Është e pamundur që të lexoni mendjen e një intervistuesi. Pavarësisht se ju nuk mund të parashikoni listën e pyetjeve të tyre ose mënyrën se si do t’ju vlerësojnë, ka disa kurthe të zakonshme gjatë intervistave për të cilat duhet të jeni të përgatitur.
Sekreti për të dalë sa më mirë në një intervistë pune është te vetëbesimi dhe përgatitja. “Duhet të jeni të vëmendshëm dhe të kuptoni se ku mund të ҫaloni, ose sfidat me të cilat do të përballeni në pozicionin për të cilin keni aplikuar”, thotë Jeff Hyman, i cili punon si rekrutues ekzekutiv për 25 vjet. “Koha më e papërshtatshme për të menduar për këto është gjatë intervistës, sepse në ato momente, ju jeni në presion.”
Gjatë gjithë karrierës, Hyman, i cili është gjithashtu CEO i Recruit Rockstars, një firmë për kërkimin e kandidatëve për kompani të ndryshme, ka intervistuar më shumë se 30,000 kandidatë dhe ka identifikuar tre pyetje ku njerëzit vazhdimisht hasin vështirësi.
Ja cilat janë pyetjet ku duhet të bëni kujdes, bashkë me mënyrat si t’u përgjigjeni.
“Më tregoni për veten”
Intervistuesit kanë tendencë ta fillojnë bisedën me këtë pyetje, si për të “thyer akullin”, por shpesh kjo mund të vërë kandidatët para një situate të papritur dhe të sjellë “përgjigje të gjata, të ngatërruara” që vetëm sa harxhojnë kohë, thotë Hyman.
Në vend të kësaj, duhet që përgjigjja juaj të jetë e shkurtër (më e mira do të ishte nën një minutë) dhe kujdesuni që të theksoni pikat tuaja të forta dhe arritjet më të mëdha. “Me anë të kësaj pyetjeje, menaxherët e punësimit në fakt po ju pyesin: ‘Pse jeni ulur përballë meje sot? Nëse jeni kaq i mirë, pse jeni ende në kërkim të një pune?’”, shpjegon Hyman.
Mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje është të shpjegoni jo vetëm ato që keni bërë, por pse i keni bërë: çfarë ju motivon dhe si dëshironi të bëni një ndryshim në rolin tuaj të ardhshëm.
“Cila është arritja juaj më e madhe?”
Kandidatët shpesh bëjnë dy gabime kur i përgjigjen kësaj pyetjeje, thotë Hyman. Ata ose janë tepër modestë në përgjigjen e tyre dhe nuk mund të artikulojnë ndikimin që kanë pasur në një mjedis pune, ose nuk mund ta përcaktojnë këtë ndikim me anë të shifrave.
“Kjo është një pyetje e rëndësishme, për të cilën duhet të jeni të përgatitur, por shumë njerëz nuk përgjigjen siҫ duhet” – thotë ai.
Zgjidhni arritjen më të madhe të karrierës suaj, për shembull tejkalimi i një objektivi për shitjet, një prezantim i shkëlqyer apo organizimi i një eventi madhor dhe shpjegoni shkurtimisht hapat që ndërmorët për të arritur deri aty.
Më pas, sigurohuni që të përmendni shifra për të shpjeguar ndikimin që arritja juaj pati te biznesi: “Unë i rrita shitjet me X%” ose “Kam rritur kënaqësinë e klientëve me Y pikë”, për shembull.
“Si mund t’i shpjegoni këto periudhat që keni qenë të papunë?”
Nëse kohët e fundit keni humbur apo keni lënë punën, kjo mund të jetë pyetja e intervistës nga e cila keni më shumë frikë. “Shumë kandidatë ndihen në vështirësi apo të turpëruar nga një boshllëk në CV-në e tyre dhe mendojnë se janë i vetmi person në botë që gjatë dy viteve të fundit ka kaluar ndryshime masive të jetës së tij,” thotë Hyman.
Por, pandemia e koronavirusit ka ndikuar shumë te jetët tona dhe menaxherët e punësimit janë më empatikë nga ҫ’mendoni për t’ju mirëkuptuar për këto periudha që keni qenë të papunë, thotë Hyman. Është e rëndësishme t’i përgjigjeni pyetjes me sinqeritet, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa ndonjë ndjenjë faji.
“Bëhuni më i hapur dhe shpjegoni shkurtimisht pse ju janë nevojitur 3 muaj, 6 muaj ose edhe një vit për t’u kujdesur për prindin tuaj të sëmurë, për të udhëtuar në një vend tjetër, ose sido që të ketë qenë situata,” thotë Hyman. “Përfundoni me nota pozitive duke theksuar atë që keni mësuar nga kjo eksperiencë.” /CNBC