për veten, më mban të motivuar.
Për t’u përqëndruar në detyrën në fjalë, i jap vetes një shpërblim, pasi të kem mbaruar punën.
Këto shpërblime në përgjithësi, përfshijnë aktivitete si të shoh filmin tim të preferuar, të dal me shoqërinë për një filxhan kafe, të darkoj në një restorant të këndshëm e kështu me radhë, por ju mund të zgjidhni atë, që ju pëlqen. – Stephanie Wells, Formable Forms
Vendosni një afat të rreptë
Nëse duhet të bëj diçka dhe nuk ndihem shumë i motivuar, mendoj se është e dobishme të vendos një afat të rreptë, për ta bërë atë.
Nëse është një seri detyrash, unë krijoj një listë me afate për çdo artikull. Nuk ka rëndësi nëse e shkruani në një fletë letre, apo përdorni një aplikacion.
Kur keni një afat, edhe nëse është i vetë-imponuar, ju jeni më të prirur për ta përmbushur, edhe nëse nuk ju pëlqen. – Kalin Kassabov, ProTexting
Lexoni libra ose shprehje frymëzuese
Kur ndihem i pamotivuar ose i shpërqendruar nga mendime ose detyra të tjera, një gjë që bëj për të rigjetur motivimin për punë, është të lexoj libra frymëzues, ose të kërkoj shprehje motivuese në internet.
Kjo funksionon mirë për mua, sepse këto fjalë të shkruara, rindezin pasionin tim, duke më kujtuar udhëtimet e mahnitshme, që kanë bërë të tjerët dhe duke më dhënë një ndjenjë qëllimi. – Sujay Pawar, CartFlows
Merrni një sy gjumë
Ndonjëherë, më duhet thjesht të marr një sy gjumë të mirë. Dremitja është vërtetuar se ripërqendron dhe çliron energjinë natyrale të trurit, si dhe më ndihmon ta përfundoj ditën me fuqi.
Më pëlqen të fle 20 deri në 40 minuta. Është një mënyrë e lehtë dhe e natyrshme për mua, për të rritur disponimin dhe energjinë pa marrë kafeinë.
Shumë CEO-ve nuk u pëlqen të bëjnë pushime, por një sy gjumë është një mënyrë e përsosur për t’u motivuar. – Shu Saito, SpiroPure / Forbes