Si të ruani ekuilibrin jetë profesionale – jetë personale gjatë smart working

24/03/2020 5:41 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Në një moment kur smart working është shndërruar në një kusht të domosdoshëm për pjesën më të madhe prej nesh, po kuptojmë se me teknologjitë mund të punojmë fare mirë edhe në distancë, duke gjetur hapësirë për përqendrim dhe hapësirë për t’u shkëputur prej saj, në varësi të nevojës.

Kemi parë se shpesh, kjo është edhe më mirë, jemi më produktivë. Por, në këtë “peizazh të ri të punës” mund të zbulojmë dhe kërkojmë jo vetëm raste për të qenë më produktivë, por edhe për t’u rritur në planin profesional dhe personal, duke pasur parasysh që ky mjedis në të cilin po lëvizim, do të ndryshojë në varësi të veprimeve tona edhe në mënyrë të paparashikuar.

Ndër të tjera – ata që punojnë prej kohësh në këtë mënyrë e dinë – se në thelb të “filozofisë” së smart working është pikërisht ideja që të arrish ekuilibrin më të mirë mes jetës profesionale dhe jetës personale. Siç thekson kërkimi Copernico. Il nuovo paesaggio del lavoro i kryer nga Studio Carlo Ratti Associati (në bashkëpunim me Copernico, BNL e Arper), punonjësi modern është “nomad” në hapësirë dhe në organizimin e kohës së tij dhe si i tillë, priret që të ndërthurë momente të punës me ato të jetës personale, ndonjëherë edhe duke i mbivendosur.

Tashmë, mundësia për të lëvizur në hapësirë është padyshim e kufizuar. Kjo na jep rastin t’i jetojmë ditët tona në mënyrë më të vetëdijshme, duke e shndërruar kufizimin hapësinor në mundësi zhvillimi.

Si të shndërroni home working në smart working

Ata që prej kohësh punojnë për objektiva dhe në kontekste fleksibël, ata që janë pjesë e një komuniteti të konsoliduar si ai i coworking dhe zyrave fleksibël, janë mësuar ta menaxhojnë kohën e tyre mes punës, zhvillimin e marrëdhënieve dhe kohës për veten. Ata që po e bëjnë këtë ushtrim për herë të parë mund të zbulojnë se ruajtja e këtij ekuilibri në mënyrë të shëndetshme dhe të vetëdijshme nuk është gjithnjë e thjeshtë.

Më poshtë është një recetë e Copernico për një smart working të ekuilibruar edhe në shtëpi:

  1. Qëndroni produktivë dhe të lidhur me ekipin tuaj
  2. Vijoni të mendoni për të ardhmen
  3. Kujdesuni për mirëqenien fizike
  4. Forconi mirëqenien mendore dhe krijimtarinë

 

1.QËNDRONI PRODUKTIVË DHE TË LIDHUR ME EKIPIN TUAJ

Si të jeni produktivë kur punoni në distancë? Si të mbani gjallë marrëdhëniet me njerëzit në këtë moment? Hapat bazë janë tre.

  • Shfrytëzoni aplikacionet dhe sistemet për të vendosur qëllime të përbashkëta apo për të caktuar një mbledhje në mënyrë që të ndihmoni të gjithë në menaxhimin e punës dhe respektimin e afateve. Aplikacionet më të përdorura janë Microsoft Planner, Trello, Asana
  • Instaloni dhe përdorni sisteme për videokonferenca që t’i përdoni me kolegët, bashkëpunëtorët, klientët dhe furnizuesit. Disa alternativa janë Microsoft Teams, Google Hangouts Meet, Slack, Zoom e Skype
  • Mos harroni socializimin mes kolegëve: në këtë moment kur disa prej tyre mund të jenë tërësisht të izoluar (pasi mund të jenë single, larg familjes etj.,) mund të shfrytëzoni teknologjinë për të mbajtur gjallë ato momente të rëndësishme të socializimit – duke filluar nga pushimi për një kafe te festimi i përvjetorëve, si ditëlindja e një kolegu apo një ngjarje e rëndësishme në punë.

2. VIJONI TË MENDONI PËR TË ARDHMEN

Herët ose vonë, kjo krizë do të përfundojë. Për këtë arsye ju këshillojmë që ta përdorni kohën tuaj të lirë në shtëpi jo aq për të menduar rastet që jeni duke humbur këto javë, por për ato që do të jeni në gjendje të shfrytëzoni kur t’i rikthehemi normalitetit. Si të veproni?

  • Ndiqni webinar (web seminars) dhe grupe në Facebook për t’u azhurnuar e për të mësuar gjëra të reja
  • Sistemoni arkivat online, mendoni për gjithë ato gjëra që mund të bëni pa praninë fizike
  • Kërkoni klientë të rinj të mundshëm

3. KUJDESUNI PËR MIRËQENIEN FIZIKE

Puna nga shtëpia rrezikon të na bëjë të gjithëve pak dembelë. Mënyrat për të qëndruar në formë janë të shumta. Dhe mund t’i bëni bashkë me fëmijët, nëse jetojnë me ju, pasi së bashku, motivimi është më i madh.

  • Joga, stretching – në mes apo në fund të ditës, për të çlodhur muskujt dhe për të ulur tensionin. Shumë palestra apo trajnerë personale ju vijnë në ndihmë me ushtrime fizike në streaming.
  • Mos e lini veten pas dore – të punosh nga shtëpia me tuta mund të jetë e bukur dhe mund t’ju japë kënaqësi në ditët e para, por pas disa ditësh, për inerci, mund të shndërrohet në një arsye për të humbur përqendrimin. Ruajtja e dallimit midis veshjeve për shtëpi dhe për punë është një mënyrë e mirë për të mos harruar kujdesin për veten.
    Dhe të jeni gati për video-thirrje.

4. FORCONI MIRËQENIEN MENDORE DHE KRIJIMTARINË

Puna smart working nga shtëpia mund t’ju çojë drejt overburn (mbingarkesës). Por ju mund ta shmangni këtë rrezik nëpërmjet disa trukeve të vogla dhe mbi të gjitha, duhet të keni parasysh që edhe nga shtëpia mund të keni një jetë sociale aktive dhe të shëndetshme.

  • Përcaktoni disa orare. Është e rëndësishme që të krijoni një rutinë. Përcaktoni orën e kafesë, atë të mbledhjes së përditshme për t’u azhurnuar dhe atë për t’ju përgjigjur email-eve të klientëve.
  • Ju mungon e premtja mbrëma në kinema? Mjaft që të vendosni se cilin film të shikoni dhe përcaktoni një orar. Gjatë shikimit të filmit mund të jetë e këndshme të shkëmbeni mendime në chat-in e punës apo një të krijuar me këtë rast.
  • Ju mungon takimi i javës me kolegët? Edhe kjo është e thjeshtë për t’u organizuar nëpërmjet aplikacioneve për videothirrje.

Dhe në fund, nuk duhet të harrojmë se nuk jemi vetëm. Nuk duhet të kemi frikë të kërkojmë ndihmë. Shumë njerëz në këtë periudhë nuk shohin një dritë në fund të tunelit ose ndihen në grackë. Në këto ditë, shumë profesionistë ofrojnë këshilla individuale apo psikologjike për drejtuesit dhe profesionistët në krizë.

Në këtë kohë, mund të jemi shumë që kemi nevojë për këtë…

Burimi: Forbes (it)

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of