Ka shumë arsye pse mund të jetë e vështirë për të refuzuar punët shtesë që ju ngarkohen, por kjo gjë është kritike për të shmangur burnout-in.
Përpara pandemisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësoi burnout-in – i përkufizuar si stresi në vendin e punës që nuk është menaxhuar siҫ duhet – si një fenomen profesional. Në fakt, OBSH ia atribuoi mbingarkesës në punë më shumë se 745,000 vdekje.
Është e vështirë t’u thuash “jo” kërkesave për punë shtesë, pasi ne jemi krijesa pro-sociale, thotë Deborah Grayson Riegel, bashkautore e “Go to Help: 31 Strategies to Offer, Ask For, and Accept Help.”
“Ne jemi krijuar që nga fillimet e njerëzimit në një mënyrë të tillë që të duam të punojmë së bashku për mbrojtjen e komunitetit”, thotë ajo.
Përveç faktit që jemi pro-socialë dhe që duam të ndihmojmë njëri-tjetrin, ne kemi edhe një paragjykim reciprociteti. “Nëse ti bën diçka për mua, atëherë edhe unë dua të bëj diçka për ty, dhe e anasjellta”, thotë Grayson Riegel. “Të thuash ‘jo’ ndaj një kërkese për ndihmë bie ndesh me atë që ne e konsiderojmë si të dobishme, miqësore dhe bashkëpunuese.”
Ne gjithashtu mund t’i druhemi kostove të reputacionit dhe të humbjes së marrëdhënieve që lidhen me refuzimin e diçkaje, duke i bërë vetes pyetje të tilla si: “A do të ishte refuzimi i kësaj pune diҫka negative për vlerësimin tim të performances?” ose, “A do të dukem si dikush që nuk është lojtar skuadre?” ose, “Nëse i them ‘jo’ kësaj pune, a do të pyesin dikë tjetër kur të kenë një projekt më emocionues ose të profilit të lartë në të ardhmen?”
Puna në distancë mund ta bëjë gjithashtu më të vështirë për të thënë “jo”. “Nuk ka kontakt të drejtpërdrejtë kur punoni në distancë,” thotë Grayson Riegel. “Mendoj se të thuash ‘jo’ bëhet më e vështirë, sepse na mungon një pjesë e lidhjes relacionale që krijojmë kur ndeshemi me dikë në korridor ose kur drekojmë së bashku”.
Pse duhet të thoni “jo”
Megjithëse ka shumë arsye pse ne hezitojmë të themi “jo”, ka po aq arsye për të mos thënë “po”, sipas Grayson Riegel.
Më e rëndësishmja, nëse nuk refuzoni disa punë, ka të ngjarë të mbingarkoheni. Dhe e vërteta është se duke thënë “jo”, kjo nuk nënkupton se puna juaj do të zhduket dhe reputacioni juaj do të dëmtohet. Në fakt, duke thënë “po” për çdo gjë, ne vendosim një precedent ku njerëzit na shohin si gjithmonë të disponueshëm dhe të gatshëm. Dhe kjo gjë mund të sjellë pasoja.
“Kur nuk e kuptoni se keni shumë gjëra në mendjen tuaj dhe gjithë ato punë për të bërë, keni më tepër gjasa për të bërë gabime”, thotë Grayson Riegel. “Dhe kjo do të sillte pikërisht dëmtimin e reputacionit tonë, të atij reputacioni prej të cilit kishim frikë të thonim ‘jo’ në fillim.”
Si të filloni të thoni “jo”
Ashtu si çdo ndryshim që bëni në sjellje, do të ishte mirë të fillonit nga pak me ato kërkesa që nuk ndikojnë në trajektoren tuaj të karrierës. Për shembull, nëse një koleg pyet nëse mund t’i hidhni një sy një materiali që ai ka përgatitur dhe ju nuk keni fare kohë për ta bërë këtë, do të ishte më e lehtë t’i thonit “jo” një kërkese të tillë sesa një kërkese nga shefi juaj.
“Kjo punë është diçka e shpejtë që mund të bëhet edhe nga një person tjetër”, thotë Grayson Riegel. “Filloni duke refuzuar ato kërkesa që nuk do të përbënin ndonjë kërcënim për karrierën tuaj. Filloni me dikë që ka gjasa t’ju mirëkuptojë.”
Më pas, hapi i radhës është t’i thuash “jo” shefit tënd.
“Mund të bisedoni me shefin tuaj duke i thënë diҫka të tillë: ‘Dua të sigurohem që ta fokusoj kohën, energjinë dhe vëmendjen time në prioritetet strategjike më të rëndësishme që kemi’”, thotë Grayson Riegel. “Bëjeni që të duket më shumë sikur keni dëshirën për të thënë ‘po’ për gjërat më të rëndësishme. Dhe më pas pyesni menaxherin tuaj: ‘A mund të më ndihmoni për të përcaktuar se cilat janë këto gjëra?’ Në këtë mënyrë, ju do të dakordësoheni për punët që duhen bërë.”
Gjithashtu, ju mund të filloni duke thënë “jo” pasi të keni vendosur synime të qarta për karrierën tuaj. Kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni se si e shihni karrierën tuaj në të ardhmen. Në këtë mënyrë, mund të mendoni nëse detyra që po ju kërkohet është diçka që do t’ju ndihmonte për arritjen e synimeve tuaja.
“Ndonjëherë, rrugën që doni të ndiqni për karrierën tuaj mund ta shikoni brenda organizatës, si për shembull marrja përsipër e projekteve të reja dhe ekspozimi ndaj njerëzve apo eksperiencave të caktuara,” thotë Grayson Riegel. “Nëse nuk keni një qëllim dhe nuk keni pasur biseda për karrierën me menaxherin tuaj, kjo e bën të vështirë identifikimin e hapave të rëndësishëm që duhen ndërmarrë.”
Sipas Grayson Riegel, të thuash “jo” bëhet më e lehtë me kalimin e kohës, por duhet të jeni të qartë kur kërkesa është një kërkesë, dhe kur ajo është një urdhër. “Një kërkesë është diçka për të cilën mund të thoni “po”, “jo” ose të bëni një kundërofertë, duke thënë: ‘Nuk mund të bëj këtë gjë, por mund të bëj këtë tjetrën”, thotë ajo. “Por, nëse kemi të bëjmë me një urdhër, atëherë ‘jo’-ja nuk është një opsion.” / Fast Company