Dhënia e dorëheqjes nga një punë është një moment delikat. Dhënia e dorëheqjes dhe komunikimi i këtij vendimi është shpesh një burim stresi, aq sa menaxhimi i situatës së ndryshimit të punës cilësohet si një nga gjërat më stresuese në karrierë të një punonjësi.
Për të dalë faqebardhë nga kjo situatë ju duhet të ndiqni disa rregulla që ju ndihmojnë të menaxhoni situatën në mënyrë korrekte. Një nga këto është të njoftoni për këtë vendim, së pari drejtuesin tuaj, dhe vetëm më pas, kolegët.
Ju duhet të ruani një qëndrim të respektueshëm ndaj hierarkive, duke i paraprirë situatave të pakëndshme.
Një tjetër rregull është informimi drejtpërdrejt i drejtuesit dhe jo nëpërmjet Burimeve Njerëzore të kompanisë. Shfaqja e besimit është thelbësore, edhe në të ardhmen. Nuk i dihet kurrë se kë mund të takoni në të ardhmen në rrugëtimin tuaj.
Pikërisht për këtë, Wyser, shoqëri ndërkombëtare e Gi Group që merret me kërkime dhe përzgjedhje të profileve, drejtuese ka krijuar një manual për të ndihmuar drejtuesit dhe punonjësit që të përballojnë dhe të menaxhojnë momentin e dorëheqjes. “Dhënia e dorëheqjes është një hap delikat në rrugëtimin profesional dhe mund të bëhet edhe një burim ankthi” – komenton Carlo Caporale, administrator i deleguar i Wyser Italia.
Më poshtë janë disa këshilla se si të veproni kur jepni dorëheqjen
Nuk jeni as i pari e as i fundit
Me siguri, shefi juaj është përballur me këtë diskutim, me shumë gjasa nga të dy këndvështrimet. Mbajeni parasysh këtë para se të nisni të flisni.
Respektoni hierarkinë
Mos flisni me kolegët tuaj, para se t’ia komunikoni vendimin drejtuesit dhe personave përgjegjës të burimeve njerëzore.
Jini të sinqertë, por të prerë
“Ku do të shkoni?” Përgjigjuni në mënyrë transparente, por mos jepni shumë detaje. Por nëse shkoni në një kompani konkurrente, jepni pak detaje për ndonjë informacion mbi ndonjë projekt, por mos përmendni emra.
Ruani standardet
Ju jeni ende një burim dhe ekipi juaj ka ende nevojë për ju. Ndërkohë ju duhet të çoni përpara projektet që keni ndërmarrë deri në fund dhe… jini produktivë!
Shmangni kërcënimet
Mos bëni kërcënime se do të shkoni vetëm për të marrë diçka më shumë. Ndoshta mund të jetë një metodë efikase, por nuk është profesionale.
Ky nuk është fundi
Bota e punës është e vogël. Kjo do të thotë që është më mirë të ndaheni në mënyrën më të mirë, por nga ana tjetër, duhet të qëndroni në kontakt edhe me kolegët, nëse është e mundur.
Kërkoni ndihmë
Nëse gjithë këto këshilla nuk ju kanë ndihmuar, kalimi nga një kompani në tjetrën mund të lehtësohet nga konsulenca me një profesionist. Besojini atij dhe paçi fat.
Burimi: Vanity Fair